E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skënderbeu, ku kanë gabuar historianët

 

Alma Mile

Ku mbaron historia e ku fillon legjenda?! Ku përfundon argumenti e ku nis subjektivizmi.. U bënë shekuj tanimë që këto pyetje ende nuk kanë marrë ende përgjigje, kur bëhet fjalë për figurën e heroit kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu. Pas debatit që shkaktoi botimi i librit të Oliver J. Schmitt për Skënderbeun, dy studiuesit Qamil Alushi dhe Mexhit Demiri e panë të udhës që studimit të tyre shumë vjeçar t'i shtonin edhe një kapitull të veçantë, si përgjigje ndaj librit të historianit austro-zviceran. "Skënderbeu, nga M. Barleti tek O. Schmitt" është libri më i fundit studimor, botim i shtëpisë botuese "Naim", që rimerr çështjen e Skënderbeut. Dy autorët, njohës arkivash, rimarrin dhe analizojnë veprat kryesore, që janë shkruar për heroin dhe duke i përballur me dokumente e burime të rëndësishme nxjerrin në pah të metat e secilit. Ata marrin në shqyrtim kryesisht veprën e Fan Nolit, Kristo Frashërit e Oliver Schmiditt, duke i vënë përballë veprat e Marin Barletit, Dhimitër Frangut e autorë të tjerë, të huaj, bashkëkohës e më të vonë të Skënderbeut. Në libër trajtohen kryesisht ato çështje, të cilat janë vënë më shumë në pikëpyetje mbi figurën e Gjergj Kastriotit. Një ndër këto tema është ajo e prejardhjes së tij fisnike, shqiptare, vendi i lindjes, marrja peng qysh në vogëli, shkollimi në Turqi, ndërrimi i fesë, etj. Së pari në libër, merret në shqyrtim vepra e Fan Nolit, e botuar fillimisht në vitin 1921 e më pas e plotësuar në vitin 1947. Sipas autorëve, Noli në veprën e tij i referohet më së shumti burimeve dytësore, historianëve të dorës së dytë, madje që janë akuzuar për shtrembërime të së vërtetës. Ai i referohet më së shumti autorëve si Spondano, Biemm, Voigt, Gibbon, që hyjnë në radhën e atyre historianëve, që e shohin me dyshim figurën e Skënderbeut, ndërsa thuajse shpërfill autorët gati bashkëkohës të heroit, si Barleti, Frëngu dhe Bardhi, të cilëve u ka kushtuar edhe një kapitull më vete të titulluar "Trillime legjendare", ku vë në dyshim veprat e tyre dhe shumë autorëve të tjerë të huaj. Duket se Noli ka qenë shumë më i "përmbajtur" në trajtimin e figurës së Skënderbeut, madje edhe shumë dyshues. I kundërvihen historianëve Kristo Frashëri dhe Oliver Schmitt, duke eliminuar mundësinë që Gjergj Kastrioti ka lindur në Dibër, madje në një fshat të quajtur Sinë. Duke iu referuar burimeve, vendlindja e Skënderbeut afrohet më shumë me Krujën, ndërsa origjina me Matin, duke iu larguar Dibrës një kufiri të "brishtë", i cili mund të banohej nga popullsi e përzier, shqiptare e serbe. Ashtu si edhe historiani Kristo Frashëri, Fan Noli vë në dyshim edhe faktin që Gjergj Kastrioti është marrë peng në oborrin e Sulltanit në moshë fare të re. Sipas tyre, ai është larguar drejt Turqisë në një moshë madhore, madje ndonjëherë vihet në dyshim fakti që ai të jetë shkolluar në këtë oborr. Përveçse i referohen Barletit, autorët marrin si "dëshmitarë" enciklopedistin italian Raffaele Maffei Volaterrano, humanistin Francesco Filefi, i cili në vitin 1463, kur Skënderbeu ishte gjallë, në një letër dërguar doxhit të Venedikut, Ludvig Maurit thotë se: "Skënderi është një luftëtar i madh dhe i stërvitur shumë kohë pranë turqve, se i ati e pat dërguar si peng pranë tyre që fëmijë". Këtë e fakt e mbështet edhe kronisti turk Kemal Pashë Zade, i cili e përmend këtë fakt në veprën e tij "Tevarhi al-i Osman", kronistët Ashik Pash-Zade dhe Mehmet Neshriu. Kur vjen çështja për të hedhur poshtë pretendimin e Nolit sipas të cilit kastriotët i përkisnin "aristokracisë së ulët", madje ishin "fshatarë", sipas dëshmive të Gjon Muzakës (kundërshtar i Skënderbeut", autorët nuk e kanë shumë të vështirë. Burimet që dëshmojnë se kastriotët kishin shumë zotërime, se ishin zotur të Krujës, etj., janë të shumta, duke filluar që nga burimet italiane, dhe kronikat turke, sipas të cilëve dëshmohen marrëdhëniet tregtare mes kastriotëve dhe Raguzës, Venedikut, vetë Perandorisë Osmane, etj.
Ca më gjatë janë ndalur në tezat e Schmitt-it, i cili sipas tyre nuk sjell asgjë të re, asnjë argument dhe asnjë dokument të rëndësishëm. E para është ajo e prejardhjes, sipas së cilës Skënderbeu kishte origjinë serbe. Duke iu referuar të njëjtit dokument si edhe Shmitt, ata dalin në përfundimin se përkthimi i Schmitt është i gabuar dhe se Gjon Muzaka në kujtimet e tij, nuk e përmend asgjëkund fjalën "natyrë serbe". Ndërsa nuk ngrenë ndonjë peshë argumentet emërore, sipas të cilit i ati i Skënderbeut ishte Ivan, apo prejardhja sllave e Vojsavës, nënë së Gjergjit, duke qenë se për të përcaktuar origjinën merret gjithnjë në referencë linja e babait. Tjetër tezë është ajo e nisjes së luftës për shkak të hakmarrjes. Schmitt i referohet një dokumenti sipas të cilit thuhet se Skënderbeu nisi luftën me oborrin, pasi sulltani i kishte vrarë të atin. Duke iu referuar disa burimeve të kohës, duke filluar që nga Papa Piu II, i cili thotë se "Në këtë tokë qe i fuqishëm Gjon Kastrioti, i cili..qe lindur prej princërish të krishterë...vdiq nga një sëmundje". Për të vijuar me Volaterrano dhe historianë të mëvonshëm që pohojnë se Gjon Kastrioti ka vdekur nga një vdekje natyrale, që e rrëzon kategorikisht arsyen e hakmarrjes për vrasjen e tij. Teza e hakmarrjes ishte një nga çështjet që ngjalli debatet më të mëdha rreth figurës së Skënderbeut, duke hedhur hije të forta dyshimi mbi qëllimin e luftës së tij 25-vjeçare. Në librin e tyre autorët Qamil Alushi dhe Mexhit Demiri marrin në shqyrtim edhe çështje të tjera, si marrëdhëniet me vendet e Adriatikut, luftërat dhe fitoret e tij ndaj turqve. 

Përkthimi i gabuar i Schmitt

Teza që ngjalli më shumë debate në librin "Skënderbeu" të Schmitt-it ishte origjina serbe e Skënderbeut. Ai i referohej kujtimeve të Gjon Muzakës, por sipas autorëve, përkthimi i tij është i gabuar. "Joan Muzaki, thotë autori, e përshkruante Skënderbeun si burrë me "natyrë serbe": "Skenderbeg huomo valente e per natura serviano..". Përkthimi që i është bërë këtij shënimi është i pasaktë. "per natura serviano" nuk do të thotë "me natyrë serbe". Serviano ka prejardhjen nga latinishtja servil-servius, term që gjendet, përdoret për perandorin romak Servio Tulio, të cilin e dëboi populli romak, për shkak të egërsisë, brutalitetit të tij... Gjon Muzaka, në të vetmen trajtesë që ka shkruar, të titulluar "Memorie", nuk ka asnjë rresht ku thotë se Skënderbeu ishte me "natyrë serbe", se kishte virtyte të "kombit serb".

Libri
"Skënderbeu, nga M. Barleti tek O. Scmitt" me autor Qamil Alushin dhe Mexhit Demirin, është një botim i shtëpisë botuese "Naim". Në 340 faqet e tij ofrohen teza e kundërteza. Libri shoqërohet edhe me një pasthënie prej 20 faqesh të studiuesit Shaban Sinani, ku trajtohet Skënderbeu si protagonist i periudhës së Rilindjes.

Vula
Në librin "Skënderbeu, nga M. Barleti tek O. Scmitt", botohen për herë të parë edhe disa faksimile, letërkëmbimesh, formulës së pagëzimit, por edhe pamja e vulës së thatë të Skënderbeut. Pavarësisht kohës, aty lexohet emri i plotë i Gjergj Kastriot Skënderbeut, duke hedhur poshtë pretendimet e Gjon Muzakës, së mbështetur më vonë nga Fan Noli, se Skënderbeu nderoi "llagapin atëror". Të kundërtën dëshmon vula e tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›