E Shtunë, 31 Tetor 2026

Asambleja e Tiranës, Halili synon presidencën



Refik Halili, donatori i vetëm i Tiranës, mund të zgjidhet presidenti i 24-herë kampionëve të Shqipërisë. Sot në orën 19:00 në një nga ambientet e Hotel “Tirana Internacional” do do zhvillohet Asambleja e Jashtëzakonshme zgjedhore të klubit të futbollit të Tiranës, e dyta pas asaj të zhvilluar para disa muajsh, por që nuk u njoh nga Bashkia e Tiranës, që ka në varësi administrative një prej klubeve më të vjetër në Shqipëri. Presidenti i fundit i Tiranës (titull honorifik) ka qenë Bamir Topi, i vetëdorëhequr pas zgjedhjes së tij si President i Republikës. Në të vërtetë pikëpyetjet rreth kësaj asambleje vazhdojnë të shoqërojnë kampin bardheblu dhe ende është e paqartë nëse ajo do të përfshijë të gjitha palët e interesuara, përfshi dhe ata që kanë qenë kundër zhvillimit të saj muaj më parë. Gjithsesi, burime deri diku zyrtare bëjnë të ditur se asambleja në fjalë do të ketë si detyrë të saj kryesore, krahas debatimit të problemeve, zgjedhjen e presidentit dhe kryesisë së re të klubit. informacionet e para flasin për rritjen e shanseve për kryedonatorin Refik Halili që të marrë detyrën e presidentit të klubit të Tiranës, por nga ana tjetër mund të mos mungojnë as surprizat. Fakti që klubi është në dijeni të mbledhjes së organit më të lartë vendimmarrës do të thotë se janë rritur ndjeshëm shanset që këtë herë bashkia ta njohë asamblenë si të ligjshme. Ftesat për asamblenë e jashtëzakonshme kanë filluar tashmë të shpërndahen dhe pritet me interes zgjedhja e bordit drejtues të “F.K Tirana”.

31 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›