E Shtunë, 31 Tetor 2026

Londër, Miliband: BE, të mirëpresë Shqipërinë



Bashkimi Evropian është i cunguar pa anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor dhe Shqipëria duhet mirëpritur në synimin e saj për të qenë pjesë e BE-së, ashtu si dhe vendet e tjera ballkanike. të Ballkanit Perëndimor. Kjo është bindja e sekretarit të Jashtëm britanik, David Miliband, sipas të cilit, anëtarësimi në BE është e ardhmja e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, në momentin që ato të jenë gati. “Ballkani Perëndimor, Turqia dhe Ukraina, që të gjithë e dëshirojnë anëtarësimin. Ne duhet t’i mirëpresim”, - theksoi Miliband i cituar dje nga e përditshmja britanike “The Times”. “Unë bëj thirrje për zgjerimin e kufijve të Evropës në Lindje, për të përhapur demokracinë, aty ku dikur ka mbretëruar diktatura”, - shtoi z.Miliband, duke iu referuar vendeve ish-komuniste, me diktatura të egra ku përfshihet Shqipëria. Sipas tij Evropa ka buxhetin e dytë më të madh të ndihmave në botë, forcat ushtarake dhe të policisë po bëjnë një punë të jashtëzakonshme, pa marrë parasysh se a bëhet fjalë për luftën kundër piraterisë në Gjirin e Adenit, apo misionit për sundimin e ligjit në Kosovë. Nga ana tjetër, z. Miliband ka sugjeruar se Bashkimi Evropian, si një organizëm me 27 shtete anëtare duhet t’i shndërrojë në prioritet marrëdhëniet e veta me Uashingtonin zyrtar, Pekinin dhe Moskën. “Europa duhet të shndërrojë në prioritet marrëdhëniet e veta me fuqitë e mëdha dhe me fuqitë që po dalin në sipërfaqe: me SHBA-në në fushën e sigurisë, me Kinën në fushën e ndryshimeve klimatike, me Rusinë në fushën e energjisë. Na duhet një Europë, e cila do të shtojë angazhimin dhe të dëshmojë se mund të jetë një partnere serioze dhe strategjike”, - nënvizoi z.Miliband. Deklaratat e Miliban, një kandidaturë potenciale për të qenë ministër i Jashtëm i BE, vijnë në prag të samitit dyditor të udhëheqësve të Bashkimit Evropian që pritet të nisë të enjten në Bruksel. Në një fjalim mbajtur dje në Londër në Institutin Ndërkombëtar për Studime Strategjike (IISS) për prioritetet Evropiane dhe Britanike, sekretari i Jashtëm Britanik, David Miliband, theksoi rëndësinë e Ballkanit Perëndimor për të ardhmen e sigurisë, stabilitetit dhe prosperitetit të BE-së. Ai tha: “Gjeografikisht, përgjegjësia jonë kryesore është ndaj Ballkanit Perendimor. Anëtarësimi evropian është i vetmi çmim i madh për të siguruar kompromis dhe reforma ndaj rivalëve historikë me interesa personale dhe pikëpamje të pandryshueshme. Pa dyshim, - shtoi Miliband, - ne i pamë në 1990-n rreziqet e neglizhimit. Hapja sot e gjyqit të Karaxhiçit në Hagë na e kujton këtë. Të gjithë, 27 vendet anëtare të BE-së e kanë bërë të qartë se anëtarësimi në BE është e ardhmja për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, kur ato të jenë gati", - deklaroi z. Miliband.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›