Lord Bajroni, një vepër shqiptare në Nju Jork
Flora Nikolla
“Vila Diodati”, një opera e shfaqur si premierë botërore, në javën e parë të tetorit në Nju Jork (SHBA), ka pasur si protagonist-krijues edhe një herë tjetër artistin shqiptar Andis Gjoni, i cili materializoi në skenë krijimin e kompozitores amerikane Mira J. Spekter dhe poetes Colette Inez.
Ka qenë skenografi Andis Gjoni, i cili ka realizuar me sukses disa skenografi në SHBA, që ka ndërtuar skenat e kësaj vepre, pjesëmarrëse në seleksionimin zyrtar të Festivalit të Muzikaleve të Nju Jorkut 2008. Ndoshta ka qenë një rastësi që një shqiptar t’i japë jetë një vepre ku i “pranishëm” ka qenë Lordi i njohur anglez Bajron, ai që dy shekuj më parë diti aq bukur të shkruajë për Shqipërinë, veprës së të cilit jo pak vetë i referohen edhe sot.
* * *
Në fakt, në këtë operë, e kaluara dhe e tashmja ndërthuren me personazhet e shkrimtarëve Meri Shelli, Lord Bajroni dhe poetit tjetër të shquar Përsi Shelli. Spektakli ringjall tek shikuesit një përrallë goditëse të mbushur me demonë, obsesione dhe art. Shfaqja e trajtuar si një ëndërr vë përballë spektatorit, këngëtarët/aktorë, të cilët duke lëvizur mes objekteve arrijnë të zbulojnë karakteret e tyre. Gjithçka nis kur një çift amerikanësh vizitojnë vilën Diodati, e njëjta vilë ku u krijua dhe shkrua libri i famshëm “Frankenshtajn”. Këtu zë fill edhe aventura e kësaj vepre sepse pikërisht në verën e vitit 1816, kur Bajroni u largua nga Anglia ai u vendos në vilën “Diodati” pranë liqenit të Gjenevës. Aty ai zuri miqësi me poetin Përsi Bis’shi Shelli dhe me gruan e ardhshme të këtij të fundit Meri Goduin (Shelli). Atyre iu bashkua edhe thjeshtra (motra prej babai e Merit) Kler Klermont me të cilën Bajroni kishte pasur marrëdhënie në Londër dhe që këtu rilindi dashuria, duke sjellë më pas në jetë një vajzë në janar të 1817.
* * *
Të mbetur mes mureve të vilës nga një shi që nuk pushon për ditë me radhë, poetët fantazojnë mes tyre, diskutojnë ide artistike të cilat më vonë do të materializohen në libra si “Frankenshtajni” shkruar nga Meri Shelli. Ndërsa Bajroni vetë u frymëzua të shkruante këtu këngën e tretë të Çajlld Haroldit. Të mbështjellë nga një atmosferë sensuale e theksuar nga trajtimi i dekoreve, aktorët lëvizin në një sfond të madh të pikturuar që arrin të transmetojë natyrshëm tek gjithkush që e sheh ndjenjat e poetëve romantikë. Aktorët me interpretimin e tyre japin ndjesi që të fiksohen për kohë në mëndje. Në raste të caktuara si motivuese e gjithçkaje është një turiste amerikane, e cila e “sheh” ngjarjen dhe e tregon si të ishte një dëshmitare okulare. Por ajo që të bie në sy kur sheh këtë shfaqje është përzgjedhja e objekteve skenike të periudhës së shek. 19-të të selektuara me vëmendjen më të madhe nga skenografi shqiptar, duke dhënë në mënyrë të natyrshme atmosferën e kohës.
* * *
Pikë referimi për shumë spektatorë amerikanë në këtë shfaqje ishte edhe sfondi i madh i pikturuar nga Andis Gjoni në frymën e tablove të piktorit anglez të shek. XIX Tërner. Ëndrra dhe surealja ndërthureshin në konceptin skenografik duke krijuar kësisoj një atmosferë të përshtatshme dhe duke impresionuar shikuesin me elementë stilistikë të goditur. “U mundova të realizoj një ndërthurje mes hapësirës sureale të maleve zvicerane dhe aktorëve”, tha skenografi Andis Gjoni duke shtuar se, “me sfondin e pikturuar me ngjyra mistike arrita ta zgjeroj skenën, i dhashë frymëmarrje, por njëkohësisht e trajtova me tone shumë seksuale, duke theksuar frymën e dashurisë që e përshkon gjithë veprën”.