Tirana dhe Flamurtari po pergatiten per pjesemarrjen ne Ligen e Europes

Tirana dhe Flamurtari janë duke u përgatitur për ndeshjet e para të Ligës së Europës, por fati duket se është i kundërt me ta. Bardheblutë ishin fatlumë në short, por jo në përgatitje e sipër, pasi trajneri Hulian Rubio Sançez po përballet me dëmtime dhe pezullime.
Kapiteni Elvis Sina nuk do të mundë të luajë për shkak të një dëmtimi në shpinë, ndërsa po ashtu dëmtim ka edhe mbrojtësi i qendrës, Erion Dushku. Këto dy mungesa nuk janë pak, përkundrazi, në një repart kaq nevralgjik siç është mbrojtja. Edhe Arian Pisha mbetet me probleme ndërsa veterani Dabulla nuk është pjesë e lojtarëve të grumbulluar.
Në mesfushë mungesa e ka emrin Erando Karabeci, një lojtar i talentuar që është i pezulluar për shkak të kartonit të kuq që mori vjet në ndeshjen e Ligës së Europës ndaj Spartakut të Trnavës.
Duke kaluar tek Flamurtari, shorti nuk u tregua tepër bujar, por përforcimi i skuadrës jep shpresa. Të enjten ndaj Honvedit në Vlorë, trajneri Muça do të mundë të zgjedhë në sulm ku ka Pero Pejiçin, Gerhard Prognin, por edhe Migen Memellin dhe Rafael Sozën.
Lojtarët përbëjnë një potencial të madh, ndërsa edhe shpenzimi financiar për ta është i madh. Jo vetëm kaq, por edhe kur ka probleme, Flamurtari edhe mund t’i zgjidhë. Në mbrojtje do të mungojë Rajoviç për shkak të skualifikimit që pati vjet në radhët e Vllaznisë, ndërsa në vend të tij në qendër të mbrojtjes do të luajë kroati Toni Pezo, një zgjedhje shumë e mirë dhe e garantuar.