Lorik Cana këmbëngul: Mos më quani "lojtar të pistë"
Kapiteni i Sandërlendit, Lorik Cana, këmbëngul se ai nuk është lojtar i pistë, pavarësisht se mban rekordin për futbollistin që ka marrë më shumë kartonë gjatë këtij sezoni në Premiership. 26-vjeçari shqiptar është shfaqur si një prej mesfushorëve më të fortë të kampionatit anglez, që prej transferimit të tij në "Stadiumin e Dritës". Megjithatë, loja e tij e fortë e ka shndërruar Canën në "shënjestrën" e gjyqtarëve: deri më tani ai është ndëshkuar me gjashtë kartonë të verdhë dhe një të kuq në 18 ndeshje me "macet e zeza". Lojtari kuqezi i ka bërë apel arbitrave që të mos ta penalizojnë, pasi ndërhyrjet e tij nuk janë të pamatura. "Kapiteni fantastik", i cili luajti 90 minuta në barazimin 1-1 që Sandërlendi arriti me Evertonin, deklaroi: "Mundohem gjithmonë që të luaj futboll të ndershëm. Loja ime është e fortë, por e ndershme. Gjatë karrierës sime jam ndëshkuar vetëm një herë me karton të kuq, për një arsye që nuk ishte ndërhyrje apo lojë e fortë". Më tej Cana nënvijëzoi se asnjëherë nuk ka për qëllim që me ndërhyrjet e tij të dëmtojë kundërshtarët. "Unë luaj fort me topin, por ka raste kur jam pak me vonesë ose përdor më shumë forcë nga sa duhet; ky është futbolli. Gjithsesi, nuk jam djalë i keq dhe një lojtar që tenton të dëmtojë kundërshtarin. Problemi është se në disa raste gjyqtarët të ndëshkojnë që në ndërhyrjen e parë dhe kjo nuk më duket e drejtë", përfundoi ai.
e. k.