Sot, në sheshin “Skënderbej” protesta e vërtetë e opozitës
Qytetarë nga e gjitha Shqipëria do të protestojnë sot përkrah opozitës në sheshin “Skëndërbej”, për zbardhjen e krimit elektoral të 28 qershorit dhe krizës ekonomike. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, një ditë para protestës që po pritet, zhvilloi një takim me aleatët opozitarë, e cila zgjati vetëm 60 minuta. Pas përfundimit të takimit të gjithë njëzëri u kanë bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen protestës së sotme. Sipas zërave opozitarë, kjo do të jetë një protestë e vërtetë, e cila nuk do të ndalet derisa t’i jepet një zgjidhje kësaj situate. Opozitarët, alternativën e zgjedhjeve të parakohshme e kanë parë si të vetmen mënyrë për të nxjerrë vendin nga kriza nëse kryeministri Sali Berisha, përballë tyre do të vazhdojë të mbajë të njëjtin qëndrim. Në takimin e zhvilluar ishin kryetari i Partisë Social Demokrate, Skënder Gjinushi, kryetari i Partisë Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela, kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, kryetari i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, kryetari i lëvizjes “G99”, Erion Veliaj dhe ish-deputeti demokrat, Preç Zogaj.
Rama
Kreu i selisë rozë deklaroi se kjo protestë nuk do të ndalet derisa të vihet në vend demokracia e votës së lirë. “Tanimë e gjithë Shqipëria e di që nesër në orën 18:00, (sot) fillon protesta e madhe e mbarë popullit opozitar, përtej çdo kufiri që ndan partitë, apo që ndan njerëzit në raport me bindjet e përkatësitë e tyre. Për një çështje të përbashkët, të një interesi të madh publik, siç është çështja e rivendosjes së demokracisë në themelin e vet, që është procesi zgjedhor. Është e qartë për të gjithë se pasi grabiti votat, ky pushtet po rrënon ekonominë e të gjithëve. Është e qartë për të gjithë se e keqja që i ka përfshirë në një vorbull që shkon poshtë e më poshtë shqiptarët, duke ua rritur përditë koston e jetesës, i ka rrënjët te kutitë e mbyllura”, - u shpreh Rama, duke shtuar: “Kur qeveria nuk e lë popullin të zgjedhë, populli vendoset nën zgjedhë. Dhe kur populli nuk është në gjendje që të ndryshojë qeverinë me votë, se qeveria ia merr votën edhe atëherë kur populli nuk ia jep, atëherë çdo qytetar është i kërcënuar në pronën e tij, çdo vend është i kërcënuar në pasurinë e tij të përbashkët dhe e gjithë shoqëria është e kërcënuar nga mungesa e çdo perspektive jashtë oborrit të pushtetit”.
Gjinushi
Kryetari i PSD-së u shpreh se me antimitingje nuk mund të sulmohen protestat e opozitës, pasi vetë Berisha demaskohet me këtë akt. “Ai ka vetëm një të drejtë. 1 Maji do të kthehet në ditë feste se do të jetë festë për rrëzimin e qeverisë, për fillimin e çmontimit të kësaj qeverie, e cila tashmë ka dalë hapur që ka vjedhur votën. Votën e ka vjedhur për të vjedhur dhe katër vjet të tjera Shqipërinë dhe shqiptarët. Pra, pushtetet nuk bën që të ndërrohen me protesta, por kur votat vidhen, atëherë ngelet vetëm protesta popullore për ta detyruar qeverinë të iki bashkë me kutitë”, - tha Gjinushi, duke nënvizuar se “debati bëhet në Kuvend kur ke Kuvend. Sipas tij, Kuvendi i Shqipërisë ka marrë tiparet e një nëndiktature ku nuk lejohet fjala e lirë, ku ruhet personaliteti i deputetit, ku nuk zbatohet Kushtetuta.
Ngjela
Kreu i PLD-së i ka vënë dy kushte qeverisë: ose të hapë kutitë, ose të shpallë zgjedhje të parakohshme; dilemë të cilën Berisha e ka bërë të qartë prej kohësh. “Protesta nuk do ndalet derisa qeveria shqiptare, kryeprijësi aktual të hapë kutitë e votimit. Është shumë e thjeshtë, të bëhet transparencë e zgjedhjeve, ose të largohet, ose të vendosë zgjedhje të parakohshme. Protesta është permanente, është pa mbarim, si gjithë protestat e tjera në të gjitha kryeqytetet lindore, për të vendosur demokracinë në Shqipëri. Është përplasje e madhe për demokracinë midis popullit dhe një regjimi jodemokratik”, - tha Ngjela.
Përsa i përket mitingut të PD-së më 1 Maj, Ngjela sqaroi se më 1 Maj NATO-ja ka dalë kundër shteteve që kanë festuar 1 Majin. “Sot 1 Majin e feston Koreja e Veriut, Vietnami, deri diku Kina dhe Kuba. Saliu, natyrisht, do të bashkohet me ta, por të ketë parasysh që me protestën tonë nuk ka asnjë lloj lidhje, se protesta jonë do të mbarojë kur qeveria të mbarojë komplet të gjithë batakçillëkun që ka bërë me zgjedhjet”, - u shpreh Ngjela.
Veliaj
“Kjo nuk është një nga protestat, por kjo është Protesta. Ajo që po u themi sot qytetarëve është se nëse ju ka ardhur në majë të hundës dhe nuk jua mban më xhepi faturën e energjisë, silleni me vete dhe hajdeni në protestë. Nëse nuk duroni dot që ju rritet çmimi i ujit dhe nuk e përballoni dot koston e jetesës, ejani në protestë. Në qoftë se ju ka ardhur në majë të hundës me mënyrën se si ne qeverisemi e se si rripeni nga tatimet, ejani në protestë. Është e vetmja mënyrë se si të shprehim këtë zemëratë civile. Ajo që kemi anonçuar është vetëm fillimi i protestës, nuk kemi anonçuar fundin e protestës, sepse fundi i protestës do të jetë kur të arrihet fundi i protestës”, - u shpreh kreu i G99-s, Erion Veliaj.
Zogaj
Ish-deputeti demokrat, Preç Zogaj, deklaroi se zgjedhjet e lira janë zgjidhja e vetme për të bashkuar popullin, ndërsa kur zgjedhjet nuk janë të lira, apo të manipuluara, atëherë vendi është i destinuar të rrokulliset. “Opozita është plotësisht e bashkuar; kjo u pa dhe sot. Prej 8 muajsh tashmë është bërë e qartë për të gjithë se Shqipëria nuk gjen paqe dhe nuk mund të hedhë asnjë hap para me një pushtet me një qeveri që nuk ka dalë nga kutitë e votimit, por ka dalë nga kombinacionet e tavolinave. Çdo ditë që shkon me këtë skemë, me këtë lloj qeverisjeje, vetëm rrokullisje ka. Kriza vetëm thellohet dhe asnjë dritë perspektive nuk duket në horizont. Opozita ka paraqitur propozimet e veta për të dalë nga kriza, ka ftuar popullin shqiptar që të shprehë vullnetin e tij me praninë e tij, me zërin e tij për një zgjidhje politike të krizës, që do të thotë ose transparencë, ose një formulë tjetër për të shkuar drejt zgjedhjeve të parakohshme”, - u shpreh Zogaj.
Kodheli: “Maxhoranca feston 1 Majin si në kohën e diktaturës komuniste”
Deputetja e Partisë Socialiste, Mimi Kodheli, ka ironizuar festën e 1 Majit të Partisë Demokratike. Sipas saj, kryeministri Sali Berisha, si 50 vjet më parë, ka mbledhur firmat e punonjësve të administratës civile, mësuesve e studentëve, për t’i thirrur me pahir në festën e 1 Majit. “Populli opozitar dhe të gjithë shqiptaret e shqiptarët që vuajnë rrënimin ekonomik që buron nga një pushtet i dalë prej votës së vjedhur do të protestojnë, paqësisht, deri në garantimin e së drejtës kushtetuese për hapjen e kutive dhe transparencës të zgjedhjeve të 28 qershorit”, - u shpreh Kodheli, duke shtuar: “Ndërkohë që në datën 1 Maj, kur shqiptarët do të jenë ende në rrugët e Tiranës për të vazhduar protestën e tyre paqësore, në ditën kur në mbarë botën demokratike organizohen protesta të sindikatave e të punëtorëve, kjo qeveri do t’i bashkohet atyre të Koresë së Veriut e Venezuelës, për të festuar 1 Majin”. Sipas deputetes së PS-së, Berisha është duke shfrytëzuar sërish pushtetin për të detyruar mësues e studentë punonjës të administratës civile të marrin pjesë në festimet e tij qesharake. “Mijëra punonjës të shtetit, në shkelje flagrante të ligjit dhe Kodit të Nëpunësit Civil, janë duke u shantazhuar dhe kërcënuar nëse nuk marrin pjesë në festimet e qeverisë. Rezistencë dhe vetëm rezistencë. Rezistencë paqësore edhe për këta punonjës të respektuar, të cilët këtë herë do të jenë në rrugët e kryeqytetit për të protestuar kundër rrënimit ekonomik dhe jo për t’u bërë vegël e një Kryeministri”, - theksoi Kodheli.
Argumenti i protestës së madhe nuk do të fokusohet vetëm te hapja e kutive, por edhe te kriza ekonomike, rritja e çmimeve dhe e energjisë. Protestuesit e opozitës do ta gdhijnë sot në sheshin kryesor të Tiranës për të mos i lejuar mbështetësit e maxhorancës që të zhvillojnë mitingun e tyre të paralajmëruar në pjesët më të rëndësishme të bulevardit. Përfaqësuesit e opozitës mësohet se do të jenë sot të pajisur me tullumbace të kuqe, me vezë e domate. Gjithashtu bëhet e ditur se gjatë natës ata do të hanë përjashta, në shesh, duke u gdhirë me një valë të re protestash më 1 Maj. Në protestë do të ketë pjesëmarrës nga e gjithë Shqipëria, të cilët do të vijnë nga rrethet e tjera me autobusë dhe automjete të ndryshme. Zonat e rretheve të ndryshme do të jenë të ndara, ku çdo drejtues do të përgjigjet për organizimin e qarkut të vet. Mësohet se zhvillimi i mitingut do të bëhet sipas një organizimi të paracaktuar ku në ballë të formacionit do të jenë drejtuesit e lartë, ndërsa në rreshtat e dytë e të tretë do të qëndrojnë deputetët dhe veteranët.
30 Prill 2010