Pasuria e Edi Ramës, në sitën e Inspektoratit të Kontrollit të Pasurive
Eljona Ballhysa
Pasuria e kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, do t’i nënshtrohet hetimit të hollësishëm të Inspektoratit të Lartë të Kontrollit dhe Deklarimit të Pasurive. Edi Rama është përzgjedhur dje nga shorti i hedhur publikisht nga Inspektorati i Lartë i Kontrollit dhe i Deklarimit të Pasurive. Nga lista me 4750 zyrtarëve të lartë, nga shorti janë përzgjedhur gjithsej 190 zyrtarë që do të hetohen për këtë vit nga Inspektorati. Midis emrave të përzgjedhur bien në sy disa deputetë të Partisë Socialiste, ndërsa mungojnë emrat e ministrave të kabinetit “Berisha”.
Shorti
Rama renditej i 1213-ti në listën e zyrtarëve të niveleve të ndryshme, të cilëve do t’u verifikohej burimi i pasurisë. Në listën e zyrtarëve që u zgjodhën me short për t’u kontrolluar pasuria gjenden edhe disa deputetë të tjerë, si dhe zyrtarë të pushtetit qendror e lokal. Kjo praktikë zhvillohet për herë të dytë në Shqipëri, në kuadër të projektit “ILDKP me dyer të hapura”, për luftën ndaj korrupsionit dhe konfliktit të interesit. I pranishëm në ceremoninë e hedhjes së këtij shorti ishte edhe zëvendësdrejtori i USAID-it, Sean Huff. Duke iu referuar raportit të prezantuar në Kuvend nga kreu i ILDKP-së, Adriatik Llalla, Huff tha se korrupsioni mbetet një problem shqetësues në Shqipëri. “Korrupsioni minon dëshirën e shqiptarëve për anëtarësimi në BE”, - pohoi zyrtari amerikan, duke shtuar se SHBA-të kërkojnë të shohin më shumë bashkëpunim mes Prokurorisë dhe Gjykatës, për t’i çuar çështjet drejt një procesi gjyqësor. Nga ana e tij, kreu i ILDKP-së, Adritak Llalla, paralajmëroi se nëse do të vërehen shkelje të deklarimeve të pasurisë, çështja do të ndiqet penalisht në organet përkatëse të Drejtësisë. Më tej, kryetari i ILKDP-së vlerësoi rolin e institucionit në luftën kundër korrupsionit në radhët e administratës publike. Mes emrave të përzgjedhur sipas shortit, pasuria e të cilëve do t’i nënshtrohet kontrollit, përveç kryetarit të Bashkisë së Tiranës, janë deputetët socialistë, Damian Gjiknuri, Olta Xhaçka, Mimi Kodheli, deputeti i PD-së, Gazmend Oketa dhe një sërë emrash të zyrtarëve të lartë nga Drejtoria e Tatimeve, Doganave, Agjencia e Kthimit të Pronave, Gjykatat etj. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ishte sektori që kishte dhe numrin më të madh të subjekteve të listuara për verifikim. Aktiviteti i sotëm i ILKDP-së zhvillohet për të dytin radhazi dhe në bashkëpunim me USAID-in.
30 Prill 2010