E Diel, 1 Nëntor 2026

Morati provon të buzëqeshë: Barazimi, një fatkeqësi

"Nëse do ta kishim përballuar ndeshjen me më tepër durim, ndoshta do të kishim mundur të ndërtonim diçka më shumë. Për të tjerat, më duket se u bënë vite që barazojmë në ndeshjen e parë të kampionatit, ndaj mund ta kenë bërë kastile, për të na bërë magji...". Masimo Morati, presidenti i Interit, e komentoi kështu barazimin 1-1 që Bari u lejoi zikaltërve në ndeshjen e parë të kampionatit. "Jo, nuk besoj se skuadra pati shumë fat të keq. Gabuam në një gol, por në fund do të kishim mundur të shënonim të tjerë, kështu që është i pranueshëm edhe ky rezultat i ekuilibruar. Mbase donim të fitonim pak si shpejt, kjo po", u tha Morati gazetarëve që e prisnin para zyrave të Saras, në qendër të Milanos.

Ibra dhe Eto - Në të shkuarën, ndeshje si ajo e së dielës u gjendej zgjidhje nga Zlatan Ibrahimoviç. "Shpesh, në të shkuarën, e ka bërë edhe Ronaldo dhe në të ardhmen do ta bëjë Eto, përveç Militos apo ndonjë tjetri", thotë Morati, sipas asaj që na servir siti zyrtar i klubit. Të dielën, trajneri Hoze Murinjo e revolucionarizoi skuadrën shpejt e shpejt. Interi i konsumoi shpejt këmbimet dhe e mbylli garën me katër sulmues. "Nuk mendoj se bëhet fjalë për të provuar fatin, por sipas meje pak durim të bën të jesh në gjendje për të arritur sidoqoftë te rezultati i dëshiruar", thotë Morati.

Armiqtë - Hoze Murinjo deklaroi se duke filluar që nga e diela do të flitet gjithmonë e më shumë për një Inter në vështirësi dhe se zhurma e "armiqve" do të dëgjohet mbi të gjitha. "Murinjo është tejet i zoti për të gjetur përkufizime të sakta, por gjithçka është normale: nëse skuadrat e tjera fitojnë dhe Interi jo, do të mendohet se të tjerët janë shumë më të fortë nga sa besohej. Nga skuadrat që kam parë të luajnë, mendoj se Milani ka luajtur më mirë, por futbolli kështu e ka, prandaj është e drejtë të presësh reagime për çdo rast", thotë presidenti i Interit.

Trequartista — Skuadra, sipas trajnerit, ka nevojë për një fantazist. "Tifozët duan fantazistin, madje nëse është e mundur edhe sipas shijes së tyre. Por ne kemi një trajner, të cilit i duhet të ndërtojë një skuadër sipas modelit të tij inteligjent dhe ne duhet të marrim atë lojtar që atij i duket i duhuri", thotë Morati. "Duke parë ndeshjen e së dielës nuk kuptohet nëse shërben fantazisti, sepse e ndërruam shpesh vendosjen e lojtarëve në fushë. Përtej saj që nevojitet, fantazistin duhet medoemos ta gjejmë, por është e rëndësishme të gjendet vërtet i duhuri, përndryshe do të ishte një gabim më shumë".

Derbi - Pas një jave është në program të luhet Derbi. Në këtë ndeshje, Milani paraqitet me dy pikë avantazh. "Është i jashtëzakonshëm, fantastik. Në këtë pikë kanë ardhur gjërat, ndaj do të jetë një garë e rëndësishme nga ana emocionale. Nuk do të sjellë asgjë vendimtare, por do të jetë garë e mrekullueshme".

Polemika - I paevitueshëm polemika mes Murinjos dhe trajnerit të Kombëtares italiane Marçelo Lipi, që paratha fitoren e Juves në kampionat. Parashikimi u gjykua si "mungesë respekti" nga Murinjo. Mendoj se ka qenë normal reagimi i Murinjos ndaj batutës së kryetrajnerit, e mbylli Morati. Fatkeqësisht në diskutim u futën edhe të tjerë, por besoj se mes Murinjos dhe Lipit nuk do të ketë probleme, sepse ata e vlerësojnë shumë njëri-tjetrin".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›