Interi ka dëshirë të fitojë

Interi e filloi sezonin në mënyrë katastrofale nën drejtimin e trajnerit Gian Piero Gasperini, por gjërat ndryshuan shumë shpejt kur atë e zëvendësoi Claudio Ranieri.
Me ish trajnerin e Romës e Juventusit, Nerazzurrët i fituan dy ndeshje si mysafirë, ndaj Bolognas në Serie A (1:3) dhe kundër CSKA Moskës në Ligën e Kampionëve të martën mbrëma (2:3).
“Janë të shumta gjërat nga të cilat jam i kënaqur. Tri pikët, loja e shfaqur në pjesën e parë dhe reagimi ndaj presionit në pjesën e dytë. Ishte kënaqësi t’i shohësh djelmoshat me aq ngulm për fitore. Kemi disa lojtarë të rëndësishëm jashtë për shkak të lëndimeve dhe i presim. Por, kush ka luajtur deri tash, ka dhënë gjithçka”, ka deklaruar fillimisht trajneri italian për Sky Sports.
Ai beson se Interi mund të fitojë trofe këtë sezon, edhe pse pati një fillim të dobët të sezonit. “Jam i bindur se Interi e ka dëshirën për fitore, krenarinë dhe motivin për të treguar se nuk është i mbaruar. Mund ta tregojë veten në nivelin vendor dhe ndërkombëtar. Gasperini nuk kishte kohë dhe fat, po ashtu pati shumë lëndime”, vazhdoi ai.
“Receta ime? Unë vetëm i kam vendosur lojtarët në pozitat e tyre në rolet ideale. Këtu ka lojtarë të mëdhenj dhe është një skuadër që e ka vullnetin të ngrihet lart”, përfundoi Ranieri.