Vllaznia, kontakte me Memushin
Emri i trajnerit të ardhshëm të Vllaznisë, i cili do të zërë vendin e mbetur bosh pas shkarkimit të Roland Luçit, duket se do të mbetet enigmë edhe për pak kohë. Lëvizjet e drejtuesve kuqeblu në këtë drejtim nuk mungojnë, por megjithatë për momentin asgjë nuk është e qartë. Burime të besueshme pranë klubit pohuan se po zhvillohen tratativa mes klubit shkodran dhe ish-trajnerit të Flamurtarit, Eqerem Memushi. Këtë e ka konfirmuar edhe vetë ish-tekniku i vlonjatëve. "Po, është e vërtetë, nënvizoi Memushi. Kam pasur kontakte me përfaqësues të klubit të Vllaznisë, por për momentin nuk është vendosur asgjë konkrete". Memushi nuk është kandidatura e vetme për të marrë timonin e kuqebluve. Përveç tij, ndër më të kuotuarit është edhe Edi Martini, ish-futbollisti i Vllaznisë, Luftëtarit dhe ish-trajneri i Laçit, të cilin e ngjiti në Kategorinë Superiore në sezonin e fundit. Por përflitet gjithashtu edhe emri i Esad Karishikut, ish-teknikut të dorëhequr pak javë më parë nga Apolonia.
A. M