E Diel, 1 Nëntor 2026

Lotaria Amerikane, si dhe kur do të bëhet përzgjedhja e aplikantëve fitues



Jonida Tashi

Skadon në datën 30 nëntor afati për të aplikuar për Lotarinë Amerikane të vitit 2011. Sipas afateve të vendosura nga autoritetet amerikane, të bëra publike nga Ambasada Amerikane në vendin tonë, mbas orës 18:00 të datës 30 nëntor 2009, nuk do të pranohet asnjë aplikim. Për rrjedhojë, të interesuarit për të bërë aplikim për Lotarinë Amerikane kanë afat vetëm 24 orë kohë në dispozicion, për të plotësuar formularin nëpërmjet internetit në faqen http: www.dvlottery.state.gov Aplikimet me e-mail, postë apo faks nuk do të pranohen.
Përzgjedhja
Menjëherë pas mbylljes së procesit të aplikimit, autoritetet amerikane do të nisin atë të përzgjedhjes së aplikantëve fitues, i cili parashikohet të përfundojë në vjeshtën e vitit të ardhshëm. Sipas udhëzimit të Ambasadës Amerikane, për Lotarinë 2011, aplikantët fitues do të përzgjidhen rastësisht nga kompjuteri midis të gjithë aplikimeve të kualifikuara. Aplikimet e përzgjedhura do të njoftohen me postë midis periudhës së muajit maj dhe korrik të vitit 2010 dhe do të pajisen me udhëzime të mëtejshme, përfshirë informacione për pagesat mbi emigracionin në SHBA. Ata që përzgjidhen rastësisht nuk do të njoftohen me e-mail. Ndërsa personat që nuk do të përzgjidhen, nuk do të marrin asnjë lloj njoftimi, pasi ambasadat dhe konsullatat amerikane nuk do të japin një listë të aplikantëve fitues. Bashkëshortët dhe fëmijët e pamartuar nën moshën 21 vjeç të aplikantëve fitues mund të aplikojnë për viza për të shoqëruar ose për t’u bashkuar me aplikantin primar. Vizat e Lotarisë DV-2011 do të lëshohen gjatë periudhës 1 tetor 2010 deri më 30 shtator 2011. Përpunimi i aplikimeve dhe lëshimi i vizave tek aplikantët fitues dhe pjesëtarëve të pranueshëm të familjes së tyre, duhet të ndodhë gjatë mesnatës së 30 shtatorit të 2011-ës. Mbas kësaj date, në asnjë rrethanë, nuk mund të lëshohet asnjë vizë e Lotarisë DV-2011, gjithashtu asnjë pjesëtar i familjes nuk mund të marrë vizat e Lotarisë DV-2011, për t’u bashkuar me aplikantin primar në SHBA mbas kësaj date.
Skualifikimet
Gabimi më i vogël në aplikimin për Lotarinë Amerikane bën që kandidati të skualifikohet që në fazën e aplikimit. Për të evituar këto gabime, Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) ka bërë të ditur se cilat janë rregullat që duhet të ndiqen si dhe rastet kur një aplikim “digjet”. Pikësëpari, Departamenti Amerikan i Shtetit sqaron se në rast se ka më shumë se një regjistrim për një individ, atëherë të gjitha regjistrimet në emër të këtij individi do të skualifikohen, pavarësisht se kush e ka regjistruar këtë individ. Për këtë arsye, ju mund të përgatisni regjistrimin për veten tuaj, ose mund që edhe dikush tjetër ta regjistrojë atë për ju. Mbas regjistrimit të suksesshëm, ju do të lexoni në ekran emrin tuaj dhe një numër unik identifikimi. Ju mund ta stamponi (printoni) këtë konfirmim për të dhënat tuaja. Duke filluar nga data 1 korrik 2010, ju mund të lexoni statusin e regjistrimit tuaj në internet, duke vendosur numrin unik të identifikimit tuaj dhe informacionin tuaj personal. Po ashtu, në aplikimin për Lotarinë Amerikane është e rëndësishme që të gjitha fotografitë e kërkuara të regjistrohen. Regjistrimi juaj do të skualifikohet në qoftë se fotografitë e kërkuara nuk regjistrohen. Sakaq, fotografitë e kohëve të fundit duhen regjistruar elektronikisht për secilin nga pjesëtarët e familjes tuaj: fotografia juaj; e bashkëshortit/es tuaj; e çdo fëmije të pamartuar nën moshën 21 vjeç, duke përfshirë të gjithë fëmijët e natyrshëm, gjithashtu edhe fëmijët e adoptuar ligjërisht apo fëmijët e bashkëshortit/es, edhe në qoftë se një fëmijë është shkëputur nga banimi me ju ose nuk dëshiron të emigrojë me ju. Nuk është e nevojshme të regjistroni një fotografi për fëmijët tuaj me shtetësi amerikane ose me rezidencë të përhershme ligjore. Fotografi në grup nuk do të pranohen; duhet të keni vetëm një fotografi vetjake për çdo pjesëtar të familjes.
Kushtet
Kushti i parë që duhet të plotësohet për të aplikuar për Lotarinë Amerikane është përfshirja e vendit në listën e shteteve që Amerika pranon në këtë program. Në udhëzimin e saj për Lotarinë Amerikane, Ambasada Amerikane sqaron se çfarë do të thotë të jesh i lindur në një nga vendet kualifikuese. Në shumicën e rasteve kjo kupton vendin (shtetin) në të cilin aplikanti ka lindur. Gjithsesi, ka edhe dy mënyra të tjera me të cilat një person mund të kualifikohet. E para, në qoftë se një person ka lindur në një vend ku vendasit e tij nuk janë përzgjedhur për të aplikuar, por bashkëshorti/ja e tij/i saj ka lindur në një vend ku vendasit janë përzgjedhur për të aplikuar, ky person mund të pretendojë vendin e lindjes së bashkëshortit/es dhe në këtë mënyrë, të dyve do t’i lëshohet viza që ata të hyjnë në SHBA njëkohësisht. E dyta, në qoftë se një person ka lindur në një vend ku vendasit e këtij vendi nuk janë përzgjedhur, por as njëri as tjetri nga prindërit e tij/saj kanë lindur ose banuar atje në kohën kur personi ka lindur, një person i tillë mund të pretendojë vendlindjen në një nga vendlindjet e prindërve të tij/saj, në qoftë se ky vend është kualifikuar për programin e DV-2011. Pas vendit, kushti i dytë që duhet të plotësohet për aplikim është arsimimi i aplikantëve. Sipas udhëzimit të Ambasadës, për t’u regjistruar në lotari ju duhet të plotësoni kërkesat e edukimit ose të eksperiencës së punës të programit të lotarisë. Edukim ose punë e kualifikuar nënkupton që ju duhet të keni një edukim të mesëm ose të barabartë, të përcaktuar si 12 vjet edukim fillor dhe të mesëm, të përfunduar plotësisht (pra të vërtetoni me bindje që keni mbaruar 12 vjet shkollë të plotë); ose të keni 2 vjet eksperiencë pune brenda 5 viteve të shkuara në një punësim që kërkon të paktën 2 vjet trajnim ose eksperiencë për të ushtruar. Për të përcaktuar eksperiencën e kualifikuar të punës do të përdoret Baza e të Dhënave të Departamentit Amerikan të Punës “O*Net OnLine”. Në qoftë se ju nuk mund t’i plotësoni këto kërkesa, nuk duhet të aplikoni në programin e Lotarisë.

Skualifikimet, rastet kur “digjet” aplikimi

Në qoftë se ka më shumë se një regjistrim për një individ, atëherë të gjitha regjistrimet në emër të këtij individi do të skualifikohen, pavarësisht se kush e ka regjistruar këtë individ.

Në qoftë se nuk plotësoni formularin plotësisht, ose me gabime, aplikanti do të skualifikohet.

Në qoftë se fotografitë e kërkuara nuk regjistrohen, regjistrimi juaj do të skualifikohet.

Nëse dështoni të regjistroni fotografinë e duhur për secilin pjesëtar të familjes, atëherë aplikimi juaj dhe i të gjithë pjesëtarëve të familjes do të skualifikohet në kohën kur ju të intervistoheni për vizë.

Në qoftë se nuk përfshini bashkëshortin/en, do të rezultojë në skualifikimin e aplikantit principal dhe refuzimin e vizës për të gjithë pjesëtarët e familjes që aplikojnë në kohën e intervistës për vizë.

Në qoftë se nuk i përfshini të gjithë fëmijët, që janë të pranueshëm, do të rezultojë në skualifikimin e aplikantit principal dhe refuzimin e vizës për të gjithë pjesëtarët e familjes që aplikojnë në kohën e intervistës për vizë.

Regjistrimet janë subjekt i skualifikimit dhe refuzimit të vizave për rastet kur fotografitë nuk janë të kohës së tashme, janë manipuluar ose nuk përmbajnë specifikimet e duhura.

Lotaria Amerikane në shifra
30 nëntor 2009, afati i fundit i aplikimit
12 vjet shkollë, arsimimi i kandidatëve
1 tetor 2010-30 shtator 2011, lëshimi i vizave
50 mijë viza, numri total i Lotarisë Amerikane

30 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›