Ndalohet 19-vjeçari, i dyshuar për vjedhjen e disa lokaleve
Gjirokastër - Arrestohet një tjetër i ri, i dyshuar për vjedhje në Gjirokastër. Policia e këtij qytetit bëri të ditur se dy ditë më parë ka arrestuar Senet Goxhajn, 19 vjeç, lindur në fshatin Golen dhe banues në lagjen “Zinxhira” të qytetit Gjirokastër. Arrestimi i tij është bërë pasi dyshohet se ka shkuar për të vjedhur në lagjen “Zinxhira”, në lokalin e marrë me qira nga shtetasi I. M. Pasi ka tentuar të hyjë brenda duke hequr ristelat e dritares, është kapur nga pronari i lokalit Y. B., i cili banon në katin e dytë në banesën e vet. Nga veprimet hetimore dhe procedurale rezultoi se Goxhaj, në datën 27 janar 2009, ka vjedhur me të njëjtën mënyrë, në këtë lokal, duke vjedhur një stekë me cigare dhe një shumë prej 2 mijë lekësh të rinj në vitrinën e dyqanit. Gjithashtu, Senet Goxhaj dyshohet se është autor i vjedhjes së dyqanit në lagjen “Zinxhira” Gjirokastër, pronë e qytetares M. SH. Në këtë dyqan janë vjedhur 5 mijë lekë dhe 10 paketa cigare. Policia ka kryer veprimet hetimore dhe procedurale si dhe sekuestrimin në cilësinë e provës materiale të mjeteve të përdorura për të kryer vjedhjet.
Vjedh për një natë 3 dyqane, ndalohet i dyshuari
Tepelenë - Një adoleshent është vënë në pranga pasi akuzohet për disa vjedhje. Burime zyrtare nga Policia e Gjirokastrës bënë të ditur se është bërë prangosja e Aliosha Hasanit, 20 vjeç, nga fshati Dhëmblan, Tepelenë. Arrestimi i tij u bë pasi gjatë natës së 1 shkurtit, në fshatin Dhëmblan të Komunës Lopës të rrethit Tepelenë, janë vjedhur 3 dyqane ushqimore dhe pije alkoolike, me pronarë banorë të këtij fshati. Vjedhja e këtyre dyqaneve ishte kryer duke prerë me mjet prerës drynat e dyerve. Në vendngjarje shkoi grupi hetimor ku kreu të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe procedurale. Nga veprimet e kryera dhe provat e gjetura në vendngjarje ka rezultuar se autori i dyshuar është shtetasi Aliosha Hasani, i cili është arrestuar në flagrancë. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e këtij personi u gjetën një palë gërshërë për prerje hekuri, të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, pasi dyshohet se me këto mund të ketë prerë drynat e dyqaneve. Në dyqanin e B. M. janë vjedhur 14 steka me cigare të markave të ndryshe, 4 karta rimbushësh 1000 lekëshe si dhe një shumë prej 6600 lekësh. Në lokalin e A. M. janë vjedhur 15 steka cigare të markave të ndryshme dhe 3000 lekë. Në dyqanin e D. T. janë vjedhur disa paketa të markës “SLIMS”, si dhe 3000 lekë.
4 Shkurt 2009