E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lorik Cana, “luftëtari” i dashuruar

"Unë jam një person i thjeshtë, dhe dua të mbetem kështu". Lorik Cana, është shndërruar në një idhull të tifozerisë kuqezi, qysh kur luajti ndeshjen e parë ndërkombëtare me Shqipërinë, në qershor të vitit 2003. Loriku, djaloshi nga Gjakova, djali i në futbollisti të famshëm të "Gjeneratës së artë" të FK Prishtina të viteve 1980, Agim Cana, është i ftuari special i gazetës "Albania". "Lideri" shpirtëror i Kombëtares (një përcaktim i trajnerit Oto Baric) ishte në Tiranë së bashku me të fejuarën e tij, arkitekten e re 23-vjecare, Hana Nanci, "fshehtas" medias së shkruar, aparateve fotografikë dhe kamerave të televizioneve, por jo larg vëmendjes së posacme të "Albania"-s, për të cilën "ylli" i Kombëtares, në prani edhe të miqve të tij të ngushtë, pranoi të rrëfehej në barin "Pirro" të Hotelit "Rogner Europapark" në kryeqytet.
Lorik Cana, nënkampion me Olimpikun e Marsejës në Francë, finalist i Kupës së Francës, lojtari më vlerën më të shtrenjtë në tregun futbollistik (10 milionë euro), kontratë e pasur me skuadrën më të dashur për francezët (180 mijë euro pagë mujore), lojtari më i mirë i sezonit për formacionin e Olimpikut të Marsejës i votuar nga ultrasit pas sezonit të shkëlqyer (33 ndeshje, 2 gola). Loriku zhvilloi një sezon të shkëlqyer, me një paraqitje konstante në të gjitha ndeshjet duke fituar një status të ri të liderit në fushë. Fizikisht impresionues, Cana është një nga rikuperuesit më të mirë në kampionatin francez, madje i zgjedhur për herë të parë dhe në formacionin ideal "Top-11" të Ligës së Parë franceze. "Luftëtari", sic thirret ai në median sportive franceze, konsiderohet si një element i domosdoshëm i Olimpikut të Marsejës. "Në të gjitha rastet, ai është një lojtar që jep gjithcka për Olimpikun e Marsejës, dhe ne na duhet ta falënderojmë me gjithë zëmër"- shkruan lephoceen.fr. Para dy ditësh edhe befasia më e fundit. "Football.fr", e cila ka zhvilloi një anketë, me specialistë francezë, në lidhje me lojtarët më të mirë të botës, e përshtatur me pozicionin që luajnë, e përzgjodhi Lorik Canën si mesfushorin e dytë difensiv në botë, pas lojtarit të Milanit, Andrea Pirlo, duke lënë pas Diarra të Real Madridit, Makelelen e Celsit dhe Fabregas të Arsenalit. Te Paris Sën Zhermeni ende qajnë që lejuan të largohet djaloshi i ri, sot një nga personazhet më të mediatuar në Francë.

Lorik, 2007-ta duket se është një supervit për ju, nënkampion i Francë dhe pjesëmarrje direkt në Ligën e Kampioneve, një ëndërr e juaja për ta realizuar me Marsejën.
- Sukseset janë të shumta, por sezoni nuk ka qenë aspak i lehtë, madje do ta konsideroja të vështirë nga shumë këndvështrime. Ka qenë një sfidë e madhe për të gjithë ekipin e Marsejës, pasi kaluam një sezon me dy pamje, një lloj piramide e dyfishtë. Një fillim i mirë në kampionatin francez, një vazhdim i keq dhe një fund i jashtëzakonshëm. Gjatë kampionatit patëm disa momente të vështira, pasi disa nga lojtarët kryesorë pësuan dëmtime disa javore, si Riberi apo Sise. Megjithatë, arritja e objektivit të vendit të dytë në kampionat pas Olimpikut të Lionit dhe një vend në Ligën e Kampioneve përkrah klubeve më të mëdha europiane është një sukses i madh për ne, cka na bëri shumë të lumtur në përfundim të sezonit, për të kryer edhe pushime të qeta.
Gjithsesi finalja e humbur e Kupës, besoj se ende ju dhemb?
- Ajo mbetet një pikë e zezë, pasi e humbëm Kupën e Francës, që do të ishte e dyta e imja me penallti, kur tri minuta përpara përfundimit të shtesave, kundërshtari ynë (Sedani) barazoi takimin (2-2) për ta fituar atë më pas me gjuajtjet e penalltive, ku ne gabuam (Cana realizoi). Megjithatë, e përgjithshmja mund të përmblidhet me një fjali: Jam shumë i kënaqur. Do të mundohemi që dhe vitin e ardhshëm të bëjmë një sezon të tillë.
Për herë të parë Ligën e Kampioneve e përjetove si lojtari i Paris Sën Zhermenit, para tre sezoneve, në vitin 2004, tani do ta përjetoni sërish në radhët e Olimpikut të Marsejës. A ndjen ndonjë ndryshim Loriku 23-vjecar i Marsejës me Lorikun 21-vjecar të PSG-së?
Pa dyshim. Ka shumë gjëra që i shoh dhe i vlerësoj ndryshe, përfshirë edhe performancën time të tri viteve më parë, që nuk mund të krahasohet me këtë që gëzoj aktualisht. Në Ligën e Kampioneve 2004-2005 ne ishim në një grup (H) me Celsin, CSKA-në e Moskës dhe Porton. E filluam sfidën shumë keq kur humbëm ndeshjen e parë 3-0 në Paris me Celsin, që ishte në sezonin e tij të parë me Mourinjon. Pas humbjes së ndeshjes së dytë, me CSKA e Moskës në transfertë (2-0), fituam në ndeshjen e dytë në shtëpi fituam 2-0 kundër Portos, me të cilën barazuam (0-0) dhe në Porto. Barazuam në "Stamford Bride" me Celsin (0-0) dhe ishim në vendin e dytë përpara ndeshjes së fundit, por humbëm në Paris 3-1 me CSKA e Moskës dhe nuk mundëm të kualifikoheshim për në fazën e dytë. Unë luajta në të gjashta takimet. Mbetet një eksperiencë e bukur.
Si e shihnin aventurën me Marsejën në sezonin e ri të Champions?
Për Ligën e tanishme të Kampioneve, për atë që nis në shtator, do të përpiqemi të bëjmë më të mirën, duke parë se gëzojmë edhe një nga mbështetjet më të fuqishme në Francë, por dhë në raport me klubet më të mëdha europiane. Dua ta përjetoj Ligën e Kampioneve në mënyrën më të bukur, pasi e kam pasur ëndërr ta luaja në radhët e Marsejës. E pres me padurim ballafaqimin me disa nga ekipet më të forta dhe shpresoj se ekipi ynë do të bëj ndeshje interesante. Unë besoj se do ta kalojmë fazën e grupeve. Do të mundohemi të tregojmë vlerat tona, forcën e ekipit duke u kualifikuar së pari në 16 më të mirat e kontinentit, pavarësisht se nuk kemi për momentin nuk e kemi vendosur se me cilin objektiv do të ishim të kënaqur.
U përfshitë në skuadrën ideale të kampionatit francez, apo në "Top-11" sic u etiketua ajo në mediat franceze. Një sukses individual
- Është vërtet një kënaqësi. Një arritje personale të momentit, kështu mund ta konsideroja tani, pasi bëhet fjalë për një kampionat që ka përfunduar dhe një tjetër do të nisë pas disa javësh. Synimi im është që ta arrij cdo vit
Lorik, le të kthehemi te Kombëtarja, te dashuria e madhe e të gjithë shqiptarëve. Katër ndeshje të suksesshme me Kombëtaren shqiptare në kualifikueset e Euro 2008 dhe me tre ekipe të lëna pas: Bjellorusinë, Slloveninë dhe Luksemburgut, me të cilën fituam dhe dy ndeshjet e fundit direkt. Më 12 shtator presim Holandën, një sfidë e vështirë. Në takimin e parë në Amsterdam munguat për shkak të pezullimit. Si po përgatitet kuqeziu Cana për sfidën me "portokallinjtë" e Marko Van Bastenit.
- Mosaktivizimi im në Holandë e vlerësoj një humbje të madhe personale por dhe me ndikim direkt per ekipin tonë. Takimet kundër më një ekip të madh si Holanda janë një vitrinë për kombin tonë dhe futbollin shqiptar. Dy fitoret e me Luksemburgun u dhanë kënaqësi të gjithëve. Unë mendoj se nëse do t' përfundojmë ndeshjet në grup në vendin e katërt, do të ishte një arritje e madhe për kombin tonë. Megjithatë kemi përballja të vështira në takimet e ardhshme. Holanda dihet kush është, por unë jam i bindur se ne nuk duhet të kemi frikë. Në Shqipëri në duhet të luftojmë edhe për fitore kundër Holandës. Kemi një mbështetje të jashtëzakonshme nga tifozët tanë, nga kudo qofshin ata. Të gjitha ndeshjet e Kombëtares janë një festë për të gjithë, dhe ne duhet t'u ofrojmë atyre ndeshje të jashtëzakonshme dhe spektakël.
Ndeshja juaj e parë ndërkombëtare ka qenë ajo më Zvicrën (3-2), më 11 qershor 2003, i thirrur nga trajneri gjerman Hans Peter Brigel, ndërsa e fundit për momentin është ajo kundër Luksemburgut (0-3) më 6 qershor 2007 nën drejtimin e kroatit Oto Baric. Në vlerësimin e Lorik Canës, cilat jane per trajnerët të përbashkëtat dhe ndryshimet midis tyre?
- Ka shumë ndryshim pa asnjë dyshim. I pari, Brigeli i përket shkollës gjermane të futbollit, ndërsa Baric është produkt i shkollës jugosllave. Brigeli ka pasur disa gjëra plus, pasi ka përcjellë frymën e Kombëtares gjermane, duke qenë shumë fleksibël në punën me lojtarët. Brigeli ishte një individ shumë i mirë. Natyrishëm që ka pasur edhe ndonjë gjë mangut, askush nuk është përfekt. Baric është një trajner me shumë përvojë dhe është shumë i mencur. Di të marrë maksimumin nga lojtarët e tij dhe nga grupi që ka. Është një trajner që ka sjellë gjëra të reja. Por gjithsesi, matës janë rezultatet. Ato në futboll flasin për shumë gjëra dhe përcakton në një farë mënyrë në opinionin e përgjithshëm edhe nivelin e trajnerit.
Jeni shprehur në media se lënia jashtë e ish-kapitenit të Kombëtares Igli Tare dhe zëvendësit të tij, Besnik Hasi, mund edhe të evitoheshin edhe për një farë kohe.
- Këto janë vendime që janë marrë nga trajneri dhe natyrshëm që sollën edhe debate. Unë dua të them se me Besnikun dhe Iglin kam kaluar shumë mirë dhe se janë dy nga miqtë e mi shumë të mirë. Për mua janë dy lojtarë që kanë dhënë kontributin e tyre në ekipin Kombëtar: Besniku tetë vjet, Igli më shumë. Igli Tare është një nga figurat e mëdha të futbollit shqiptar. Megjithatë, duhet respektuar vendimet e trajnerit, pasi ai është dhe drejtuesi i ekipit Kombëtar.
Pushimet e tua nisën në Kosovë me Gjakovën dhe Prishtinën dhe përfunduan Shqipëri me Dhermiun e Tiranën. Një intinerar i cili po përsëritet vitet e fundit.
- Në Kosovë kalova shumë mirë. Takova njerëz të familjes sime, por dhe persona që i dua, tifozë që vazhdimisht më mbështesin për cdo gjë në Gjakovë dhe Prishtinë. Edhe në Shqipëri kam shumë miq jashtë futbollit. Dhërmiu është një nga plazhet më të bukura dhe dëshiroja ta shfrytëzoja në maksimum kohën që kisha në dispozicion përpara se të nisja me Marsejën fazën përgatitore.
Si e përjeton famën Lorik Cana. Në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe në Marsejë je idhulli i tifozëve. Sa ndikon ajo te ty?
- Jo pak. Por, nëse është e lehtë ta arrisësh është e vështirë ta mbash atë, si në aspektin e lojës së futbollit ashtu dhe në jetë. Unë jam një person i thjeshtë, i cili dëshiron dhe nuk i shmang marrëdhëniet me njezit. Dua të mbetem kështu gjithmonë dhe mendoj se kjo është gjëja kryesore.
Intervistoi: Dash Frashëri
Skeda
Lorik Cana
Datëlindja: 27.07.1983
Vendlindja: Gjakovë
Gjatësia:186 cm
Pesha: 86 kg
Roli: Meshushor
Kombësia: Shiptare
Nënshtesia: Shqiptare, franceze dhe zvicerane
Karriera
- Lausanne Sports
- Paris Saint-Germain (2000-2005)
- Olimpik i Marsejës (nga 2005-2012)
Ndeshjet
- Liga 1 franceze: 130 ndeshje, 5 gola
- Ndeshje më Kombëtaren Shqiptare: 27 ndeshje/1 gol
Arritjet
- Fitues i Kupës së Francës me Paris SG,2004
- Nënkampion i Francës, PSG (2004), OM (2007)
- Finalist i Kupës së Francës me O.Marsejës në vitin 2006 dhe 2007
- Top-11 i kampionatit francez 2006-2007
- Futbollisti shqiptar i viti 2004, 2005, 2007
- Liga e Kampioneve, 2004-2005, 2007-2008
TE VECANTAT
Mik me yje
"Përvec dy lojtarëve të mëdhenj si Xhibril Sise dhe Frenk Riberi i cili tani ka kaluar te Bajerni i Munihut njoh shumë lojtarë të tjerë, si Gabriel Heince që luan për Mancester Junaitid, Pauletën e Paris Sën Zhermenit apo Ronaldinjon e Barcelonës, të cilin e kam takuar shumë herë pasi dhe jemi aktivizuar bashkë te PSG".
Ambasador i PNUD-it
Cana luajti në muajin maj përkrah emrave të mëdhenj si Zidan, Ronaldo, Rivaldo në ndeshjen e Bamirësisë të zhilluar në "Velodrome" të Marsejës. "Si shqiptari i vetëm në atë takim, ishte një kënaqësi e madhe për mua dhe për shqiptarët kudo në botë. Kjo ishte edhe pjesë e punës si ambasador i PNUD"
Dy tatuazhet
Atëherë 20-vjecar, djaloshi Lorik Cana, në sezonin e tretë si profesionist te Paris Sën Zhermeni, "gdhendi" si tatuazh një shqiponjë në krahun e majtë. "Prej shtatë muajsh kam edhe një tatuazh të dytë, një përkrenare ilire dhe simbolizon mbretërinë dardane dhe e shkruajtur Dardania"- thotë me krenari Loriku.

Manekin i Bikkembergs
Bukuria mashkullore e Lorikut (186 cm) dhe performanca e tij te Marseja tërhoqën vëmendjen e botës së modës. Mesfushori i Olimpikut të Marsejës, ashtu Fabrizio Ravanelli apo Ludovik Zhyli pozon për markës së njohur belge të veshjeve Bikkembergs, që njihet për vlerat dhe kualitetin e produkteve të saj.

Nje permbledhje te videove te Canes do te mund te gjeni ne
www.albavideo.tk

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›