Maxhorancë-opozitë, replika në Kuvend një ditë para protestës së madhe
Një ditë para protestës që pritet të nisë sot pasdite, deputetët e Partisë Socialiste morën pjesë dje në seancën plenare vetëm në minutat e debatit të lirë. Gjatë 60 minutave të debatit nuk munguan akuzat dhe kundërakuzat mes socialistëve dhe maxhorancës. Ministri i Financave, Ridvan Bode, në lidhje me akuzat e PS-së se vendi është zhytur në borxhe e njerëzit vuajnë një krizë ekonomike, ka deklaruar se Shqipëria nuk është në krizë, borxhi i saj është i parrezikshëm. Sipas tij, vendi nuk vuan nga borxhi, por nga një opozitë që ka humbur toruan pas kutive të votimit. “Borxhi i Shqipërisë është 59%. Kur ka qenë PS-ja në pushtet ka qenë 79%. Borxhi i Shqipërisë është borxhi më i ulët në rajon. Shqipëria nuk vuan nga borxhi, por nga një opozitë që ka humbur toruan, që është ngujuar brenda kutive dhe shikon vetëm zi”, - deklaroi Bode. Akuzat e Bodes shkojnë më tej, ku cilëson deputetët e PS-së si njerëz që paguhen vetëm për të sharë. “Një pjesë e juaja janë njerëz që paguhen për të sharë, keni marrë mediat me radhë, keni 2 vjet. Shqipëria nuk zhytet në krizë se doni ju”, - tha Bode. Deputeti Taulant Balla, gjatë fjalës së tij, tha se socialistët janë në seancë për të treguar se janë të hapur për çdo zgjidhje që do të çojë në transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit. Ndërsa deputetja Arta Dade tha se dhuna verbale ndaj deputetëve, papunësia në rritje, presionet e gjithanshme janë karakteristika të kësaj qeverie që e kanë futur vendin në krizë. Opozita e bojkotoi Kuvendin për dy javë për shkak të përjashtimit të deputetit Taulant Balla nga Parlamenti. Deputetët socialistë kanë marrë fjalën duke u fokusuar te protesta e sotme e opozitës, që nis në sheshin “Skënderbej”.
30 Prill 2010