Vjen në jetë Anna, vajza e Ardit Gjebresë
Alma Mile
Me të qarën e saj përshëndeti botën. Ishte melodia që ende nuk e kishte kompozuar. Familja Gjebrea dje u bë me një pjesëtar të ri. Lindi Anna. Kishin 9 muaj që Anila dhe Ardit Gjebrea prisnin me padurim lindjen e fëmijës së tyre të dytë, por ditët e fundit pritja ishte më e ankthshme. Po numëronin ditët, deri sa erdhi momenti... dje. Anna Gjebrea lindi në orën 10.00 në Qendrën Universitare Obstetriko-Gjinekologjike “Mbretëresha Geraldinë”. Është 2 kg e 800 gr dhe është 48 cm e gjatë. Babi Arditi i ka regjistruar të gjitha. Kur lindi Joni ai ishte në Itali, por këtë herë nuk mund ta humbte këtë rast. Mori pjesë në lindje dhe ka regjistruar momentin e ardhjes në jetë të Annës. “Çfarë lumturie! Ardhja në jetë e Annës dhe çasti kur ia vumë pranë Anilës, janë dy momentet më të bukura të jetës sime. Ajo qante dhe sapo e mbështetëm pranë faqes së Anilës, pushoi menjëherë. Çfarë kënaqësie t’i shihje të dyja nënë e bijë...”. I emocionuar sa më s’ka Ardit Gjebrea nuk resht së foluri për lumturinë që i dhuroi vajza e tij e vogël. Urime e lule pa fund që mbushin dhomën... Të gjitha këto e bëjnë edhe më të vetëdijshëm për praninë e Annës. Shkon sa tek Anila, tek Anna. Duhet të kujdeset për të dyja, për bashkëshorten, që sapo i dhuroi një tjetër gëzim dhe për atë krijesë të njomë, që zgjat duart drejt tij, skuqet e qan. “Thonë se më ngjan mua”, thotë duke qeshur Arditi, edhe pse ajo është e vogël dhe është e vështirë t’ia ravijëzosh tiparet. “Do të doja shumë t’i ngjante Anilës, të bëhej e mirë si ajo, por edhe të marrë pak dhunti muzikore nga unë”, thotë ai.
Pavarësisht telefonatave e mesazheve pa fund, zërit të Annës që e shkund vazhdimisht nga një ditë-ëndërr, Ardit Gjebrea nuk harron të përshëndesë njerëzit që u kujdesën për Anilën dhe Annën. “Dua të falënderoj doktor Halim Kosovën dhe doktoreshë Vjollca Taren. Por jo vetëm ata, të gjithë stafin e këtij materniteti, për kujdesin që treguan, jo vetëm për Annën dhe Anilën, por edhe për gjithë fëmijët e tjerë”. Anila dhe Arditi nuk donin që vajza të lindte në një spital të huaj, edhe pse kjo nuk ishte e pamundur për ta. Kishin më shumë besim tek kujdesi i doktorëve shqiptarë dhe prania e të afërmve i bënte të ndiheshin më të sigurt. Tani që nënë e bijë janë mirë, Arditi nuk resht së treguari. “Jam i lumtur që e zbulova këtë ndjesi. Por më vjen keq që e zbulova kaq vonë. Në të kundërt do kisha bërë shumë fëmijë”, thotë ai dhe qesh.
Lindja
Anna Gjebrea lindi dje në orën 10.00 në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”. Peshon 2 800 gr dhe është e gjatë 48 cm. Ashtu si edhe i vëllai, Joni, lindi me anë të ndërhyrjes kirurgjikale.