E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zyrtare, Sina te Tirana,sot zbret në stërvitje

Elvis Sina është zyrtarisht futbollist i Tiranës. Lajmi është konfirmuar si nga klubi, ashtu edhe nga vetë futbollisti. Tratativat mes palëve kishin filluar prej disa ditësh, por vetëm dje, rreth mesditës, është arritur një marrëveshje përfundimtare dhe është bërë edhe nënshkrimi i kontratës. Kështu që mbrojtësi 30-vjeçar tiranas do të luajë në radhët e bardhebluve për një sezon. Ndërkohë që ende nuk janë mësuar detaje të tjera të kësaj kontrate. Tashmë për Sinën bëhet fjalë për një rikthim për herë të tretë në radhët e Tiranës, me bluzën e së cilës mbrojtësi numëron 292 ndeshje dhe 8 gola të shënuar. Karriera e tij si futbollist profesionist ka nisur pikërisht te bardheblutë, në vitin 1999. Pas 7 sezonesh, 268 ndeshjesh të luajtura dhe 8 golave të shënuar, për bardheblutë, me të cilët arriti të fitonte shumë trofe dhe lavdi, ai u la i lirë nga klubi në fundin e sezonit 2005-2006. Sezoni pasardhës e pa tek Elbasani, me të cilin u aktivizua në 25 ndeshje dhe shënoi vetëm një gol. Aventura e mbrojtësit me verdheblutë përfundoi pas vetëm një sezoni, pasi në 2007-2008 Sina u rikthye te Tirana. Në këtë edicion 30-vjeçari do të zbriste në fushë plot 24 herë me ngjyrat bardheblu, por pa shënuar asnjë gol. Në fund të këtij sezoni do të vinte një largim i hidhur i Sinës nga Tirana. Ai së bashku me dy futbollistë të tjerë u përjashtua nga klubi pas finales së Kupës së Shqipërisë së humbur ndaj Vllaznisë, pasi u dyshua nga drejtuesit e skuadrës për shitje të ndeshjes. Pati oferta nga Vllaznia, por Sina zgjodhi Dinamon për sezonin e 2008-2009, me të cilën luajti 29 ndeshje. Por tashmë duket se të gjitha problemet mes tij dhe drejtuesve të klubit janë lënë pas. Rruga e tyre është bashkuar sërish për të mirën e skuadrës, e cila ka treguar probleme në repartin e mbrojtjes. Vetë futbollisti ndihet shumë i emocionuar për përfundimin e marrëveshjes. "E falënderoj shumë presidentin Refik Halili dhe drejtuesit e tjerë të klubit të Tiranës për vlerësimin që treguan ndaj meje, u shpreh Sina pas firmosjes së kontratës. Tani unë shpresoj se do të jap maksimumin tim për t‘ua shpërblyer këtë besim që më dhanë". Sot Sina pritet të zbresë në stërvitje me pjesën tjetër të ekipit.

Përveç Sinës, gjatë këtyre dy ditëve të fundit Tirana ka afruar në ekip edhe dy "ish"-ë të tjerë. Bëhet fjalë për Nevil Deden dhe Julian Ahmatajn. Dede, aktualisht në moshën 34-vjeçare, pasi ka mbyllur aventurën e tij kineze, i është bashkuar ish-skuadrës së tij. Ai vjen nga një dëmtim i rëndë në gju. Në stërvitje ka zbritur edhe Ahmataj, i cili duket ende larg formës së tij më të mirë. Ai mund të jetë i gatshëm për ekipin në javën e tretë të kampionatit.

Premtimi

"E falënderoj shumë presidentin Refik Halili dhe drejtuesit e tjerë të klubit të Tiranës për vlerësimin që treguan ndaj meje. Tani unë shpresoj se do të jap maksimumin tim për t‘ua shpërblyer këtë besim që më dhanë"

Lonçareviç

"Tirana humbi një betejë,

lufta për titull vazhdon"

Humbja e Tiranës në ndeshjen e parë sezonale ka ardhur papritur. Ajo ka befasuar edhe vetë trajnerin e bardhebluve, Ilia Lonçareviç, i cili nuk i kurseu kritikat për të tijtë. "Ishim në një ditë të keqe për Tiranën, theksoi trajneri kroat i bardhebluve. Këtu kanë ndikuar pa diskutim edhe mungesat e shumta që kemi për shkak të dëmtimeve. Por u ndëshkuam dhe për shkak të nervozizmit të disa lojtarëve në momente të caktuara. Pësuam gola për gabimet tona, sidomos në mbrojtje. Megjithatë më duhet të them se kundërshtari e meritoi plotësisht fitoren". Trajneri i bardhebluve nuk foli aspak për përgjegjësitë e veta, ndërkohë që nuk e shikon si dramatik pësimin e një humbjeje në ndeshjen e parë sezonale: "Kemi humbur vetëm ‘betejën‘ e parë. Lufta për trofeun është e gjatë dhe ne do t‘u tregojmë të gjithëve se jemi pretendentë për titull". Ndërkohë, edhe pse në deklaratat për shtyp futbollistët dhe drejtuesit e bardhebluve e kanë trajtuar me sportivitet humbjen ndaj Flamurtarit, burime pranë klubit kryeqytetas konfirmojnë se kjo disfatë po përtypet me vështirësi. Tifozët kanë kontestuar paraqitjen e skuadrës së tyre të zemrës, ndërkohë që edhe drejtuesit e lartë nuk i kanë kursyer kritikat ndaj ekipit, i cili, sipas tyre, nuk tregoi as më të voglin impenjim në një ndeshje të rëndësishme si ajo e së dielës. Tashmë skuadra ka filluar punën për ndeshjen e javës së dytë, e cila do të luhet sërish në shtëpi kundrejt Skënderbeut.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›