E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lotaria Amerikane, njoftimi do të bëhet vetëm me postë

Posta Shqiptare ka vendosur të mos i publikojë më listat e fituesve, që për shumë vite janë bërë pjesë e pandashme e gazetave në Shqipëri. "Duke filluar që nga ky vit, Posta nuk do t‘i publikojë më emrat e fituesve, sepse kjo metodë prek privatësinë e personave", u shpreh për gazetën "Shqip" zëdhënësi i Postës Shqiptare, Bruno Gjymshana.

Ai tregoi gjithashtu se prej disa ditësh, nga ana e postës ka nisur shpërndarja e zarfeve të ardhur nga Kentaki (Kentucky), nëpër adresat e lëna nga qytetarët në aplikimet e tyre për Lotarinë Amerikane.

Nga burime të tjera mësohet se përpara disa muajsh, ka pasur një kërkesë nga autoritetet e Ambasadës Amerikane në Tiranë, për të ndaluar publikimin e emrave të fituesve të lotarisë, pasi kjo bie ndesh me ligjin amerikan për privatësinë.

Publikimi i emrave të fituesve të lotarisë bie ndesh gjithashtu edhe me ligjet shqiptare, të cilat garantojnë fshehtësinë e korrespondencës. Madje një e drejtë e tillë sanksionohet në nenin 36 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ku thuhet shprehimisht se: Liria dhe fshehtësia e korrespondencës ose e çdo mjeti tjetër të komunikimit janë të garantuara.

Por kjo e drejtë kushtetuese e shtetasve shqiptarë u neglizhua për gati një dekadë, për shkak të pamundësisë së Postës Shqiptare për të kryer me sukses dërgimin e çdo zarfi në adresë dhe sidomos për shkak të problemeve me sistemin e adresave, që mbetet i pazgjidhur sot e kësaj dite.

Gjithsesi, me ndërhyrjen e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara, qytetarët shqiptarë kanë fituar të drejtën të marrin privatisht informacionin në lidhje me Lotarinë Amerikane, pavarësisht se për shkak të problemeve të sipërpërmendura nuk ka garanci se secili fitues do të njoftohet.

Nga ana tjetër, Posta Shqiptare, me anë të zëdhënësit të saj, jep garanci se çdo zarf i lotarisë do të mbërrijë në adresën që është dhënë nga vetë fituesit në momentin e aplikimit.

Ndërkohë, në faqen zyrtare në internet të "Diversity Visa Lottery" sqarohet se për rezultatet e përzgjedhjes rastësore të fituesve të fazës së parë të lotarisë do të njoftohen vetëm fituesit, ndërsa të tjerët nuk do të njoftohen në asnjë formë.

Shqipëria dhe Nepali kanë qenë deri vitin e shkuar të vetmet vende në botë që publikonin në shtyp apo në internet listat e fituesve të Lotarisë Amerikane, si forma më e sigurt për të mos u privuar fituesve të drejtën e informimit për shkak të problemeve të sistemit postar.

Shqipëria ka hequr dorë tashmë nga kjo metodë dhe aplikantët kanë vetëm një mundësi informimi: nëpërmjet postës.

Lista me emrat e fituesve të Lotarisë Amerikane nuk disponohet as nga ambasadat apo konsullatat e Shteteve të Bashkuara, prandaj nuk është e nevojshme të telefonohen zyrat e informacionit në këto përfaqësi. Të gjitha njoftimet do të dërgohen vetëm me postë të rregullt në periudhën nga maji deri në korrik.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›