E Diel, 1 Nëntor 2026

Lojtarëve të skedinave do t’u kthehen gjysmat e parave që humbin

Kuvendi miratoi dje me 72 vota pro dhe 3 kundër projektligjin për lojërat e fatit, i cili përmban disa detaje ndihmëse për lojtarët e basteve. Konkretisht, të gjithë bastexhinjtë që luajnë me skedinat sportive, do të favorizohen. Një bastexhiu do t’i kthehet gjysma e shumës që ai luan në një periudhë kohe të caktuar. Për shembull, në rast se ai luan në një skedinë me ndeshje 100 mijë lekë dhe humb, atij do t’i kthehen gjysma e kësaj shume. Aktualisht, bastexhinjtë e këtij bixhozi humbin të gjithë shumën në rast se nuk fitojnë ndeshjet në skedona, por rregulli i ri detyron kompanitë që të kthejnë gjysmën e shumës që ata luajnë. Sipas ministrit të Financave, Ridvan Bode, kjo nuk është një risi, pasi kështu funksionon në vendet e Bashkimit Evropian. Ai tha dje në Kuvend se kompanitë shqiptare nuk luajnë me të gjitha rregullat dhe opsionet që ofrohen në Perëndim. “Në Shqipëri kompanitë e basteve do të paguajnë gjysmën e shumës për lojtarët”, - tha ai, duke shtuar se lojtarët shqiptarë nuk favorizohen nga mënyra e lojës. Nga ana tjetër, bastet sportive duhet të paguajnë në shtet 10 për qind të xhiros dhe duhet t’u paguajnë lojtarëve jo më pak se 50 për qind të shumës së vënë në lojë. Opozita e kundërshtoi ashpër këtë ligj dhe propozoi disa amendamente, por jo për pjesën e basteve sportive. Opozita propozoi që të rinjtë nën moshën 22 vjeç të mos lejohen në kazino. Ligji i qeverisë kishte vendosur moshën 18 vjeç. “Kushtetuta e ka përcaktuar se mosha 18 vjeç është përcaktuar si aftësi juridike për të vepruar. Tani ç’mund të themi ne? Po sikur nesër një grup të rinj ta hedhë ligjin në Gjykatën Kushtetuese? Sepse është antikushtetuese në fakt”, - tha ministri Bode. Por deklarata e tij u kundërshtua ashpër. “Zoti ministër, Kushtetuta jonë njeh edhe diskriminimin pozitiv. Pra, ne ta vendosim këtë limit në mënyrë që fëmijët tanë të mos bredhin në kazino. Pastaj, ne me ligjin e mëparshëm e kemi pasur moshën 21 vjeç dhe s’e kuptoj pse është ulur”, - tha deputeti i PS-së, Namik Dokle, por që u kundërshtua nga ministri i Arsimit, Beja, i cili tha se propozimi i Dokles “nuk është diskriminim pozitiv, por heqje të drejtash”. Sipas projektit, mijëra pika të lojërave të fatit dhe kazinotë elektronike do të mbikëqyren nga një njësi speciale e qeverisë. Kazinotë elektronike, të cilat janë tepër të përhapura, projekti parashikon që duhet të kenë më shumë se 10 makina të ndryshme. Ndryshimi favorizon kompanitë e vogla, të cilat tashmë mund të vendosin sa makina dhe ruleta të duan në sallonet e tyre. Për një sallë duhet të paguhet taksa mujore prej 400 mijë lekësh të reja, e shoqëruar edhe me 20 mijë lekë për çdo makinë lojërash me opsione të ndryshme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›