E Diel, 1 Nëntor 2026

Los Anxhelos, Edi Murphy prezantues i Oscar 2012

LOS ANXHELOS- Aktori amerikan, Eddie Murphy, hero i "Policë në Beverly Hills", "Profesor Foldingue" apo "Doktor Dolittle", do të prezantojë ceremoninë e 84-të të çmimeve Oscars, që do të zhvillohet më 26 shkurt në Los Anxhelos, njoftuan sot organizatorët e shfaqjes prestigjioze.

Aktori 50 vjeçar, kandidat për çmimin Oscar si aktori më i mirë joprotagonist në vitin 2007 për rolin në filmin "Dreamgirls", është një gjeni i komedisë, pohoi në një deklaratë për shtyp, Brett Ratner, një nga producentët e ceremonisë.

"Falë dashurisë së tij për kinemanë, personazhet e pabesueshëm që ai ka krijuar dhe kontributin e tij të mrekullueshëm, veçanërisht në skenë, unë e di se ai do ta shndërrojë mbrëmjen që ne duan në një mbrëmje më të bukur, më spontane dhe më të pabesueshme", shtoi Brett Ratner.

Eddie Murphy, që do të prezantojë ceremoninë për herë të parë, pason aktorët Anne Hathaway dhe James Franco, vitin e kaluar. Kontributi i tyre u shoqërua me disa kritika, ku disa e gjykuan ceremoninë si pak dinamike.

"Jam tepër i nderuar që i bashkohem listës prestigjoze të prezantuesve të kësaj mbrëmjeje", deklaroi Eddie Murphy, duke cituar kryesisht Bob Hope, Billy Crystal apo Whoopi Goldberg.

Eddie Murphy e ka nisur karrierën e tij si "stand-up" në moshën 15 vjeçare, para se të dilte në publik në moshën 19 vjeçare në stafin e "Saturday Night Live", një emision i njohur televiziv komik amerikan.

Karriera e tij vazhdoi më pas në kinema, ku ka luajtur në shumë komedi ("48 orë", "Policë në Beverly Hills", "Profesor Foldingue", "Doktor Dolittle"). Ai ka marrë pjesë edhe në dublimin e filmave të animuar ("Shrek", "Mulan").
(s.g/atsh/balkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›