E Diel, 1 Nëntor 2026

Vaksina për AH1N1 kushton, Shqipëria kërkon Tamiflu

Në kohën kur është shpallur pandemia e gripit të derrit në të gjithë botën, në Shqipëri mund të flitet për masa për vigjilencë dhe për kombinacione zgjidhjesh. Sikundërse është çështja e imunizimit nëpërmjet vaksinës. Ndërsa një pjesë e mirë e shteteve kanë nisur të bëjnë planifikimet dhe mendojnë se pas shtatorit mund të krijojnë stoqet e tyre të vaksinave kundër gripit të derrit, në Shqipëri aktualisht flitet vetëm për të rritur numrin e vaksinave Tamiflu, e specializuar disa vite më parë për gripin e derrit. Virusi i gripit të derrit H1N1 do të mbërrijë edhe në Shqipëri, por për të mos pasur përhapje të infeksionit, të sëmurët fillimisht do të trajtohen në shtëpi. Vetëm ata të cilët do të jenë më rëndë dhe do të shfaqin komplikacione, do të mjekohen në reanimacionin e kirurgjisë. "Këta pacientë do të izolohen në shtëpitë e tyre dhe nuk ka arsye për të shkuar në spital, veç rasteve të renda", u shpreh ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo. Shqipëria ka një stok prej 2500 Tamiflush dhe po porosit një sasi tjetër. Por ndërsa virusi po shtrihet në gjithë botën, ka dalë në treg edhe vaksina kundër H1N1, gripi i derrave. Shqipëria është një ndër vendet që kërkon të pajiset me të, por nuk dihet ende se kur mund ta kemi. Specialistët kanë deklaruar se kërkohet që të gjitha qendrat shëndetësore të pajisen me telefon në mënyrë që të realizohet skema për kryerjen e vizitave në shtëpi. Një pjesë e tyre janë skeptike, pasi deklarojnë se, nëse do të ketë fluks të madh të sëmurësh, spitalet nuk do t‘i përballojnë, pasi nuk kanë kapacitetet e duhura.

Kompania farmaceutike zvicerane ka deklaruar se tashmë ka përfunduar paketa e parë e vaksinave eksperimentale kundër virusit H1N1. Informacioni është bërë publik pak ditë pasi Organizata Botërore e Shëndetësisë vendosi të ngrinte në fazën e gjashtë nivelin e alarmit nga gripi i derrave, duke shpallur kështu pandeminë botërore për të parën herë në 40 vjet.

Vaksinat kundër gripit mund të jetë gati në vjeshtë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›