E Diel, 1 Nëntor 2026

UET, i pari universitet privat me shkollë doktorale

Në 5-vjetorin e themelimit të tij, pas vlerësimit pozitiv nga Këshilli i Akreditimit dhe pas renditjes ndër më të mirët në procesin e rankimit të Universiteteve, Universiteti Europian i Tiranës promovoi dje hapjen e shkollës doktorale, duke u bërë kështu i pari universitet privat me të drejtën e ciklit të tretë të studimeve

Në një atmosferë ceremoniale, mes personalitetesh të njohur nga fusha të ndryshme dhe akademikësh, Universiteti Europian i Tiranës hapi dyert për studentët e interesuar në ndjekjen e studimeve të ciklit të tretë, kërkuesve të rinj shkencorë dhe atyre që duan të thellojnë dijet në nivelin më të lartë të studimeve në arsimin e lartë. Pas përgatitjes së gjatë për rritjen e standardeve akademike, thellimin e kërkimit shkencor dhe botimeve shkencore, si dhe zhvillimeve cilësore në procesin e mësimdhënies në programet e studimit në dy ciklet e para (Bachelor, Master Profesional dhe Master i Shkencave), të licencuara dhe akredituara, UET u vlerësua pozitivisht nga Këshilli i Akreditimit më 29 korrik të këtij viti, se i plotëson kushtet për zhvillimin cilësor të programeve të studimit të ciklit të tretë (doktoraturës).

“Shkolla doktorale në UET nuk erdhi thjesht për inerci, pasi mbaruam ciklin e parë dhe të dytë, pasi u akredituam me sukses në gjithë programet e këtyre cikleve, por erdhi si domosdoshmëri dhe objektiv afatgjatë i këtij universiteti për t’u bërë realisht, jo thjesht një qendër e shkëlqyer akademike, por edhe një qendër performance për kërkimin shkencor, pjesëmarrëse aktive në të gjitha debatet që bëhen sot për kërkimin shkencor”, u shpreh Prof. Dr. Adrian Civici, drejtor i shkollës doktorale në UET. Programet e doktoraturës së ofruara nga UET orientohen në tre drejtime bazë në Shkencat Ekonomike, në Shkencat Sociale dhe në Shkencat Juridike, duke synuar formimin e doktorantëve me dije dhe kulturë të thelluar ndërdisiplinore, në kuadër të një projekti kërkimor-shkencor koherent.

Duke i plotësuar të gjitha kriteret e kërkuara nga Këshilli i Akreditimit, UET bëhet i pari universitet privat në historinë dhjetëvjeçare të krijimit të institucioneve alternative të arsimit të lartë në Shqipëri, që hap ciklin e studimeve të doktoraturës. “Ne jemi të parët në sektorin privat, por shpresojmë dhe presim të mos jemi vetëm, por të kemi edhe bashkudhëtarë të tjerë në këtë sektor, për t’u dhënë edhe studimeve të ciklit të tretë dinjitetin, konkurrencën, larminë, pluralitetin që i takon një universiteti shqiptar bashkëkohor”, u shpreh themeluesi i këtij universiteti, Henri Çili. Programet e studimit të ciklit të tretë (doktoraturës) në UET janë programe të reja, të konsultuara dhe të krahasueshme me mjaft programe të ngjashme që zhvillohen në universitete cilësore e prestigjioze ndërkombëtare, ndërsa UET do të vërë në dispozicion të studentëve të tij një staf prej 35 pedagogësh me tituj profesor, profesor i asociuar ose me gradën PhD, të përfunduar jashtë vendit në universitete të njohura perëndimore, si edhe 6 profesorë nga Aston University në Angli. “Vetë Universiteti Europian i Tiranës është formësuar tashmë si një universitet i cili bazohet fort në kërkimin shkencor dhe që funksionon si një motor cilësie në vend. Rreth tij janë grumbulluar burime dhe metodologjitë më bashkëkohore për të mbështetur nivelet më të larta të personelit akademik/kërkues dhe të cilësisë studentore”, tha në fjalën e saj presidentja e UET, Dr. Teuta Dobi. Synim ambicioz i Shkollës Doktorale në UET, përpos shndërrimit në qendër kërkimore, shkencore, botuese, ku mund të prodhohen ide, kualifikohen njerëz dhe i shërbehet realitetit dhe kërkesave të zhvillimit ekonomiko-social të vendit, është edhe internacionalizimi i programit të doktoraturës, duke tërhequr sa më shumë studentë të huaj.

Çili: UET një pol i ri në kërkimin shkencor

Për mua, si një person që jam marrë me përgatitjen e dosjes së doktoraturës të Universitetit Europian të Tiranës gjatë këtyre dy viteve, është shumë kënaqësi të hap këtë ceremoni, e cila ka shansin të jetë vërtet historike për dy arsye. E para, për institucionin tonë, por edhe për një arsye më të rëndësishme, që mund të themi që për herë të parë, me promovimin e programeve doktorale në Universitetin Europian të Tiranës, shënohet një risi, një fazë e re. Programi i parë doktoral në sistemin privat, ose në sistemin alternativ universitar shqiptar. Dhe kjo do të thotë shumë, sepse krijon një pol të ri për kërkimin shkencor dhe për promovimin shkencor në mjedisin universitar shqiptar. Së dyti, thyen një monopol historik që ka ekzistuar deri më tani në shkencën shqiptare, në universitetin shqiptar, për arsye nga më të ndryshmet, duke krijuar një mundësi alternative. Ne jemi të parët në sektorin privat, por shpresojmë dhe presim të mos jemi vetëm, por të kemi edhe bashkudhëtarë të tjerë në këtë sektor, për t’u dhënë edhe studimeve të ciklit të tretë dinjitetin, konkurrencën, larminë, pluralitetin që i takon një universiteti shqiptar bashkëkohor. Studimet e doktoraturës janë studime prestigji, janë studime të kualifikimit të lartë, dhe janë, para së gjithash, pronë e pedagogëve, e kërkuesve shkencorë, e doktorantëve, e asistentëve dhe në këtë kuptim, universiteti si institucion ka fare pak të bëjë me të. Ai është thjesht një strehë për të organizuar dhe për të lehtësuar këtë proces. Në këtë pikëpamje, do doja t’i ftoja të gjithë që ta shihnin si një projekt të përbashkët për të avancuar kërkimin shkencor në fushat tona. Universiteti ka marrë vlerësimin pozitiv nga Këshilli i Akreditimit, më datë 29 korrik të këtij viti dhe po vijon në procedurat e tjera për statusin ‘universitet’ dhe përfundimin juridik të programit të doktoraturës, ndërkohë që vendimi pozitiv për përmbajtjen tashmë është i kryer dhe mund të themi që përgatitjet për këtë proces janë zyrtare.

*Themelues i Universitetit Europian të Tiranës.

Dobi: Shkolla doktorale, promovim i profesionistëve dhe akademikëve të rinj

Së pari më lejoni të shpreh kënaqësinë dhe nderin për hapjen e programeve doktorale në Universitetin Europian të Tiranës, si një mundësi më shumë për avancimin e arsimit të lartë në Shqipëri, si një mundësi më tepër për zhvillimin profesional dhe akademik në shkencat sociale, shkencat juridike si dhe shkencat ekonomike. Po promovojmë sot një iniciativë që deri pak vitesh dukej e pamundur dhe e parealizueshme për institucionet e arsimit të lartë jo-publik, por që ne arritëm që ta realizonim falë një përgatitje të gjatë disavjeçare për rritjen dhe avancimin e vazhdueshëm të standardeve akademike, thellimin e kërkimit shkencor si dhe botimeve shkencore.

Universiteti Europian i Tiranës po promovon në këtë mënyrë formimin e profesionistëve dhe akademikëve të rinj, të cilët janë të interesuar për avancimin e karrierës së tyre. Duke orientuar trajektoren e karrierës suaj akademike drejt studimeve doktorale dhe kërkimit shkencor, ju do të arrini të pajiseni me metodologjinë e duhur shkencore dhe praktikën akademike për t’u përgatitur për një treg pune gjithmonë e më shumë kompetitiv, të hapur dhe global. Qëllimi kryesor i hapjes dhe zhvillimit të programeve doktorale pranë UET-it është që të shndërrohemi në një pikë reference për studimet rajonale dhe albanologjike në fushën e shkencave ekonomike, juridike dhe sociale. Dëshiroj të nënvizoj që ne nuk jemi vetëm në këtë iniciativë. Universiteti Europian i Tiranës ka mbështetjen e institucioneve të rëndësishme të huaja, ashtu siç ka marrë dhe aprovimin dhe nga Këshilli i Akreditimit, pjesë e Agjencisë së Akreditimit të Arsimit të Lartë në Shqipëri.

Pavarësisht vështirësive infrastrukturore studiuesit shqiptarë kanë treguar me punën e tyre ndër vite që janë të prirur drejt kërkimit shkencor si dhe zotërojnë një gamë të gjerë njohurish dhe aftësish të thelluara në fushën e tyre të studimit, të cilat përbëjnë një kontribut të rëndësishëm për shkencën shqiptare. Sidoqoftë, përpara se të ndërmerrni rrugëtimin jo të lehtë të quajtur “Doktoraturë”, studentët doktorantë duhet të njihen me mënyrën e konceptimit të shkollës doktorale pranë UET-it, si një institucion i hapur ndaj bashkëpunimit afatgjatë me universitete të njohura perëndimore, si dhe duke u bazuar dhe në kërkesat rigoroze të udhëzimeve të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, të cilat parashikojnë konferenca dhe botime ndërkombëtare, duke i legjitimuar dhe shtuar vlerën e diplomave tona të ardhshme dhe duke rritur peshën e tyre jo vetëm në vend, por edhe në vendet e rajonit ballkanik dhe me gjerë.

Vetë Universiteti Europian i Tiranës është formësuar tashmë si një universitet i cili bazohet fort në kërkimin shkencor dhe që funksionon si një motor cilësie në vend. Rreth tij janë grumbulluar burime dhe metodologjitë më bashkëkohore për të mbështetur nivelet më të larta të personelit akademik/kërkues dhe të cilësisë studentore. Pedagogët dhe studentët, duke ndjekur qëllimet e tyre individuale brenda kontekstit të programeve akademike dhe fushave të kërkimit të universitetit, zhvillojnë aftësitë e tyre dhe i përdorin ato për të krijuar vlerë të shtuar ose në formën e aftësive të rritura profesionale (nga niveli Bachelor deri te Masteri Profesional) ose për të kontribuar në zhvillimin e njohurive të reja nëpërmjet kërkimit shkencor në Masterin e Shkencave dhe Studimet Doktorale. Për arritjen e këtyre qëllimeve, makina e cilësisë së UET-it vë në lëvizje hallka të shumëfishta, që, ndonëse të ndërlidhura, funksionojnë si të pavarura, brenda kufijve të vetë institucionit. Një hallkë funksionale udhëheq aktivitetin akademik në nivelin e parë; një tjetër ndërlidh studimet e nivelit të dytë me punën kërkimore të vetë pedagogëve. Një e tretë mbështet kërkimin e pedagogëve dhe bashkëpunimin e tyre me studentët dhe partnerët dhe një e katërt ka për detyrë përkthimin e këtyre arritjeve shkencore në asete me vlerë për t’ia vënë në dispozicion shoqërisë. Thelbi i këtij mekanizmi përbëhet nga departamentet e UET-it, që mund t’i përkufizojmë si bashkim i organizuar i ekspertëve individualë, të cilët i lidh si tipar i përbashkët përkushtimi i tyre ndaj një fushe specifike të dijes dhe metodologjisë së kërkimit në të, të udhëhequr nga një sistem kombëtar dhe ndërkombëtar standardesh dhe kriteresh për cilësinë. Hulumtimet në shkencat ekonomike, shkencat informatike në shërbim të ekonomisë, shkencat sociale dhe shkencat juridike, sipas një metodologjie të strukturuar sipas modelit anglo-sakson janë kyç për mekanizmin cilësor të UET-it si një Universitet Kërkimi Shkencor, dhe zhvillohen duke u mbështetur dhe menaxhuar nga struktura menaxheriale e UET-it. Kjo strukturë shërben si konstrukti organizacional që gjeneron financimin dhe siguron burimet e nevojshme për kërkimin shkencor. Ajo siguron infrastrukturën administrative që mbështet hallkat funksionale gjatë performimit të tyre, krijon mekanizmat e ndërlidhjes interdisplinare dhe bashkëpunimin me partnerët, si dhe mbron grupet funksionale të kërkimit nga presionet e jashtme që mund të kufizojnë efektivitetin e tyre.

Bazuar në vizionin dhe misionin e tij, UET-i është i përkushtuar që ta furnizojë mekanizmin e tij të cilësisë me njerëz, kapacitete dhe burime për të siguruar mbarëvajtjen e suksesshme të këtij projekti ambicioz dhe me ndikim në zhvillimin e mëtejshëm të vendit.

*Presidente e Universitetit Europian të Tiranës.

Civici: Të shkojmë përtej shkollës, të jemi qendër idesh

Cikli i tretë i shkollës doktorale është një majë, një limit për t’u arritur nga universitetet, nga qendrat e kërkimit shkencor, sepse nuk është thjesht një arritje sasiore, por në vetvete ndërthur shumë nga elementet cilësore që shkenca, që akademizmi ka sot nevojë dhe universiteti mund të bëhet vërtet një qendër ku mund t’i sintetizojë të gjitha këto gjëra. Dhe pikërisht shkolla doktorale në UET nuk erdhi thjesht për inerci, pasi mbaruam ciklin e parë dhe të dytë, pasi u akredituam me sukses në gjithë programet e këtyre cikleve, por erdhi si domosdoshmëri dhe objektiv afatgjatë i këtij universiteti për t’u bërë realisht jo thjesht një qendër e shkëlqyer akademike, por edhe një qendër performance për kërkimin shkencor, pjesëmarrëse aktive në të gjitha debatet që bëhen sot për kërkimin shkencor.

Doja të ndalesha në këtë element, sepse sot në Shqipëri ka shumë diskutime, ka shumë pritje përsa i përket kërkimit shkencor. Dhe shkollat doktorale nisur edhe nga eksperiencat e universiteteve më të zhvilluar në botë, bëhen vërtet qendra ku sinkronizohen si ambiciet e atyre që bëjnë kërkim, ashtu edhe i gjithë horizonti dhe mundësitë e atyre që drejtojnë apo udhëheqin, duke kaluar vërtet nga dija dhe informacioni që tashmë janë të lehta për t’u siguruar, në krijimin e dijeve të vlefshme për zhvillimin ekonomiko-social dhe kulturor të çdo vendi. Dhe pikërisht, për të arritur deri këtu ne kaluam disa etapa, që përbëjnë edhe themelet apo bazat që garantojnë funksionimin e kërkimeve të doktoraturës në UET.

Objektivi dhe kërkesa e veçantë që kemi pasur dhe kemi sa i përket aktivitetit shkencor në UET, i cili është larguar nga formalizmi dhe shabllonizmi që fatkeqësisht mbizotëron në mjedisin shqiptar, për t’u identifikuar me një kërkim shkencor të mirëfilltë, natyrisht brenda mundësive dhe realitetit të shqiptarëve, brenda pritjeve që ka realiteti shqiptar dhe kjo është konkretizuar me një strategji të veçantë të kërkimit shkencor, që angazhon thuajse të gjithë stafin akademik të brendshëm dhe shumë e shumë bashkëpunëtorë të tjerë të jashtëm, qoftë individualisht, qoftë institucionalisht. Tashmë ne kemi një ekip prej 35 pedagogësh me tituj Ph.D Prof.assoc. dhe Prof., të cilët do të jenë korpusi qendror mbi të cilin do të mbështetet shkolla doktorale, dhe po t’i shtojmë edhe disa pedagogë të huaj nga Universiteti i Astonit, në Birmingam, Angli, me të cilin kemi marrëveshje dhe bashkëpunim të veçantë, sistemi ynë i doktoraturave është një bashkëpunim i ngushtë midis universiteteve, përfshirë dhe atë Politeknik të Tiranës, grupi i pedagogëve të përshtatshëm për të drejtuar doktoraturat e kalon shifrën prej 50 vetësh. Natyrisht, ne kemi dhe po e përforcojmë akoma më shumë një pjesë shumë të gjerë bashkëpunëtorësh me vlera shumë të larta akademike e shkencore në universitetet shqiptare dhe universitetet e tjera partnere. UET do përbëjë një portë të hapur akademike, për të gjithë ata që kanë mbaruar ciklin e parë dhe të dytë të studimeve dhe dëshirojnë t’i përkushtohen studimit, kërkimit dhe performancës së tyre akademike dhe kërkimore-shkencore. Të gjitha këto hapësira do të ishin të mangëta nëse nuk do të përmendim faktin që universiteti ka një aktivitet shkencor, kërkues dhe botues të vlerësueshëm, tashmë janë katër revista shkencore që botohen në universitet dhe një kolanë e gjerë botimesh të qendrës UET Press, ku si autorët më të mirë të huaj ashtu edhe ata shqiptarë vazhdojnë të botohen dhe numri i tyre po i afrohet 100, çka tregon për një punë serioze. Nga të gjitha këto pikëpamje, përfshirë edhe infrastrukturën që ofron UET, hapja e shkollës doktorale përbën vërtet një eveniment, si për ata që fillojnë shkollën doktorale për të gjetur hapësirat e duhura në perspektivën e tyre, ashtu edhe për vetë drejtuesit e tyre, të cilët tashmë nuk do jenë thjesht kërkues individualë, por do të jenë të përfshirë në grupe dhe linja kërkimi për të prodhuar vërtet diçka të vlefshme për mjedisin shqiptar dhe jo diçka formale siç ka ndodhur në shumë raste. Unë do doja t’ju bëja një ftesë të hapur jo vetëm pedagogëve tanë, por të gjithëve. Dyert e shkollës doktorale janë të hapura për çdo lloj bashkëpunimi dhe e kërkojmë me devocion ndaj studiuesve dhe kërkuesve shqiptarë, për të mos e bërë thjesht një shkollë të ciklit të tretë, por vërtet një pikë, një qendër kërkimore, shkencore, botuese, ku mund të prodhohen ide, mund të prodhohen dije, mund të kualifikohen njerëz, por edhe mund t’i shërbehet gjithë realitetit dhe kërkesave që ka sot zhvillimi ekonomiko-social i vendit. Duke synuar dhe shpresuar se, duke na njohur me çka kemi ofruar deri tani dhe ç’kemi ambicie për të ofruar, bashkëpunimi ynë të jetë i frytshëm.

*Drejtor i Shkollës Doktorale në Universitetin Europian të Tiranës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›