E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pagat e buxhetorëve, qeveria rrit pagesën që do të mbajë si kontribut për pensionet

Indeksimi i ri për pagën minimale dhe maksimale prek dhe sektorin privat

Ervin KOÇI

Rritja e pagës nga 1 maji 2009 për të gjitha kategoritë e të punësuarve në vendin tonë, si për atë shtetëror ashtu dhe për atë privat, shoqërohet në të njëjtën kohë edhe më një indeksim të ri të pagesës për kontributet e sigurimeve. Ky indeksim i cili është bërë prej ekspertëve të Financave dhe të ISSH-së prek të gjithë bizneset dhe të punësuarit në administratën shtetërore, duke ndryshuar pagesën për kontributet e sigurimeve. Qeveria ka vendosur që paga minimale për efekt pensioni, pra paga nga e cila do të mbahen sigurimet, të jetë 16.120 lekë në muaj, ndërsa paga maksimale mujore të jetë 80.600 lekë në muaj. Deri më 1 maj këto paga ishin 14.830 lekë në muaj dhe maksimalja 74.150 lekë në muaj. Indeksimi i pagave ribëhet nga Ministria e Financave për ata që dalin në pension gjatë këtij viti. Pas këtij vendimi, të gjithë personat që kanë dalë në pension nga 1 janar i vitit të kaluar, pagat mbi të cilat janë derdhur kontributet nga 1 janari 1994 dhe deri në momentin e lënies së punës, si dhe pagat referuese që i përkasin periudhës së sigurimit para kësaj date, do të rivlerësohen radhazi duke u shumëzuar edhe me këtë koeficient. Kështu të gjithë punonjësit që paguhen me mbi 80.600 lekë në muaj do të paguajnë më shumë për të siguruar pension dhe shërbimet shëndetësore. Deri më 1 maj, të gjithë pagat e larta mbi 74.150 lekë në muaj, pavarësisht pagesës, paguan sigurime, pra 5 për qind, mbi këtë limit. Me rritjen e limitit maksimal në 80.600 lekë në muaj, rrjedhimisht do të rriten edhe pagesat për pension. Në këtë mënyrë do të zvogëlohet edhe paga e marrë në dorë. Nisur nga referencat e nxjerra nga tatimet për pagat edhe në biznesin e madh, një pjesë e mirë e të punësuarve në privat do ta ndjejnë peshën e këtij vendimi në pagesat e tyre. Por nga ana tjetër qeveria ka ulur pagesën minimale mujore. Pagesa minimale për pension do të jetë nga 4497 lekë/muaj, nga 4879 lekë/muaj që ishte deri më 1 maj. Rritje kanë pësuar pagesat e detyrueshme për sigurime të tregtarëve të vegjël dhe ambulantëve, nga 1 mijë lekë në muaj në 1200 lekë në muaj.

Llogaritja

Në ligjin “Për sigurimet shoqërore në republikën e Shqipërisë” parashikohet se shuma fillestare e pensionit mujor të pleqërisë përbëhet nga një shumë bazë dhe nga një shtesë. Shuma bazë e pensionit, që u jepet të gjithë personave të siguruar, caktohet çdo vit me vendim të Këshillit të Ministrave dhe aktualisht është 9515 lekë në muaj. Shtesa bazuar në formulën e llogaritjes së pensionit është 1 për qind për çdo vit sigurimi, shumëzuar me bazën mesatare të vlerësueshme që personat e siguruar kanë arritur nëpërmjet kontributeve të paguara. Llogaritja e koeficientit të indeksimit për vitin 2008 është bërë mbi bazën e të ardhurave nga kontributet e evidentuara sipas bilanceve financiare të viteve 2007 dhe 2008 dhe mbi bazën e të dhënave statistikore të numrit të personave që kanë kontribuar sipas viteve. Në bazë të llogaritjeve rezulton se kontributi mesatar vjetor për një kontribuues në vitin 2008 është 96.030 lekë, ndaj 86.470 lekë që ishte në vitin 2007, pra me një rritje prej 11.05 për qind. Për efekte llogaritje fillestare të pensionit, për efekt rrumbullakimi, koeficienti i indeksimit është vendosur të jetë i plotë 11 për qind.

Rritja

Ndryshe nga vitet e kaluara, këtë vit rritja e pensioneve ka nisur që në muajin maj. Duke nisur nga data një maj, pensionet e fshatit do të rriten me 20 për qind dhe të qytetit me 10 për qind. Gjatë këtyre viteve qeveria ka rritur më tepër pensionet e fshatit se ato të qytetit dhe kjo me qëllim që të zvogëlohet diferenca e madhe mes tyre. Ndërkohë që gjatë tre viteve, pensionistët në fund të festave të fundvitit kanë marrë 5 mijë lekë shpërblim. Nga ky vendim i qeverisë kanë përfituar mbi 550 mijë pensionistë, si dhe personat që marrin pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi si ushtarakë, punonjës të Policisë së Shtetit dhe të Shërbimit Informativ Shtetëror.

Rregullorja

Personat që janë në prag pleqërie duhet të plotësojnë një vit përpara kërkesën për të përfituar pension. Së bashku me kërkesën individët duhet të dorëzojnë edhe disa dokumente si, fotokopje e librezës së punës, certifikatë lindje etj. Në rregullore përcaktohet se personat që janë në prag të daljes në pension pleqërie, duhet të aplikojnë në agjencitë lokale të sigurimeve shoqërore një vit para arritjes së moshës për pension, për të plotësuar një kërkesë paraprake për pension, për të dorëzuar fotokopje të librezës së punës, për të deklaruar historikun e punës. Duke pasur parasysh faktin se afati i caktimit të pensionit 45 ditë pas pranimit të kërkesës dhe dokumenteve për pension, një aplikim i tillë 12 muaj përpara mbushjes së moshës do të ndihmonte si aplikuesit për të plotësuar dokumentacionin, ashtu edhe strukturat e ISSH-së për verifikim.

Koeficientet////////////////////////////////////////////
Koeficientet e indeksimit të bazës së vlerësimit vjetor, për llogaritjen fillestare të pensioneve, sipas viteve

Për vitin 2008 1.00
Për vitin 2007 1.11
Për vitin 2006 1.04
Për vitin 2005 1.02
Për vitin 2004 1.12
Për vitin 2003 1.10
Për vitin 2002 1.09
Për vitin 2001 1.14
Për vitin 2000 1.07
Për vitin 1999 1.09
Për vitin 1998 1.05
Për vitin 1997 1.22
Për vitin 1996 1.09
Për vitin 1995 1.37
Për vitin 1994 1.32

Ndryshimet////////////////////////////////////////////////
Paga minimale
Ishte Bëhet
14830 lekë/muaj 16120 lekë/muaj

Paga maksimale
Ishte Bëhet
74150 lekë/muaj 80600 lekë/muaj

Pagesa minimale për sigurime
Ishte Bëhet
4879 lekë/muaj 4497 lekë/muaj

Kontributi i detyrueshëm
Ishte Bëhet
32.9% e pagës 27.9% e pagës

Pagesa e punëdhënësit
Ishte Bëhet
21.7% e pagës 16.7% e pagës

Pagesa për të vetëpunësuarit
Ishte Bëhet
33.2% e pagës(4924 lekë/muaj) 30% e pagës (4836 lekë/muaj)

Pagesa për të vetëpunësuarit dhe ambulantët
Ishte Bëhet
1000 lekë/muaj 1200 lekë/muaj

Përfitimi për ata që nuk plotësojnë kushtet
Ishte Bëhet
5200 lekë/muaj 6344 lekë/muaj

Shkurt//////////////////////
Ndryshimet e pagës minimale për sektorin privat dhe efekti i kontributeve

Për të shmangur gjobat e vendosura nga administrata tatimore bizneset duhet të kenë parasysh se ka ndryshuar mënyra e pagesës së taksave. Pas ndryshimeve ligjore që ka bërë qeveria si për bizneset e vogla ashtu edhe për bizneset e mëdha, pagesa e sigurimeve mbi pagën do të jetë e ndryshme për muajin maj dhe qershor, ndërsa për muajin prill do të vijojë të paguhet me të njëjtin nivel. “Dallimi që duhet bërë nga biznesi është se 1 620 lekë zbatohet për të vetëpunësuarit, ndërsa 18 mijë lekë meqë është një pagë e detyrueshme në shkallë vendi për marrëdhëniet punëdhënës-punëmarrës, kjo mbetet të jetë edhe paga mbi të cilën do të paguhen kontributet”,- shprehen përfaqësues të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. Pjesë e ndryshimeve është edhe ulja me 5 për qind e nivelit të kontributeve për biznesin e madh. Ndërkohë nëse plotësoni gabim dokumentacionin do të keni një muaj kohë për korrigjim. “Nëse gabimet kapen nga tatimpaguesit kanë të drejtë që të bëhet korrigjimi brenda një muaji. Në të kundërt do të vendosen gjoba sipas legjislacionit në fuqi”,- thekson ai. Këto ndryshime në nivelin e kontributeve nuk përfshijnë punëmarrësit, por vetëm punëdhënësit.

16 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›