"Lorna", e Arta Dobroshit, vjen në Tiranë
Më në fund do të shfaqet edhe në Tiranë. Pas një rrugëtimi në kinematë më të njohura të botës, "Heshtja e Lornës" vjen edhe për publikun shqiptar. Historia shqiptare e vëllezërve belg, Dardenne, e ktheu në personazh dite aktoren kosovare, Arta Dobroshi, e para që shkeli në tapetin e kuq të Kanës. Filmi vjen si një projeksion special në kuadër të "Tirana International Film Festival". Edicioni i gjashtë i festivalit të filmave me metrazh të shkurtër do të çelë siparin më datën 1 dhjetor e do të mbyllet më datën 7. "Heshtja e Lornës" do të shfaqet mbrëmjen e së martës (2 dhjetor), ora 20:30, në kinemanë "Imperial". E pranishme do të jetë dhe Dobroshi, e cila mbërrin në Tiranë mbrëmjen e së hënës. Nën petkat e një vajze që kërkon me çdo kusht të arrijë ëndrrat, që pranon kompromise, që përfundon deri dhe në kthetrat e mafies, Arta ftohet të ndajë me publikun shqiptar këtë eksperiencë të saj. Por jo vetëm atë të Lornës. Vetëm pak muaj pas suksesit të Kanës, Dobroshi po përjeton një ëndërr të sajën. E "përkëdhelura" e fatit i ka të mbushura ditët me ndalesa në festivale të ndryshme në të gjithë botën, me intervista, pyetje kureshtare dhe ftesa për role të reja. Selektuesi i filmave në konkurrim, Tomas Logoreci, skenaristi me origjinë shqiptare, e quan të rëndësishëm projektimin për herë të parë të këtij filmi të suksesshëm në Tiranë. Për më tepër që jo vetëm protagonistja, por historia është shqiptare. Pikërisht për këtë është menduar edhe realizimi i një konference shtypi, e konceptuar më shumë në formën e një takimi me aktoren Arta Dobroshi. Lista e të ftuarve specialë në TIFF vazhdon me regjisorin e njohur Alexandre Rockwell. Ai mbërrin në kryeqytetin shqiptar me bashkëpunëtorin e tij të ngushtë, skenaristin Brandon Cole. "In the Soup", fitues në Sundance Festival, është filmi që e bëri të njohur Rockwell. Ndërkohë që në Tiranë do të shfaqet realizimi i tij më i fundit "13 Moons", sërish një bashkëpunim me Brandon Cole. Ky i fundit do të jetë pjesë në një projeksion special të filmit "Illuminata" të John Turturro, si skenarist i produksionit. Por Rockwell dhe Cole do të kenë edhe lajme në këtë ardhje të tyre në Tiranë. Ashtu siç ndodhi me Paskaljeviç, Genc Përmeti shprehet se ata do të njoftojnë projektin e një bashkëprodhimi amerikano-shqiptar me kompaninë filmike "SKA-NDAL". Ndërkohë që edhe programi i filmave në konkurrim ka përfunduar. Logoreci shprehet se gjeografia e tyre përfshin shumë vende si Amerika, Izraeli, Turqia, Zvicra, Portugalia, Australia, Spanja, Shqipëria etj. "Mendojmë se kemi përzgjedhur filmat më të mirë. Në konkurrim janë përfshirë prodhime që janë shfaqur në seksione të festivaleve më të rëndësishme si ai i Sundance, apo edhe në Kanë. Sigurisht, kemi hasur edhe vështirësi gjatë këtij procesi. Një pjesë e mirë edhe nuk kishin dëgjuar për Tiranën. Kështu që, nuk duhej t‘u bëje vetëm një ftesë të thjeshtë, por të shpjegoje se çfarë është ky festival, rëndësinë dhe parametrat e tij", shprehet Logoreci. Skenaristi, i ati i të cilit është larguar që në ‘44-ën nga Shqipëria drejt Amerikës, ka qenë pjesë edhe edicionit të shkuar të TIFF-it. Këtë festival, i cili edhe këtë vit mbështetet vetëm nga QNK-ja, e quan një aktivitet të rëndësishëm në situatën aktuale kulturore të kryeqytetit shqiptar. "Nëse hedh sytë nëpër Tiranë, sheh vetëm ndërtime të pafundme. Në këto kushte, kur pjesa më e madhe e investimeve shkon në këto fusha, unë habitem se si mund të ekzistojë e të rezistojë kultura në këtë qytet. Aq më tepër po të flasësh për mbështetje të regjisorëve të rinj, që filmat e tyre të marrin pjesë në konkurrime të ndryshme. Pikërisht për këtë "Tirana International Film" është një aktivitet i rëndësishëm, i cili kërkon edhe mbështetjen nga institucionet përkatëse, siç është Ministria e Kulturës", thekson Logoreci. Ashtu si edhe vjet, festivali do të organizohet në kinema "Imperial".