Lojërat e rrezikshme me viruse

Para katër muajve autoritete amerikane tentuan që të pengonin publikimin e dy studimeve, që trajtojnë atë se si shkencëtarët e krijuan në kushte laboratorike një formë lehtë të transmetueshme të gripit të shpendëve, njofton agjencia AP.
Tani, me pëlqimin e qeverisë amerikane, një version i korrigjuar i njërit prej dokumenteve ka arritur që të publikohet.
Në dokument bëhet fjalë për tentimet që njerëzimi të arrijë t’i mbijetojë epidemisë globale të gripit të shpendëve, edhe pse, nga ana tjetër, ekzistojnë shumë të atillë që janë të shqetësuar se një gjë e tillë do të mund t’iu ndihmonte terroristëve në prodhimin e ndonjë arme biologjike.
Dokumenti i dytë, i cili pritet të publikohet në numrin e radhës të revistës ‘Science’ (Shkenca), qysh tani po shkakton edhe më tepër polemika , sepse merret me diçka që duket të jetë një virus edhe më i rrezikshëm.
Për disa ekspertë, problemi i publikimi i këtyre dokumenteve konsiston në atë sepse në plan të parë e vendosë çështjen kryesore: a është ide e mirë krijimi i versioneve të ndryshme të virusit potencialisht të rrezikshëm të gripit të shpendëve.
“Është e qartë se hulumtimet si ky mund të jenë të dobishëm” për luftimin e kësaj sëmundjeje, mendon dr. Eric Toner, nga Qendra Mjekësore për Siguri Biologjike, në Universitetin e Pitsburgut.
Mirëpo, sipas tij, paraprakisht duhet shqyrtuar përfitimet dhe rreziqet e një ndërmarrjeje të tillë.
“Në qoftë se marrim një virus tejet vdekjeprurës dhe nëse e bëjmë atë lehtësisht të transmetueshëm, kjo atëherë është një gjë serioze... Vendimet për gjëra të tilla duhet të sillen para se të bëhen hulumtimet, e jo pasi që i tërë dokumentacioni të jetë i gatshëm për publikim”, pohon dr. Toner.
Në hulumtimin në fjalë kanë marrë pjesë dy ekipe të shkencëtarëve, njëri në SHBA, e tjetri në Holandë. Ata kanë krijuar versione të virusit që rezultuan të jenë lehtësisht të transmetueshme tek qelbësit, të cilët u shfrytëzuan si zëvendësim i njerëzve. Shkencëtarët dëshiruan të zbulonin se cilat mutacione gjenetike janë përgjegjëse për përhapjen e virusit.
Këto njohuri pastaj do t’iu ndihmonin për identifikimin e sinjaleve alarmuese te viruset që jetojnë tek kafshët, dhe për të vepruar për shmangien e një pandemie eventuale - por edhe për testimin e vaksinave dhe të ilaçeve.
Revistat “Science” dhe ‘Nature’ planifikonin të publikonin njërin nga hulumtimet e përmendura. Mirëpo, qeveria federale, e cila kishte financuar hulumtimet, kërkoi nga shkencëtarët që të mos i publikonin detajet e punës së tyre.
Zyrtarëve shtetërorë janë të shqetësuar me faktin se, po qe se publikohet, dokumentacioni do të mund të shfrytëzohet nga terroristët për krijimin e armëve biologjike. Kjo gjë ka shkaktuar debate serioze në qarqet shkencore, sepse shumë ekspertë pohojnë se njohja me detaje të studimeve të tilla është qenësore për luftimin e viruseve të rrezikshme.
Që të dy ekipet ndërkohë i kanë dorëzuar versionet e korrigjuara të studimeve para komisionit amerikan për siguri biologjike, i cili, sipas marrëveshjes me përfaqësuesit zyrtarët të departamentit të shëndetësisë, është pajtuar me publikimin e dokumenteve.
Nga njëra anë, komisioni nënvizon se do të ishte e vështirë që të dhënat e publikuara të shfrytëzohen, e nga ana tjetër, shkencëtarët kanë arsye të forta për publikimin e rezultateve të hulumtimeve të tyre.
Joshihiro Kawaoka, nga Universiteti Wisconsin-Madison (SHBA), bashkë me ekipin e tij ka krijuar një hibrid njerëzor të gripit të shpendëve, dhe ka identifikuar mutacionet që kanë shkaktuar përhapjen e tij mes qelbësve nëpërmes rrugëve ajrore. Asnjë nga kafshët e infektuara nuk ka ngordhur, ndërkohë që shkencëtarët kanë ardhur në përfundimin se vaksinat ekzistuese do të mund ta mbronin njeriun nga ky virus hibrid.
Por, ata pohojnë se nuk e dinë nëse katër llojet e mutacioneve të identifikuara do të shkaktonin një përhapje më të lehtë të gripit të shpendëve në natyrë.
Por, raporti i ekipit që ka punuar në Roterdam është ai që e shqetëson më shumë komisionin, kështu që komisioni ka sugjeruar që puna e këtij ekipi të publikohet si version i shkurtuar, ose në vazhdime. Në krye të ekipit në Roterdam ishte Ron Fouchier, i cili duke bërë mutacione të vetë virusit e ka bërë atë tepër të transmetueshëm – përderisa ekipi i Kawaoka’s, vetëm i ka shtuar një pjesë të gripit të shpendëve virusit të gripit të zakonshëm njerëzor.
Biologu molekular nga Rutgers University, Richard Ebright, pohon se atë e shqetëson më pak publikimi i rezultateve të dy studimeve, e shumë më tepër fakti që qeveria amerikane i financoi ato.
“Bëhet këtu fjalë për një punë përmes së cilës krijohen kërcënime të reja biologjike. Këto viruse janë shumë të rrezikshme, ndërkohë që ato që do të vijnë më vonë (nëpërmjet hulumtimeve të mëtutjeshme) do të jenë edhe më të rrezikshme”, thekson ai.