Kupa e Shqipërisë, luhen sot ndeshjet e prapambetura
Kupa e Shqipërisë kthehet sot për të përcaktuar dy skuadrat e fundit, të cilat do t‘i bashkohen 14 të kualifikuarave në turin e dytë. Në fushë do të zbresin çiftet Partizani-Ada dhe Laçi-Besëlidhja, takime të prapambetura për shkak të mungesës së fushave një javë më parë. Të kuqtë, të cilët ndodhen në Grupin B, kërkojnë lavdi në aktivitetin ku kanë triumfuar 15 herë në histori (kryeqytetasit janë skuadra që e ka fituar më shumë Kupën). Barazimi 0-0 në sfidën e parë të luajtur në Velipojë i jep shumë shanse Partizanit për kalimin e turit. Në rast se kualifikohet, skuadra e drejtuar nga Bejzade do të përballet me Teutën në 1/16-at. Në Grupin A, Laçi pret Besëlidhjen. Laçianët e drejtuar nga Nica kanë fituar 2-1 në përballjen e parë të luajtur në Lezhë (dygolësh i Marashit). Skuadra që kualifikohet nga ky çift, sipas skemës së paracaktuar, do të luajë me Besën në turin tjetër.
e. k.
e. k.