E Shtunë, 31 Tetor 2026

Intervistë me ish-dhjetoristin Albert Kushti

Është njëri nga ata... Rrugës me autobus nga Qyteti Studenti për në Pallatin e Brigadave, ku i priste ish-Presidenti Alia, në xhep futi një portokall. Nëse do të ndodhte gjë, Albert Kushtit le t’i merrnin atë... Por jo guximin, arma me të cilin studentët sfiduan regjimin më të egër komunist. Pak minuta para se të shkelnin në pallatin presidencial, dikush nga studentët lexoi vargjet e Gjergj Fishtës. Ideja e bariut të mirë funksionalizohej në mënyrë implicite te Kënga e Patër Gjonit në ”Lahutën e Malcis”, në të cilën autori vetë identifikohet me narratorin, merr përmasat e tij mbi supe, në rrugën e lirisë së kombit dhe fesë. Pikërisht kjo ide funksionon për mrekulli në personazhin e tragjedisë “Juda Mukabe”, njësoj si personazhet reale të asaj nate. Gjergj Fishta ishte bashkë me ta rrugës për tek Alia. Të gjithë ishin nga pak Juka Mukabe. Vetëflijimi i heroit. Ligjërimi dramatik i Fishtës përloti studentët. Kushtrimi në vargjet: “Qe mue tek m’kini, merreni e m’boni fli” ("Surgite mortu, Çohuni të vdekun"). Në këtë formë hyri Fishta atë natë të errët dimri rrugës për në Pallatin e Brigadave. Nuk dinin çfarë e papriture do t’i priste. Albert Kushti, atëherë student në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, dega Fizikë, me emocione tregon për “standard”, kujtimet e pathëna më parë, gjithçka që lidhet me ditët që bën historinë më të spikatur të shqiptarëve. Ai nuk e fsheh tensionin e lartë të atyre momenteve. Z. Kushti sjell ndërmend lëvizjet e shpeshta të pedagogut të Fakultetit të Mjekësisë, Sali Berisha, në Qytetin Studenti, takimet me studentët dhe porosia që u dha atyre pak çaste para se të niseshin për në takimin me Alinë. Z. Kushti është dekoruar nga Presidenti Berisha me Medaljen e Trimërisë në vitin 1993. Ai ka punuar në Komitetin e Shkencës dhe Teknologjisë deri më 1997. Më pas ka punuar si menaxher në organizata ndërkombëtare dhe aktivitet privat deri në vitin 2005 derisa erdhi PD-ja në pushtet. Z. Albert Kushti prej tre vitesh mban postin e sekretarit të përgjithshëm të kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli.

Bisedoi: Valentina Madani

Z. Kushti, ishin shumë “të ftohta” ditët e dhjetorit të ‘90-ës?

(Qesh). Janë ditë të papërsëritshme. Ishin ditë që sollën ndryshimin e madh dhe këtë ndryshim mund ta sjellë vetëm guximi i të rinjve. Mendoj se pak rëndësi ka përcaktimi i termave historikë, kur flitet për uragane idesh, për çlirim nga vargonjtë e vuajtjes dhe për etjen e madhe të një populli që për 45 vjet ëndërronte lirinë. Mund të quhet pak nga të tria, sepse ishte një fuqi dhe ideal i madh brenda mendjes të çdo të riu, që me vendosmëri nuk lanë për asnjë moment sheshin tek Qyteti Studenti dhe besuan tek vlerat e mëdha të civilizimit. Dhe kjo ishte e drejta për të qenë i lirë dhe për të shprehur atë që mendon. Duhet theksuar se studentët u ngritën për një mision historik, vendosja e sistemit pluralist, duke tejkaluar kështu problemin e dritave apo ushqimit te studenteve apo të ftohtin.

Edhe pse atmosfera jashtë Shqipërisë ishte shumë e favorshme për studentët në atë kohë, them se ishte feniksi (instinkti i ringjalljes) tek secili prej nesh që ngriti krye dhe nuk mund të kthehej prapa. Sot, pas kaq vitesh, unë e konsideroj Dhjetorin ‘90 një ngjarje të lavdishme dhe krenari për vendin, sepse studentët u bënë protagonistët e rrëzimit të diktaturës dhe simboleve të saj.

Çfarë përfaqësojnë për ju ato ditë?

Ato ditë ishin të jashtëzakonshme, që historia nuk mund t’ia përsërisë brezave të ardhshëm. Janë ditë që asnjëri prej nesh, qoftë dhe njerëzit të cilët nuk ishin aktivë të ngjarjeve, mund t’i kujtojë në mënyrë kronologjike, pa përfshirë emocione dhe mbresa të thella. Janë ditë që historia nuk mund ti rreshtojë faktet si numra apo formula algjebre, pasi ideali kishte ngritur hov mendjet dhe shpirtrat e gjithë shqiptarëve. Ndërrimi i sistemeve politike sjell emocione njerëzore të pashlyeshme, ndryshon mentalitetet dhe krijon dimensione të reja mendimi e vlerësimi për jetën. Ishte një fitore e madhe e dëshirës për liri.

Nga ana tjetër, ishin orë e ditë të tëra të kaluara më makth, frikë, por mbi të gjitha me shpresë se ndryshimi i shumëpritur me dekada, po vinte. Studentët hynë natyrshëm në këto zhvillime, pa imponime dhe dirigjime. Fakti që ata u përkrahën që në orët e para nga kalvari i gjatë i qindra mijëra qytetarëve tregoi jo vetëm mbështetjen për studentët, por mbi të gjitha për misionin e tyre për të ndryshuar rrjedhën e historisë nga izolimi tek kahja e zhvillimeve të hapura globale.

Si i kujtoni ikonat e studentëve të Dhjetorit, Azem Hajdari dhe Arben Broci?

Ata ishin vërtet ikonat e studentëve. Kishin një kurajo dhe guxim që na inkurajonte të gjithëve të mblidheshim përreth tyre. Në veçanti Azemi. Por bashkë me Arbenin ishin gati të sakrifikonin veten për idealin e tyre: për një Shqipëri të lirë në shprehje e mendime, me një sistem shumëpartiak dhe me të ardhme në Evropë.

Si u përzgjodhën studentët që do të shkonin në Pallatin e Brigadave?

Kanë kaluar 18 vite nga ajo natë. Ishte ora 18:00. Por ai takim ka mbetur i veçantë në kujtesën time. Sigurisht, ishte një takim me shumë të panjohura. Dihej rëndësia e tij. Studentët e grupuar në çdo fakultet zgjodhën përfaqësinë e tyre prej dy vetash. Unë u zgjodha nga Fakulteti i Shkencave bashkë me një shokun tim, Niko Kaçiroti (i cili sot është një matematikan i suksesshëm në SHBA). E kujtoj si sot ditën kur u mblodhëm për të caktuar studentët që do të përfaqësonin Fakultetin e Shkencave, ku shikoje fytyra të trembura, por dhe plot fytyra të guximshme dhe me shpresë.

Por me ju u bashkuan dhe pedagogët, mes tyre dhe profesori i Shkencave të Mjekësisë, Sali Berisha. Ishte një mbështetje e fortë për ju?

Sigurisht, protestës iu bashkuan pedagogë të fakulteteve të ndryshme. Mes tyre ishte dhe doktor Berisha. Një njeri energjik. Ai mbante kontakte te vazhdueshme me ne studentët, në mënyrë të veçantë me grupin që ishte caktuar për në takimin me Ramiz Alinë. Nuk është se të gjithë ishim në një mendje për kërkesat që do t’i drejtonim atij. Madje ekzistonte dhe frika se mes nesh kishte dhe “spiunë”. Duhej të bënim kujdes në çdo rast. Çdo fakultet kishte përcaktuar nga 2 studentë për takimin me Alinë. Ne nuk njihnim njëri-tjetrin. Kishim bërë takime në Qytetin Studenti. Pak para se të vinte autobusi me të cilin do të shkonim në Pallatin e Brigadave, erdhi prof. Berisha. Kërkoi t’ia paraqitnim kërkesat dhe sapo i lexoi ato, tha: “Fokusohuni te pluripartitizmi”. Kjo, sipas e tij, ishte më e rëndësishmja dhe aty duhej të përqendroheshim. Në këtë mënyrë ranë poshtë çështje të ndryshme ekonomike, por pika më e rëndësishme ishte kërkesa për pluralizëm politik.

Na tregoni diçka gjatë rrugës që u nisët drejt pallatit presidencial...

Në orën 5:30 të datës 11 dhjetor, erdhi autobusi në Qytetin Studenti. Nisja do të bëhej që aty. Ishim pak më shumë se 30 studentë. Pak a shumë kishim rënë dakord se kush duhej të fliste dhe ku duhej të përqendroheshim. Por nuk mund ta fsheh faktin se tek shumë prej nesh ishte i pranishëm ankthi, pasiguria, përgjegjësia. Nuk ishim aspak të sigurt se çfarë do të ndodhte në momentin që do shkelnim në Pallatin e Brigadave. Qeveriste ende diktatura dhe gjithçka mund të pritej prej saj. Policia kishte rrahur dhe keqtrajtuar studentët dhe strukturat në fuqi ishin të egërsuara.

Çfarë ju ka mbetur në mend gjatë atij udhëtimi ndonëse i shkurtër, por që në kthim solli ndryshimin e madh?

Kur u nisa, në xhepin e xhupit futa një portokall. Mendova se do na kontrollonin dhe isha kurioz si do të reagonin. Por ankthi dhe tensioni që kishim, pa ndrojtje mund të them se më hezitoi që ta haja. Fati e deshi që ta haja pas daljes nga Pallati i Brigadave. Por mbaj mend që në autobus njëri nga studentët po recitonte i përlotur vargjet e Gjergj Fishtës. Bisedat bëheshin të shkëputura pasi dukej qartë që na shoqëronte tensioni. Ishte Azemi ai që na jepte kurajo. Kishte besim se çdo gjë do të shkonte mirë. Mjaftonte të ishim të bashkuar dhe të gjithë në një mendje.

Ekzistonte frika për të kundërtën?

Mes nesh mund të kishte provokatorë ose që mund të lëkundeshin. Gjithçka mund të ndodhte. Ishin momente kyçe për ne dhe të ardhmen e mbarë vendit. Gjithsesi, kishim shpresë se do t’ia dilnim.

Dhe momenti kur hytë në takim me ish-Presidentin Alia, kishte shumë të panjohura?

Fakti është se në atë takim në Pallatin e Brigadave kishte dhe nga ata që ishin sekretarë rinie. Mbaj mend që për njërën nga femrat përfaqësuese flitej se e kishte kërkuar vetë Ramizi që të ishte në përfaqësinë e studentëve. Nga Qyteti Studenti ishim nisur me autobus. Sigurisht, rruga drejt atij takimi ishte mbushur me strese, me dyshime. Ishte frikë që nuk fshihej, sepse nuk dihej se si do të shkonte puna.

Çfarë ju mundoi gjatë bisedës me Alinë?

Mbaj mend që ishte problem mikrofoni. Bëhej çmos që të binte në dorë. Shumë donin të flisnin dhe kështu mikrofoni mbetej gjatë në një dorë ose në disa duar.

Me sa mbaj mend, ju keni reaguar ndaj z. Alia. Konkretisht, çfarë i thatë atij?

Takimi kishte momente tensionimi dhe nervozizmi nga të dyja palët, pasi Ramiz Alia mendonte t’i rrëshqiste kërkesës për pluralizëm politik, duke manipuluar me pluralizmin e subjekteve elektorale. Studentët dhe pedagogët e guximshëm në atë takim, si Azem Hajdari, Arben Broci e të tjerë, e hodhën poshtë kategorikisht këtë vendim të KQ-së të PPSH-së. Kërkesa e tyre e prerë ishte: pluralizëm i partive politike. Gjatë bisedës me Ramiz Alinë unë kam thënë: “President, ju mund të thoni çfarë të doni, por Shqipëria nuk i harron ato që ti ke bërë...”. Ai mblodhi buzët nga sikleti, por pas kurrizit tim, dikush më tërhoqi vëmendjen disa herë duke më thënë: “Mos i flisni shokut Ramiz në këtë mënyrë!”

Ishte ndonjëri nga ata që iu futën karrierës politike më pas?

Nuk dua të përmend emra, por them se po, ishte afër politikës së tyre. Pashë që mes nesh kishte dhe servilë dhe kjo nuk më pëlqeu aspak. Gjithsesi, biseda vazhdoi gjatë dhe studentët më në fund ia morën po-në që prisnin Ramiz Alisë, i cili mendoj se ndodhej në një situatë shumë kritike për jetën e tij.

Biseda ka pasur dhe tension apo jo?

Shumë madje. Ramiz Alia kërkonte që të diskutohej në parim drafti me nëntë pika, duke kërkuar dhe mirëkuptimin e përfaqësisë së studentëve. Por ne, shumica e përfaqësisë, në takim kërkonim që kryefjala e kërkesave duhet të ishte pluralizmi partiak, që për hir të së vërtetës, në ato ditë shumë pak persona guxonin ta artikulonin në publik

Kujtoj gjithashtu se ekzistonte frika e madhe se jashtë mureve të takimit kishte shumë pasues të diktatorit, të cilët nuk mund të duronin fillimin e rrëzimit të mitit të tij, që kishin në mendje dhe zemër për 45 vjet. Kam të fiksuar në portretin meskin dhe nervoz të Ramiz Alisë që solli bisedën dhe në tone kërcënuese. Ai na lexoi vendimin e KQ-së të PPSH-së ku thuhej se lejohej pluralizmi i subjekteve elektorale. Në këtë kontekst, lejohej edhe krijimi i shoqatës së intelektualëve të rinj dhe studentëve, pra Ramizi po na ofronte një pakt i cili e implikonte keqas idealin e pastër të studentëve. Ajo që e tronditi Alinë, ishte rrëzimi që ne i bëmë, përmbajtjen e letrës, duke kërkuar me vendosmëri si një e drejtë që duhej fituar prej nesh dhe që nuk mund të falej prej pasardhësit të diktatorit, pluralizmin e mirëfilltë partiak. Mbaj mend se ish-Presidenti u tensionua së tepërmi, kur hasi në një rezistencë të kërkesës sonë, duke u përpjekur me sforco të mbante vetëkontrollin.

Po në kthim, si u ndiet kur sollët lajmin e madh që prisnin mbarë shqiptarët?

Më së fundi, çdokush prej nesh, si një maratonomak, synonte të vraponte për të përcjellë ëndrrën e madhe që po bëhej realitet. Pluralizmi i partive politike - kjo ishte fitore historike, moment i madh. Turmat e studentëve prisnin kthimin e përfaqësisë, prisnin lajme nga Pallati i Brigadave. A kishte lajm më të bukur për ta? Mendoj se ky ka qenë kulmi i atij dhjetori. Studentët, shokët e mi, i bënë një shërbim të madh këtij vendi. Takimi në atë kohë u përjetua me emocione të veçanta, ku është e vështirë sot ta quash guxim, vrull rinor apo një lloj të veçantë mbresëlënieje. Mendoj se ka qenë përgjegjësi historike që ne t’i përcillnim atij mesazhet e mijëra shokëve tanë, mesazhin e një ëndrre dhjetëravjeçare, demokracisë. Të gjithë ne kemi qenë të vetëdijshëm për rëndësinë e madhe historike të atij takimi. Ekzistonte ngurrimi i madh, se Ramiz Alia e kishte nën survejim të gjithë ngjarjen. Nga ana tjetër, të mos harrojmë se mekanizmat e sistemit ishin në funksion të plotë.

Por unë personalisht, dhe jam i bindur dhe shokët e mi, se ideali ynë në kokë, i vetëm, kërkesat tona orientoheshin vetëm në një pikë: pluralizmi politik, rrëzimi i regjimit. Qëndresa dhe këmbëngulja e studentëve për pluralizëm politik dhe të drejta demokratike ishte shumë e fortë.

Pavarësisht lajmit të mirë, diktatura ishte sërish në pushtet. A kishit frikë prej saj pas daljes nga zyra e Ramiz Alisë?

Personalisht, gjatë muajit dhjetor të ’90-ës kam pasur dy incidente. Ka pasur momente që Sigurimi i Shtetit na ka përndjekur, sidomos ditët e mëpasme.

Në gjykimin tuaj, janë realizuar idealet e Dhjetorit?

Shqipëria po ndryshon rrënjësisht dhe kjo është ëndrra që po realizohet çdo ditë e më shumë e studentëve dhe e idealit të tyre të Dhjetorit. Por ideali nuk është një mision që përmbushet në afat të përcaktuar, ideali është mbi të gjitha mendësi që ne po e zhvillojmë në rrjedhën e viteve. Ka një energji të jashtëzakonshme për të përmirësuar jetën tek çdo shqiptar, për t’u bërë më i hapur drejt një mentaliteti evropian dhe për t’u afruar me standardet e familjes së madhe evropiane, tek e cila i kemi rrënjët. Unë dhe të gjithë shokët e mi, që morëm pjesë në ato ngjarje të përmbysjeve të mëdha sot ndihemi krenarë për guximin dhe vendosmërinë për të sjellë atë që brezat e sotëm duhet ta mbrojnë me fanatizëm, lirinë. Në emër të saj, breza të tërë u burgosën vuajtën dhe u trajtuan pa mëshirë nga regjimi i egër komunist. 18 vjet më pas ne duhet t’u themi me bindje të rinjve të sotëm: “Ia ka vlejtur çdo sakrificë e studentëve të Dhjetorit ‘90, që Shqipëria gjendet sot më pranë se kurrë në Aleancën e madhe të paqes dhe lirisë, NATO-s dhe BE-së”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›