E Diel, 1 Nëntor 2026

Emërimet në PD, Zogaj sherr me drejtorët në Lezhë

Lezhë- Ka përfunduar në një sherr banal takimi i drejtorëve të drejtorive të qarkut Lezhe me deputetin e zonës Preç Zogaj. Ata e kanë akuzuar deputetin e PD-së, se po iu ndërhyn në mënyrë të paprecendet për emërimet në punë. Sipas drejtorëve, Zogaj po tejkalon kompetencat e tij si deputet, duke u kthyer në rolin e një shefi kuadri për Qarkun e Lezhës.

Shkëndija është ndezur kur deputeti Zogaj, i cili kryesonte këtë takim ka filluar edhe njëherë debatin e tij me OSSH-në njësia Lezhë, duke akuzuar drejtorin e saj për korrupsion dhe largime nga puna të demokratëve.

I menjëhershëm ka qënë reagimi i kryetarit të PD në Lezhë Pal Trashaj, i cili i ka kujtuar deputetit që kritikat të bëhen me fakte konkrete dhe jo me inate personale, pasi kjo lloj situate nuk i shërben të djathtëve kur në prag janë zgjedhjet e përgjithshme. Deputeti Zogaj e ka quajtur OSSH njësia Lezhë si folenë antidemokrateve. Kreu i PD- së në Lezhë, Trashaj i është drejtuar deputetit Zogaj, duke i rikujtuar edhe njëherë se duhej të kishte reaguar kur shumë demokratë u larguan nga puna në Drejtorinë e Bordit të Kullimit dhe asaj të Sigurimeve Shoqërore nga drejtuesit e tyre.

Sipas kreut të PD-së këta demokratë, që në fakt ishin punonjës të rregullt u dëbuan nga puna sepse ngritën zërin kundër korrupsionit,siç ishte rasti i Diella Lufit,apo edhe shumë të tjerëve.Trashaj ka vijuar më tej duke iu drejtuar deputetit Zogaj se nuk ka ndërhyrë edhe në rastet kur shumë tendera u dhanë pa kriter nga këto drejtori,vetëm për interesa klienteliste edhe pse ishte në dijeni të këtyre rasteve.

Sipas tij të gjitha këto fakte nuk u denoncuan nga deputeti, por i mbrojti dhe i përkrahu ashtu siç bën edhe sot. Pas këtyre akuzave që kryetari i PD - së në Lezhë i bëri deputetit mbledhja ka degjeneruar në fyerje dhe sharje personale në mes të palëve, ku në qëndër të tyre ka qënë deputeti Zogaj.

Pas këtyre përplasjeve ka ardhur edhe reagimi i drejtoreshës së Zyrës së Regjistrimit të Pasurive Lule Zeneli, e cila ka debatuar ashpër me deputetin Zogaj. Sipas saj në drejtorinë e saj po bëhen emërime punonjësish pa arsim, pa përvojë dhe mbi të gjitha ka edhe prej atyre nuk kanë të depozituar dosjen e tyre personale.

Për të eleminuar këtë fakt i ka kërkuar deputetit që të mos influencojë në emërimet e këtyre punonjësve, sepse ata nuk i përgjigjen asnjë rast kerkesave të komunitetit, duke mos pasur frikën e largimit nga puna. Sipas saj këto fakte janë depozituar edhe në Drejtorinë e Përgjithshme të Hipotekave, ndërsa reagimi nuk ka ardhur asnjëherë.

Zeneli ka vijuar më tej duke shtuar se një drejtor nuk mund të jetë kurrq i tillë, kur punonjësit e tij nuk e njohin atë për epror. Sipas drejtorëshës së hipotekave këta persona mbrohen nga deputeti Zogaj, i cili kërkon të përforcojë pozitat e tij, duke anashkaluar qëllimin e përbashkët që kanë në misionin e tyre.

Shumë drejtues të institucioneve në Lezhë i kanë kërkuar deputetit Zogaj që të mos ndërhyrjë për arsye personale dhe ti lejojë ata të kryejnë detyrën në bazë të ligjeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›