Lorik Cana, luftë me Kjuëll për numrin 19
Lorik Cana ka filluar stërvitjen me Gallatasarain, por më tepër sesa për paraqitjet në ndeshjet miqësore, mesfushori shqiptar është vënë në qendër të vëmendjes për numrin e fanellës. 27-vjeçari kuqezi kërkon të mbajë numrin 19, me të cilin ka luajtur te PSG, Olimpik Marseja, e së fundmi edhe te Sandërlendi në Premiership. Por, momentalisht ky numër i përket idhullit të tifozëve të skuadrës nga Stambolli, Herri Kjuëll, lojtarit të përfaqësueses australiane dhe ish-lojtar i Liverpulit. Cana po shqyrton të gjitha mundësitë, madje duke komunikuar edhe me drejtuesit e Gallatasarait, për të pasur në shpinë 19-ën. “Isha 19-vjeç kur luajta ndeshjen e parë si profesionist me PSG-në dhe gjithmonë kam mbajtur këtë numër”, shpjegoi Cana. “Për më tepër kam edhe arsye fetare, pasi numri 19 cilësohet si mrekullia matematike e Kur’an-it në përdorimin e fjalës ‘Zot’. Kjo figurë ka shumë rëndësi për mua, e prandaj nuk dua ta ndryshoj”.
#