Ujkani "kyç" portën e Novarës, skuadra e fiton në transfertë
Sajmir Ujkani, portieri i Kombëtares kuqezi, ka bërë një debutim të suksesshëm në radhët e skuadrës së tij të re në Lega Pro (Kategorinë e tretë italiane), Novara. Dje u luajt java e parë e kësaj kategorie, dhe Novara mori një fitore të rëndësishme në transfertë kundrejt Filines me rezultatin e pastër 2-0. Skuadra e Ujkanit e nisi shumë mirë ndeshjen, pasi pas vetëm 60 sekondash nga fërshëllima e gjyqtarit për fillimin e takimit e pa veten në avantazhin e një goli, i cili mbante firmën e sulmuesit Rubino. Në minutat në vazhdim, të dyja skuadrat zhvilluan një lojë të fortë, me raste në të dyja portat. Këtu doli në pah edhe forma e mirë e portierit shqiptar, i cili ishte i pakalueshëm për kundërshtarët. Goli i sigurisë për Novarën ka ardhur në minutat fundit, pikërisht në të 85-ën nga Bertani. Kjo ishte një fitore e rëndësishme për Novarën, e cila e ka nisur shumë mirë këtë sezon, ku shikohet si pretendente. Paraqitja e portierit shqiptar Ujkani u vlerësua me notën 6.