E Shtunë, 31 Tetor 2026

Londer 2012 audience rekord

Lojërat Olimpike të kësaj vere do të kapin shifrën rekord prej 4.8 miliardë të audiencës globale. Statistikat janë bërë të ditura nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, që zbuloi se Londër 2012 pritet të lejë mbrapa Pekin 2008, ku audienca arriti në 4.5 miliardë persona.
IOC bëri të ditur gjithashtu se Olimpiada e organizuar në kryeqytetin anglez i hapi rrugën një “epoke të re përsa i takon transmetimeve olimpike”, prej numrit rekord të orëve të transmetimit përsa i takon të gjithë evenimenteve sportive, por edhe për përhapjen në të gjithë planetin, edhe nëpërmjet internetit apo telefonave.
Imazhet e Lojërave Olimpike shpërndahen në të gjithë botën nga Shërbimi i Transmetimeve Olimpike, që në fund të Londër 2012 pritet që në ekrane të jenë transmetuar mbi 100 mijë orë pamje televizive nga 26 sportet e olimpiadës. Ndërkohë, numrat do të jenë edhe më të jashtëzakonshëm duke llogaritur edhe orët e pamjeve të transmetuara në faqet e ndryshme të internetit dhe të telefonëve celularë.
Mbulimi i gjërë dhe interesi për garat e ndryshme ka bërë që edhe vendi organizator, Britania e Madhe, të regjistrojë shifra rekord. Sipas të dhënave nga BBC, 90 për qind e popullatës kanë ndjekur nga ekrani Lojërat Olimpike, ndërsa vetëm gara e 100 metrave e fituar nga Usain Bolt u ndoq nga 20 milionë telespektatorë në këtë vend dhe nga 2 miliardë njerëz në të gjithë planetin.
Mbulimi kaq i gjerë ka kërkuar numra rekord përsa i takon stafit të specializuar dhe pajisjeve. Në qendrën Ndërkombëtare të Transmetimeve, që ndodhet në veri të Parkut Olimpik janë akomoduar mbi 5600 persona që punojnë për transmetimet, me studio që mbulojnë 52 mijë metër katrorë hapësirë dhe 560 mijë metër kabllo. Gjatë Londër 2012, evenimentet sportive filmohen në total nga njëmijë kamera.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›