E Diel, 1 Nëntor 2026

Nusja i refuzoi të martohesin vetëmbytet në rezervuarin e fshatit

05/05/2005  Pas dy vjet fejesë, priste prerjen e ditës së dasmës

KORÇE - Nuk i reziston dot lajmit të frikshëm që do të qarkullonte në fshat, se atë e kishte lënë nusja dhe për këtë shkak gjen shpëtim, duke u vetëflijuar, por në të njëjtën kohë duke treguar edhe ndjenjën e dashurisë që kishte patur për të fejuarën e tij, nga Skrapari.

Kandidati për dhëndër, 30-vjeçari, që kishte pritur dy vjet me radhë ditën e martesës, nuk ka ngurruar të vetëmbytet në ujërat e rezervuarit, kur ka mësuar se e fejuara e tij nuk e donte më. I zhytur në dëshpërim të plotë, ai është ndalur vetëm në rezervuarin e fshatit, ku i ka dhënë fund jetës.

Ngjarja

Ngjarja ka ndodhur në një fshat të largët të rrethit Korçë, në Panarit. Festim Demko, i fejuar që prej dy vjetësh, ka shkuar në fshatin e nuses së tij, në Backë, të rrethit Skrapar, i shoqëruar nga të afërm të tij, për të prerë ditën e martesës. Por, ndërsa krushqit e Panaritit janë nisur mjaft gazmorë, në familjen e nuses kanë gjetur një atmosferë krejt ndryshe, madje aspak në humor.

Nusja, e dashuruar për dy vjet me radhë me 30- vjeçarin, kishte ndryshuar mendje, sepse, me sa duket, kishte njohur një dashuri tjetër. Kanë qenë prindërit e nuses, ata që kanë gjetur momentin për t’u thënë njerëzve të dhëndrit se fejesa tashmë ishte prishur.

Ky ka qenë tregimi i bashkëfshatarëve të Demkos.

Vetëmbytja

Por, ndërsa njerëzit e djalit janë munduar ta presin me qetësi, nuk ka ndodhur kështu me 30- vjeçarin.

Mësohet se ai që në momentin e parë është ndjerë shumë keq dhe e ka patur të pamundur të përballojë goditjen që ka marrë nga e fejuara e tij. Kjo për më shumë se ata kishin patur një fejesë prej dy vjetësh dhe tashmë pritej vetëm martesa.

Edhe gjatë kthimit për në Panarit, Demko ka treguar vetëm dëshpërim të thellë.

“Me të mbërritur në shtëpi, kishte qëndruar vetëm një ditë gati pa folur”, kanë thënë të afërm të tij dhe më pas ka dalë nga banesa.

Vetëm kur mungesa e tij nisi të binte në sy, të afërm të tij kanë dalë për ta kërkuar, por e kanë gjetur në rezervuarin e fshatit të mbytur.

Policia

Të tmerruar nga ajo çfarë kishte ndodhur, kanë vënë në dijeni policinë e Korçës, e cila është gjendur në vendngjarje, ku grupi hetimor i ngritur për këtë rast ka kryer veprimet hetimore.

Burime të Policisë së Korçës sqaruan për gazetën “Metropol” se, “pas hetimeve paraprake është arritur në konkluzionin se 30-vjeçari kishte realizuar vetëmbytjen, pasi kishte ardhur nga e fejuara e tij, banuese në fshatin Backë, të rrethit Skrapar. Nga pyetja e dëshmitarëve, saktësuan burimet policore, dhe nga hetimet paraprake, rezultoi se ngjarja kishte ndodhur për motive të dobëta.

Ashtu siç kishin pohuar edhe familjarët e viktimës, ai nuk i kishte rezistuar dot dhimbjes, por edhe frikës së përhapjes së lajmit se Festim Demkon e kishte lënë nusja.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›