E Diel, 1 Nëntor 2026

Lojërat e Fatit, qeveria përcakton kritere të reja për licencim, organizim dhe shpërblimin e fituesve

Çmimi për fituesin nuk duhet të jetë më i vogël se 80 për qind e shumës së akumuluar

Tiranë – Subjektet që organizojnë lojërat e fatit promocionale do të operojnë ndryshe nga sa kanë operuar deri më tani. Kjo u vendos në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave, ku u përcaktuan kritere dhe rregulla shtesë për organizimin e lojërave të fatit promocionale. Gjithçka ka ardhur pas propozimit të ministrit të Financave. Në Vendimin e Këshillit të Ministrave përcaktohen forma dhe rregullat e reja për organizimin e lojërave të fatit prompocionale. Që në fillim të VKM-së thuhet se lojërat e fatit promocionale, mund të organizohen nga subjekte, publike ose private, që dëshirojnë të promovojnë produkte apo shërbime të biznesit të tyre, duke i ofruar fituesit të lojës një premio të caktuar, në mjete monetare ose në ndonjë formë tjetër shpërblimi.
Mënyrat e organizimit
Lojërat e fatit promocionale, mund të organizohen edhe duke e ofruar falas shërbimin, që do të promovohet. Një mënyrë e dytë e organizimit të lojës përcaktohet ajo e ofrimit të produktit me një çmim dhe bashkë me të realizuesit mund të ofrojnë edhe një kupon, biletë, apo dhe mundësia për të gërvishtur në ambalazhin e produktit të blerë, apo dhe çdo mënyrë tjetër, e parashikuar, por pa kosto të tjera shtesë për klientin. me përfundimin e lojës promovuesi ofron dhe shpall fituesit, të cilët shpërblehen me produkte ose shërbime. Ajo që bie në sy në këtë vendim është fakti se subjekteve, që kanë objekt të veprimtarisë së tyre lojërat e fatit, nuk u lejohet të organizojnë lojëra fati, promocionale.
Marrja e autorizimit
Subjektet, që duan të organizojnë lojë fati promocionale, duhet të pajisen me autorizim nga Ministria e Financave. Madje për organizatorët e këtyre lojërave jepet autorizim i posaçëm, i cili është i vlefshëm nga data e fillimit të lojës, që nuk duhet të fillojë më vonë se 30 ditë pas datës së marrjes së autorizimit, dhe vlen vetëm për një lloj të caktuar loje promocionale. Në autorizim përcaktohet edhe kohëzgjatja e lojës promocionale, e kjo bazohet në kërkesën e organizatorit të lojës dhe në gjykimin e autoritetit, që merr në shqyrtim dokumentacionin, në varësi të llojit dhe formës së lojës, që do të organizohet. Për marrjen e autorizimit, subjekti duhet të paraqesë pranë Ministrisë së Financave kërkesë me shkrim, ku të evidentohen të dhënat e subjektit, objekti i veprimtarisë së tij, drejtoria rajonale tatimore ku subjekti është i regjistruar, dhe një përshkrim i shkurtër i lojës, që do të organizohet. Në dokumentet e paraqitura duhet të jenë edhe ekstrakti i e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit dhe deklarata e organit tatimor për detyrime të pashlyera. Mungesa e njërit prej dokumenteve të mësipërm çon në refuzimin nga organi kompetent i kërkesës dhe dhënien e autorizimit. Nëse subjekti përmbush kushtet për marrjen e autorizimit, pas miratimit nga ministri i Financave, një kopje e tij i jepet subjektit, një kopje i përcillet Njësisë së Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit (NJMLF) dhe një kopje drejtorisë rajonale tatimore, ku është i regjistruar. Autorizimi lëshohet brenda 20 ditëve pune, nga data e paraqitjes së kërkesës së subjektit në protokollin e Ministrisë së Financave. Nëse subjekteve iu refuzohet kërkesa në kthimin e përgjigjes evidentohen edhe arsyet e refuzimit. Për marrjen e autorizimit, subjekti duhet të derdhë për llogari të Ministrisë së Financave, shumën 200 000 (dyqind mijë) lekë. Në rast refuzimi të autorizimit, shuma e paguar është e kthyeshme nga autoriteti, pranë të cilit është arkëtuar shumë, brenda 20 ditësh nga data e refuzimit të autorizimit.
Rregullorja e lojës
Kriteret, që duhet të plotësojë pjesëmarrësi në lojë, i janë lënë në dorë organizatorit, i cili duhet të përcaktojë edhe rregulloren e lojës. Në këtë të fundit organizatori paraqet; llojin e lojës promocionale që do të organizohet, kohëzgjatjen e saj, numrin e shpërblimeve dhe mënyrën e shpërblimit të fituesve, çmimin, me dhe pa TVSH, që duhet të paguajë pjesëmarrësi në lojë, çmimin që do të japë organizatori i lojës, numrin e parashikuar të pjesëmarrësve në lojë, të cilët duhet të jenë persona të identifikueshëm nga organizatori i lojës. Çmimi (premio) i ofruar nga organizatori i lojës së fatit, i konvertuar në vlerë monetare, nuk duhet të jetë më i vogël se 80 për qind e shumës së akumuluar prej pjesëmarrësve në lojë, për lojërat e organizuara nëpërmjet mesazheve (sms) apo të telefonatave. Për tipet e tjera të lojërave, organizatori duhet të deklarojë në rregulloren e lojës së fatit çmimin, që do të ofrojë, të konvertuar edhe në vlerë monetare. Tërheqja e çmimit duhet të bëhet e mundur në kohën, vendin dhe mënyrën e publikuar nga organizatori. Në çastin e ndarjes së çmimeve duhet të asistojnë edhe një përfaqësues nga NJMLF-ja dhe një përfaqësues nga drejtoria rajonale tatimore, ku subjekti është i regjistruar, të cilët mbajnë procesverbalin përkatës. Procesverbali i ndarjes së çmimit depozitohet në drejtorinë rajonale tatimore, ku subjekti është i regjistruar.
Subjekti duhet që, 20 ditë përpara ditës së ndarjes së çmimeve të depozitojë një kërkesë te drejtoria rajonale tatimore dhe Njësia e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, për njoftimin e datës dhe të orës së ndarjes së çmimeve.

Box

Tipet e lojërave promocionale

1- Loja me anë të mesazheve (sms)

Duhet të deklarohet:

a. Kostoja e një mesazhi telefonik, me ose pa TVSH, e cila nuk mund të kalojë vlerën 100 (njëqind) lekë me TVSH
b. Numri, ku duhet të dërgohet mesazhi
c. Operatori që do të ofrojë shërbimin

2- Loja me telefonata

Duhet të deklarohet:

a. Kostoja e një telefonate, me ose pa TVSH, e cila nuk mund të jetë më e lartë se 200 (dyqind) lekë/telefonata, pa TVSH;
b. Numri ku duhet të dërgohet thirrja;
c. Operatori që ofron shërbimin

Penalizimi

Në rast se organizatori e kryen ndarjen e çmimeve pa njoftuar drejtoritë përkatëse, subjektit i hiqet e drejta për autorizim, për një periudhë 3-vjeçare, pas përfundimit të afatit të autorizimit të lëshuar, dhe organet tatimore kryejnë rivlerësimin e situatës së tij financiare, sipas ligjit nr. 9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”.

Detyrimi

Organizatori i lojës duhet të mbajë, për një periudhë jo më pak se 6 vjet, të gjithë dokumentacionin për lojën promocionale të fatit (mënyrën e zhvillimit, numrin e pjesëmarrësve, çmimet e shpërndara, emrat dhe adresat e fituesve, etj.).

Box
Dokumentacioni për marrjen e autorizimit

a) Kërkesën me shkrim, ku të evidentohen të dhënat e subjektit, objekti i veprimtarisë së tij, drejtoria rajonale tatimore, ku subjekti është i regjistruar, dhe një përshkrim i shkurtër i lojës, që do të organizohet.
b) Ekstraktin e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit;
c) Deklaratën (vërtetim) nga organi tatimor për detyrime të pashlyera;
ç) Rregulloren dhe mënyrën e organizimit të lojës promocionale, me hollësi dhe sipas kritereve, që duhet të përmbushë organizatori, siç parashikohet në pikën 14, të këtij vendimi.
Mosplotësimi i njërës prej kërkesave të mësipërme përbën arsye për refuzimin e kërkesës dhe dhënien e autorizimit.

16 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›