E Diel, 1 Nëntor 2026

Lordi anglez, një leksion në Shqipëri për agroturizmin

06/05/2005  Sir Richard Cooper Bt., një lord i njohur anglez, përfaqësues i lartë i aristokracisë britanike dhe ekspert i njohur i ekonomisë gjatë vizitës dyjavore në Shqipëri, ka shfaqur interes të veçantë për bujqësinë dhe sektorin e turizmit. Ideja e tij për të zhvilluar një agroturizëm, është bërë e njohur në disa rrethe biznesmenësh, të cilët përfaqësojnë sektorin e turizmit dhe të bujqësisë. “Vlerësoj se Shqipëria është një vend me resurse të lakmueshme si në bujqësi, minerale, ashtu edhe në turizëm, dhe të dy këta sektorë janë prioritarë dhe meritojnë vëmendjen e duhur nga të gjitha institucionet, vendëse dhe ato të ndihmës së huaj”, ka deklaruar Sir Richard Cooper Bt., gjatë konferencës për shtyp.

Duke folur për turizmin, Lordi anglez ka vlerësuar faktin se turizmi shqiptar ka një mjedis të virgjër, një kulturë të panjohur dhe një mikpritje të rrallë. “Këto cilësi janë të mjaftueshme për të tërhequr në këtë vend cilindo turist të huaj, i cili nuk pret të gjejë në Shqipëri komfortin e lartë perëndimor, por një përvojë të re dhe të paharrueshme. Turizmi malor, eko-turizmi, turizmi kulturor, etj., janë ende të pashfrytëzuar dhe unë i nxis operatorët turistikë që të fokusohen më shumë në turizmin hyrës, si bazë për zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit”, tha Sir Richard Cooper Bt. Por, ndërkaq, lordi i vjetër anglez i ka kujtuar politikës shqiptare se nuk është koha për të folur për arritje, por duhet të bëhen të ditur atje ku duhen nevojat. “Eshtë e domosdoshme që Shqipëria të përmirësojë komunikimin e saj ndërkombëtar dy dhe shumë palësh, për të “marketuar” së pari nevojat e saj, më shumë se sa arritjet”, tha Lordi anglez. Ndërkaq, duke folur për sektorin e bujqësisë, Sir Richard Cooper Bt., ka vlerësuar se bujqësia shqiptare vuan një parcelizim të skajshëm të tokës në ngastra të vogla. “Ajo ka nevojë për një rikonceptim të kooperimit ekonomik, ose duke aktivizuar tregun e shitblerjes së tokës, gjë që sjell kosto të mëdha morale, ose duke riaktivizuar në mjedisin e ri ekonomik forma të mëparshme të kooperimit, si kooperativat agrare”, tha gjatë konferenës Lordi anglez. Sipas tij, këto hapa kërkojnë vendime politike për t’u mbështetur dhe kjo është koha më e përshtatshme kur fermerët duhet ta thonë me forcë mendimin e tyre, për të fituar mbështetjen e grupeve politike në garë.

“Në Britani, Banka e Hipotekës Bujqësore u krijua nën presionin e qeverisë, e cila i nxiti bankat tregtare të formonin një fond për mbështetjen e prodhimit agrar me kredi të favorshme”, ka paralelizuar dy ngjarjet Lordi anglez, duke iu kujtuar fermerëve shqiptarë se, edhe në Shqipëri nevojitet menjëherë krijimi i një Banke Bujqësore, e cila do tëe favorizojë edhe tërheqjen e investitorëve të huaj në sektorin bujqësor.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›