E Diel, 1 Nëntor 2026

Në Singapor, aty ku jeta e nëndheshme gjallon njësoj

TIRANE-Ky është rrëfimi i një udhëtimi të paharrueshëm nëpër gjashtë vende të Azisë Juglindore; Singapor, Malajzi, Tailandë, Laos, Vietnam e Kamboxhia. 

Udhëtimi zgjati pak më tepër se tre muaj, nga nëntori i 2010 në shkurt 2011 dhe pati një shpenzim total prej gati 4 mijë euro, përfshirë fluturimin dhe gjithë suveniret, një shifër e konsiderueshme, por jo e pamundur. 

Imagjinoni sikur sapo keni shitur makinën, sepse Tirana është shumë e rehatshme edhe me bi-çikletë, dhe më ndiqni në anën tjetër të botës, në një nga rajonet më të frekuentuara nga turistët për çmimet e lira, plazhet mahnitëse, ushqimin e veçantë, klimën e mirë, njerëzit mikpritës dhe infrastrukturën që të lejon të bësh edhe një udhëtim krejt të pavarur pa asnjë nevojë për paketa agjencish turistike. Mënyra më direkt për të mbërritur në Azinë Juglindore nga Tirana është një fluturim drejt Singaporit, me ndalesë së pari në Stamboll.

 Një fluturim i tillë vajtje-ardhje kushton rreth 1000 euro me Turkish Airlines, por tashmë që kemi mundësinë të udhëtojmë lirshëm në BE, kushdo mund të kërkojë edhe fluturime më të lira që lidhin qytetet evropiane, për shembull me Bangkokun. Megjithatë, mos e humbni Singaporin. 

'Singapura' 

Pas një odiseje ajrore (12 orë Stamboll-Singapor) që, nëse e ke për herë të parë, nuk është edhe aq e lehtë për t'u përballuar, mbërrijmë mbi shtetin-ishull dhe teksa avioni nis të anohet në manovrat e uljes, nga dritaret sheh një hapësirë ujore të mbushur me një numër të paimagjinueshëm anijesh gjigande mallrash. Janë anije që presin të ankorohen në një nga pesë portet me më shumë trafik në botë. Ti je akoma duke parë detin, kur rrotat e avionit kanë prekur tokën, është një shtet shumë i vogël Singapori, një qytet-shtet me sipërfaqe 704 km katror, por ama qendra e katërt financiare në botë, një nga tigrat e Azisë. Në Singapor ne hyjmë pa viza, kështu që e vetmja procedurë në aeroportin modern Changi nis në fakt që në avion, kur të shpërndajnë një formular për t'u plotësuar (një praktikë kjo në gjithë Azinë). Në hollin kryesor të daljes sigurohuni të shkoni pranë zyrës së informacionit dhe të merrni një hartë të qytetit, falas. Pastaj përgatituni për surprizën, sapo dera e jashtme hapet automatikisht një afsh i pabesueshëm nxehtësie e lagësht ju përplaset në gjithë trupin. Mirë se erdhët në ekuator. Normalisht, koha më e mirë për të vizituar këto vende është nga dhjetori në shkurt, kështu që nëse jeni akoma me veshjet që jeni nisur nga Tirana, këshillohet një vrap urgjent në tualet për të dalë prej andej me mëngë e pantallona të shkurtra dhe me sandale apo shapka vere, pushimet tuaja sapo nisën. 

* * *
Metroja lidh aeroportin me qendrën e qytetit, fytyrat që sheh sapo hyn në vagon ta bëjnë menjëherë të qartë sa larg ke ikur nga shtëpia, të gjitha racat mbledhur brenda një vagoni, 'si te Star Trek' ishte batuta e parë që më erdhi. Popullsia e Singaporit (rreth 5 milionë njerëz) përbëhet nga kombësitë kineze (74%), malai (13%), indiane (10%), por ka shumë të bardhë, afrikanë e plot të tjerë pasi 37% e popullatës janë në fakt punonjës të huaj me rezidencë të përhershme ose jo. Gjëja e dytë që të bën përshtypje është bimësia, pemë të larta me kurora të gjera, me bimë zvarranike të harlisura nëpër trup, është flora tipike e ekuatorit, një pamje e re për ne mesdhetarët. 

Kujdes, ka rregull!

Dy paralajmërime për Singaporin, është vendi më i shtrenjtë që do hasim gjatë këtij udhëtimi dhe kujdeees me rregullat. Kanë një obsesion me rregullat që edhe evropianët i bën të buzëqeshin, pale ne shqiptarët, por nëse nuk doni ndonjë gjobë që t'ua prishë qejfin (dhe buxhetin) që në fillim të udhëtimit, kini mendjen. Që tek ai formulari që merr në avion, fjalia e parë është 'Welcome to Singapore', fjalia e dytë është 'dënim me vdekje për trafikantët e drogës', kështu që mos t'u shkojë mendja për asnjë konsum të këtij lloji (por do tregojmë ca histori në vendet e tjera që do vizitojmë). Duhani është gjithashtu rreptësisht i kontrolluar, jo vetëm në mjedise të mbyllura, por bëni kujdes se dhe kur jeni ulur në bare me tavolina jashtë ka shpesh tabela ku thuhet 'ndalohet duhani pranë kësaj ndërtese'. Nëpër stacionet e metrosë ka vija me ngjyra nëpër korridore që tregojnë se ku duhet të ecësh, nëpër shkallët lëvizëse udhëzohesh të qëndrosh në anën e majtë, që ata që e kanë me ngut të parakalojnë djathtas, kulmi ishte një tabelë në një lulishte ku udhëzoheshe ta merrje biçikletën përdore (shoqëruar me gjobën përkatëse). 

***
Pas gjetjes së një hosteli të lirë që e kisha piketuar në internet (SG98 quhet, 6 euro e pak shtrati) nis eksplorimi i qytetit. Më mahnit Singapori, teknologjia arrin kulmin, dëshira për të ruajtur vlerat historike gjithashtu. Arkitektura e ndërtesave dhe e mjedisit është aq e arrirë, si të kenë mbledhur arkitektët më të mirë në botë e t'u kenë thënë, mos mendoni për paratë, lëreni të lirë fantazinë. Shumica e qytetit është vërtetë e mbushur me grataciela dhe blloqe banimi si çdo qytet modern i botës së zhvilluar, por mes tyre gjen vepra pararojë të arkitekturës moderne siç është Marina Bay Sands e arkitektit hebre me famë botërore (prit ta gjej emrin në google) Moshe Safdie, apo kupolat e Esplanade me sallat e teatrit dhe koncerteve, aty pranë është edhe skulptura e Merlion, luani simbol i qytetit. Luhet shumë me dritat, ka ndërtesa të tëra që janë të veshura me ndriçim dhe sapo bie muzgu nis një shfaqje ngjyrash dhe formash që të le gojëhapur. Kulmi arrihet në zonën më atraktive, pranë oqeanit, ku është krijuar një gji rrethor artificial, i mbushur me disa nga ndërtimet më cilësore dhe qendra koncertesh e shoppingu, shoqëruara me instalacione të vazhdueshme arti. Por mes gjithë këtij moderniteti, ruhen me fanatizëm hapësirat e gjelbërta, parqe me bimësi e sipërfaqe uji ku njerëzit vrapojnë, shëtisin e meditojnë, apo kërcejnë në grup, një lloj aktiviteti që do ta ndeshim shpesh gjatë udhëtimit edhe në vendet e tjera të rajonit. 

Lagjet etnike 

Mes shumëkatësheve postmodernë dhe rrugëve me trafik konstant (por me shumë rregull dhe krejt pa zhurma borish) fshihen ca botë që dalin drejt e nga e shkuara. Del nga metroja moderne në stacionin China Town dhe menjëherë je mes një tregu aq të gjallë tezgash ku feksin rrobat me ngjyra të kuqe, të verdha e blu tipike kineze, erashka, statuja Bude, antikuare e suvenire nga më të ndryshmet, mes ndërtesash të shekujve të kaluar, të ulëta, me ngjyra të ndezura edhe këto, të restauruara në çdo detaj dhe mes tyre tempujt pagoda ku ngrihet tymi i inçenseve. Në China Town gjejmë edhe një mrekulli kulinare, një food-court (oborr ushqimi do përkthehej shqip), një qendër me dhjetëra dyqane gatimi, të vogla-të vogla dhe në mes tavolinat e përbashkëta, ushqime të lira, gatime nga më të ndryshmet sepse çdo dyqan është i specializuar në dy-tre gatime. Është shumë më lirë dhe ka shumë më tepër shumëllojshmëri se çdo restorant. Peshku dhe frutat e detit zënë vend të veçantë në kuzhinë, jo vetëm në Singapor, shijet janë krejt të ndryshme nga ato që jemi mësuar dhe nëse nuk të pëlqen pikantja, ups, atëherë kemi një problem. Më vjen shumë keq që nuk jam ekspert në njohjen e bimëve e perimeve, apo erëzave të ndryshme që ndeshëm nëpër ato vise e t'ua them me emra, di të them që në shumicën e rasteve më shijuan shumë. Ah, bëni mirë që para se të niseni të praktikoheni pak në ngrënien me shkopa. Pas lagjes kineze, radha i vjen lagjes indiane, ose 'Little India', në një zonë tjetër të qytetit. Fizionomi të tjera fytyre, aroma të tjera, ngjyra të tjera, gatime të tjera, ndryshojnë natyrisht edhe tempujt dhe arkitektura. Rrëmuja indiane nuk i është dorëzuar as një mbretërie të rregullit siç është Singapori, brenda blloqeve të kësaj lagjeje sheh deri edhe punëtorët e ngarkim-shkarkimit që flenë jashtë, në trotuare (në një vend ku temperatura rri gjithë kohën 30 gradë, pse jo). Little India preferohet shumë edhe nga turistët e rinj cantashpinas (backpacker) për çmimet e lira që ofrojnë hostelet dhe hotelet e asaj zone. Arab Street është jo larg nga Little India dhe këtu, në rrugët e ngushta që rrethojnë një xhami shumë të bukur, ndjen menjëherë aromën e duhanit të mollës që del nga nargjiletë dhe, ndryshe nga pritshmëria, baret e vegjël plot sixhade e jastëkë shumëngjyrësh frekuentoheshin nga të rinjtë më trendy të qytetit. 

Qyteti nën tokë 

Ka një Singapor mbi tokë dhe një tjetër nën tokë. Stacionet e metrove dhe qendrat tregtare (që janë aq shumë sepse Singapori është edhe një destinacion shumë i njohur për blerje) shpesh janë të lidhura mes tyre me bulevarde të nëndheshme, kështu që mund të ecësh për orë të tëra vetëm nën tokë, nga një dyqan në tjetrin (firmat e të gjitha llojeve në veshje e parfume, fjala e fundit në elektronikë), nga një kafe në tjetrën (Starbucks, Starbucks), befas të shfaqen shatërvanë, kopshte me bimë të harlisura, hapësira uji me peshq, kafene plot adoleshentë megjithë aksesorët e tyre elektronikë ultramodernë. E gjitha kjo nën tokë dhe mbi të gjitha me ajër të kondicionuar, një shpëtim nga përvëlimi ekuatorial që sundon jashtë. 

Buxheti 

Ka shumë për të parë akoma në Singapor, është ishulli Sentosa, një qendër gjigande zbavitjesh, janë klubet e natës në Clarke Quay (që edhe të ecje shëtitje në atë rrugë ishte një bukuri më vete), restorante nga më të mirët. Por unë dhe Marini (shoku im i udhëtimit) duhet të planifikojmë një buxhet edhe për tre muajt e ardhshëm, që do na çojnë shumë kilometra më tej, në vende edhe shumë më të lira se Singapori që na pëlqen aq shumë. Kur udhëton gjatë dhe me buxhet të limituar, një nga gjërat e para që mëson është që nuk mund t'i shijosh të gjitha dhe duhet kudo të dish si të kursesh, por ndjehesh me fat që ti je këtu dhe po sheh gjëra aq të ndryshme nga ato që ke parë më parë. Pas katër ditëve ku shpenzimet e mia e kaluan limitin e vendosur të 30 eurove në ditë, i hipim trenit që do të na çojë në Malaka, në bregun perëndimor të Malajzisë. Lemë pas zhvillimin e përsosur të Singaporit dhe hyjmë në Malajzinë e pasur, por edhe me kontraste, ku do qëndrojmë përreth dy javë.

Të udhëtosh i pavarur, ja çfarë ju duhet

Sa herë tregoj për udhëtimet e mia, ka miq që pyesin po si nisesh kështu, pa agjenci, si gjen hotelin, transportin?
Kur nis të udhëtosh në këtë mënyrë, kupton që nuk është e vështirë, por duhet të 'hysh në ujë që të mësosh notin'.
- Interneti është një burim i paçmuar për të nisur planifikimin e udhëtimit që nga shtëpia. Nëse zotëron anglishten dhe je i mirë në kërkim, arrin të gjesh çdo gjë, jo vetëm hotel, orare e çmime bilete transporti, por deri në imtësira (njëherë në Kuala Lumpur mu desh të gjeja një lavanderi, e gjeta në internet adresën e saktë). Në lonelyplanet. com ka një forum udhëtarësh që shkëmbejnë info për çdo vend, forumet e ndryshme të turistëve janë një thesar i vërtetë, pasi gjen shpesh këshilla të dhëna shume të vlefshme, nga njerëz që e kanë bërë atë udhëtim njësoj si ty. Seat61.com është një website super për oraret dhe çmimet e trenave, i pasur me përshkrime. Mjafton të nisësh kërkimin, gjërat dalin vetë.
- Një tjetër mjet i domosdoshëm është një libër guidë për vendin apo rajonin që po viziton, ajo është një agjenci turistike qe ti e mban në xhep, ka çdo informacion për vendin, hotelet, sipas buxheteve, transporti, vizat, rregullat, rreziqet, janë libra të shkruar duke pasur ndër mend udhëtarin e pavarur, madje kanë seksione të shumta për kulturën, historinë, artin e politikën e çdo vendi dhe bëhen një shok i vlefshëm udhëtimi. Unë kam përdorur guida të Lonely Planet dhe Rough Guide deri tani. Këto libra-guidë i gjen pothuaj në çdo aeroport ndërkombëtar, janë zakonisht në disa gjuhë, blijeni në gjuhën që zotëroni më mirë.
- Mëso të lexosh një hartë qyteti, është shumë e rëndësishme që të mos humbasësh në qytete që nuk i njeh dhe është normale që shumë njerëz kanë vështirësi kur vihen përballë një harte. Bëj prova në shtëpi, bli një hartë Tirane (ose të qytetit ku jeton) dhe provo ta zbërthesh, të gjesh në hartë vende të caktuara, derisa të ndjehesh familjar me të.
- Në çdo aeroport apo stacion treni kryesor ka zyra të informacionit turistik, ndalu pak sekonda atje, përveç një harte falas mund të marrësh edhe shumë informacione të vlefshme, gjithnjë falas.
- Fol me turistët e tjerë, shkëmbeni informacion, preferoni të qëndroni në hostele, përveç se është më lirë, keni më shumë mundësi të takoni udhëtarë të tjerë, shpesh që kanë të njëjtin itinerar si ty dhe mund të ndani pjesë udhëtimi bashkë.

Sa kohë ke

Jo gjithmonë ke kohën për një udhëtim disa mujor, por nëse mundeni bëjeni. Udhëtime të tilla, sa më gjatë aq më mirë, madje edhe sa më gjatë aq më lirë, sado paradoks të duket. Kur keni pak kohë, duhet të lëvizni më shumë që të mbuloni më shumë destinacione, transporti rrit kostot e udhëtimit, kurse kur qëndron më gjatë në një vend i kontrollon më mirë shpenzimet. Sidoqoftë, nëse keni kohë vetëm një muaj, mund të vizitoni Singaporin, nuk duhen më tepër se dy-tre ditë, pastaj tren ose autobus për në Kuala Lumpur, tre-katër ditë, më pas një javë ose pak më tepër në një nga ishujt e Tailandës (Koh Samui, Koh Lanta etj.), Bangkok për disa ditë dhe prej andej vizitoni Angkor Wat në Kamboxhia, një kompleks fantastik tempujsh. Më pas merrni avionin për në Singapor, nëse fluturimi ardhës ju niset prej andej. Në Azi ka linja ajrore mjaft të lira (si Air Asia), kështu që mund të zgjidhni fluturimin mes destinacioneve për të kursyer kohë. Për pushimet standarde dy javë, do këshilloja më mirë një paketë në një nga ishujt e Tailandës dhe ekskursione ditore që ofrohen atje nga hoteli juaj apo agjenci të ndryshme.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›