E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tiranë, 7 gra kërcënojnë të hidhen nga pallati

Disa gra kërcënojnë të hidhen nga një pallat në “Unazën e Re” në Tiranë. Rreth 7 gra kanë hipur në taracën e një pallati shumë katësh i cili është në ndërtim duke kërcënuar se do të hidhen prej andej. Dyshohet se shkak për marrjen e këtij vendimi është konflikti që gratë kanë me pronarin e pallatit.
 

Sipas informacioneve gratë kanë prishur shtëpitë e tyre duke ia dhënë tokën pronarit të pallatit në bazë të një marrëveshje të arritur mes tyre. Në sajë të kësaj marrëveshje me pronarin e pallatit gratë do të merrnin në këmbim të tokës, apartamente dhe dyqane por pronari është zhdukur dhe askush nuk ia njeh marrëveshjen e arritur.
 

Sipas familjarëve të grave, që ndodhen poshtë hyrjes së pallatit, problem mbetet mozbatimi i kontratës së lidhur para nisjes së pallatit me firmën e ndërtimit.

“Kemi nënshkruar kontratën me pronarin e pallatit komform të gjitha rregullave por ai thotë se nuk na njeh si pronar duke njohur vetëm pronarin e tokës. Jemi 23 familje të cilët ndodhemi në rrugë të madhe dhe nuk kemi gjetur zgjidhje" ankohen familjarët e grave. Ata kërkojnë ndërhyrjen e shtetit për të bërë të mundur zgjidhjen e konfliktit mes tyre dhe pronarit të firmës e cila ka ndërtuar pallatin.

Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar forca të shumta policie të cilat po negociojnë me gratë për t`i bindur ato të mos e marrin një vendim të tillë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›