E Shtunë, 31 Tetor 2026

Londër 2012, Koreja e Veriut në festë për medaljet e arta

LONDER - Koreja e Veriut në festë për suksesin e dy atletëve të saj, An Kum Ae në judo dhe Kim Un Guk në peshëngritje, ku të dy sportistët fituan dy medaljet e para të arta për vendin e tyre, me këtë të fundit madje që theu dhe rekordin botëror në dygarësh në peshën 62 kilogram për meshkuj. Sheshi kryesor në kryeqytetin e Pyongyang për më tepër ishte pushtuar nga qindra qytetarë, të cilët për herë të parë në historinë e këtij vendi përcollën live transmetimin e finales së judos, Ku An Kum Ae arriti të triumfojë.

Televizioni koreano-verior, KRT transmetoi për herë të parë pamje nga lojërat olimpike të Londër 2012, ku përfshiheshin dhe disa imazhe nga ceremonia hapëse e ditës së premte. Unioni i televizioneve aziatike theu rregullat e transmetimit ekskluziv që KRT të kishte mundësinë të transmetonte lojërat olimpike. Televizionit shtetëror Korean rrallë transmeton direkt evente sportive. Hera e fundit që një ngjarje sportive ishte pasqyruar live, kishte qenë në botërorin e vitit 2010, ku televizionit ju lejua që të transmetonte takimin e botërorit mes Portugalisë dhe Koresë së veriut që u fitua nga luzitanët me rezultatin 7-0.

Në momentin që sportisti i tyre An kum Ae, fitoi ndeshjen e judos, tifozët korean duartrokitën për këtë sukses por pa shprehur shenja të tjera euforie. Ko Jong Min, një qytetar I cili kishte dalë në shesh për të ndjekur këtë finale, nuk nguroi t’i jepte madje ngjyrime politike këtij suksesi të sportistit të tyre: “falë gjeneralit tonë të respektuar, Kim Jung On, ne do të kujtojmë gjithmonë 27 korrikun si ditën e fitores në luftën me Korenë e jugut, që është gjithashtu dhe dita e hapjes së lojërave olimpike. Ndërsa sot lajmi se sportistët tanë fituan medalje ari, gëzuan pa masë punëtorët tanë të palodhur. Shpresojmë që të tjerë sportistë të valëvisin me krenari flamurin koreano-verior në këto lojëra”. Shpresat e koreano-veriorëve për medalje përqendrohen kryesisht në sportet e forcës, si peshëngritja ku ata kërkojnë të fitojnë të tjera medalje.

(er.nu/supersport/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›