Lojrat Olimpike 4 700 medalje ari argjendi dhe bronzi

Rreth 4 700 medalje të të tre llojeve do të banojnë në një kështjellë mbretërisht derisa t’u dorëzohen fituesve që do t’i meritojnë për gjithë jetën. Organizatorët e Lojrave Olimpike Verore në Londër këtë verë, ia kanë besuar medaljet e tyre të arta, të argjendta dhe të bronzta Kullës së famshme të Londrës.
Ajo kullë ishte baza e monarkëve anglezë dhe britanikë për 600 vjet, aty u ruajtën kurorat dhe bizhuteritë e shtrenjta si dhe aty u zhvilluan disa nga intrigat më të mëdha në historinë e njerëzimit.
Ky veprim i organizatorëve bën bashkë modernen dhe traditën, pasi sporti ndeshet aty me rojet me uniformat tradicionale dhe medaljet pushojnë në sallën e bizhuterive në kështjellën mesjetare buzë Tamizit.
Medaljet e para do të jepen më 28 korrik për garat e qitjes për femra dhe më tej do të vazhdojnë njëra pas tjetrës 805 gara. Medaljet janë farkëtuar në Uzinën Mbretërore në Uellsin e Jugut, kanë në njërën anë perëndinë greke të fitores, Nikin ose Niqin, ndërsa në faqen tjetër kanë simbolin londinez, lumin e Tamizit që rrjedh i qetë përmes logos së Londër 2012.
Shefi organizator i Lojrave, lordi Sebastian Kou, flet për medaljet. “Nuk duhet të harrojmë se fitorja e një medaljeje olimpike apo paraolimpike është diçka e rrallë, e vështirë dhe që mbetet në kujtesë, - shprehet ai, - ato u jepen shumë pak njerëzve dhe ne donim të krijonim diçka që simbolizon traditën olimpike, historinë e jashtëzakonshme të Lojrave, por edhe që ka një lidhje me këtë qytet”.
Veçse, ka pasur edhe kritika të forta për kompaninë Rio Tinto, një partner olimpik, që ka miniera në Juta të SHBA-së dhe Mongoli, miniera nga ka ardhur lënda e parë për medaljet. Kritikat kanë të bëjnë me nivelin e ndotjes në ajër dhe ujë për shkak të këtyre minierave.
Lojrat Olimpike që zhvillohen këtë verë në Londër nisin më 27 korrik me ceremoninë e hapjes dhe përfundojnë më 12 gusht.