E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miratimi i kodit, PS-PD kanë numrat e nevojshëm

Grevistët dhe deputetët që i mbështesin nuk mund ta pengojnë me forcë kartonësh votimin e Kodit të ri Zgjedhor. Dy forcat e mëdha politike kanë numrat e nevojshëm të deputetëve për të mos e vënë në diskutim suksesin e nismës. Në kampin refuzues të ligjit të ri elektoral janë rreshtuar së pari gjashtë deputetët e Lëvizjes Socialiste për Integrim, përfshirë kreun e saj, Ilir Meta. Të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe kryetari i PS91, Petro Koçi. Në një deklarim publik, kryetari i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, tha se kundërshton përmbajtjen e ligjit të ri elektoral. Të përfshirë në grevë dhe kontestues të draftit janë edhe deputetët e Partisë Demokristiane, një pjesë e të cilëve janë aktualisht në grevë. Dje iu bashkua këtij qëndrimi edhe Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, që ka në total tre deputetë. Grupi parlamentar i Partisë Demokratike paraqitet unik dhe vetëm vota e deputetëve Spartak Ngjela dhe Besnik Mustafaj janë të diskutueshme. Ky i fundit nuk ngurroi të kërkojë një zgjidhje për situatën e krijuar, duke mbështetur të vegjlit. Ditët e fundit, socialdemokratët humbën një deputete, e cila vendosi t‘i bashkohej Lëvizjes Socialiste për Integrim, duke e lënë Gjinushin me pesë deputetë. Nga grupi parlamentar i qendrës është pozicionuar deri më tani vetëm deputeti Durim Lamaj, i cili kundërshton draftin. Në këtë llogore mendohet se mund të rreshtohen edhe katër deputetët e tjerë socialistë që votuan ish-kreun e shtetit, Bamir Topi. Në grupin parlamentar të Partisë Socialiste konsiderohet e humbur vota e deputetit Luan Memushi dhe ajo e ish-kryeministrit Fatos Nano. Të paparashikueshme mund të konsiderohen edhe votat e deputetëve socialistë, Elmaz Sherifi, Arben Malaj dhe Pandeli Majko. Së bashku, të gjitha këto vota kundërshtuese dhe të lëkundura mund të shkojnë deri në 34 mandate deputetësh. Nëse zbritet kjo nga totali i deputetëve, del se mbeten 106 deputetë të tjerë. Shumicën e tyre, mbi 84, arrijnë t‘i kenë vetëm Partia Socialiste dhe Partia Demokratike. Votimi i ligjit elektoral, sipas rregullave në fuqi, kërkon një shumicë të cilësuar me 3/5 e votave të deputetëve. Kusht që, siç del nga shifrat, realizohet pa pasur ndonjë pengesë nga të vegjlit. Ishin pothuajse të njëjtat parti që kundërshtuan më parë ndryshimet kushtetuese, por nuk arritën dot të pengonin votimin e tyre në Kuvend.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›