Universitetet, Pikët e fituesit të fundit, për 919 vendet e lira në fazën e katërt
Jonida Tashi
Agjencia e Pranimeve në Universitete nxjerr pikët e fituesit të fundit, për 919 vendet e lira që ekzistojnë ende në universitetet publike të vendit. Sipas udhëzimit të ministrit të Arsimit, Myqerem Tafaj, për regjistrimin e kandidatëve dhe plotësimin e kuotave të parealizuara në fazën e katërt për ciklin e parë të studimeve me kohë të plotë në institucionet publike të arsimit të lartë,
në vitin akademik 2009-2010, kandidatët fitues përcaktohen nga Agjencia Kombëtare e Pranimeve në Institucionet e Arsimit të Lartë (APRIAL), në bazë të dy parimeve. Parimi i parë është ai i meritës, sipas pikëve të grumbulluara në bazë të rezultateve të shkollës së mesme, të provimeve të Maturës Shtetërore dhe për disa programe studimi edhe të rezultateve të konkursit të zhvilluar. Parimi i dytë që merret parasysh në përllogaritjen e pikëve është ai i vullnetit të kandidatëve i shprehur nëpërmjet preferencës më të lartë të zgjedhur prej tyre në formularin A4.
Formulari A4
Formulari A4 përmban të gjitha kuotat e përcaktuara, për secilin program studimi të ciklit të parë dhe mundëson orientimin dhe aplikimin për programin e studimit të preferuar nga kandidati, në bazë të pikëve të fituara nga ai dhe duke u orientuar nga pikët e fituesit të fundit në atë program studimi në fazën 3. Aktualisht APRIAL-i ka marrë në dorëzim formularët A4, dhe ka nisur të përpunojë të dhënat e mara nga ky formular. Sipas udhëzimit të ministrit Tafaj, APRIAL-i do të shpallë në datën 30 nëntor 2009 listën përfundimtare të kandidatëve fitues të ndarë, sipas programeve të studimit përkatës, në përputhje me kuotat e rishpërndara. Një ditë më pas, më datën 1 nëntor APRIAL-i do t’u dorëzojë universiteteve, në formë të shkruar dhe elektronike, listat përfundimtare të kandidatëve fitues, sipas programeve përkatëse të studimit të ciklit të parë me kohë të plotë. Pas marrjes së listave zyrtare të fituesve, këto institucione do të afishojnë menjëherë ato në vende të dukshme në mjediset e tyre.
Regjistrimi
Sikurse në fazat e mëparshme të pranimeve në universitete, edhe në raundin e katërt të pranimeve, regjistrimi i kandidatëve fitues, do të bëhet pranë sekretarive mësimore të fakulteteve, në datat: 2 deri 5 dhjetor 2009, nga ora 08.00, deri në orën 16.00. Për regjistrim, kandidati të dorëzoje dosjen individuale, me dokumentet origjinale të mëposhtme: Dëftesë Pjekurie (në mungesë, vërtetim note me fotografi, të nënshkruar nga drejtori i shkollës e nga drejtori i Drejtorisë Arsimore Rajonale (drejtori i Zyrës Arsimore), si edhe dokument të lëshuar nga Arkivi i Shtetit; Dokument identifikimi (kartë identiteti, pasaportë) dhe fotokopje të tij. Në dosje duhet të mbahet vetëm fotokopja e dokumentit të identifikimit; Në mungesë të tyre, kandidati dorëzon certifikatë personale me fotografi; 2 fotografi; Mandat arkëtimi i tarifës së regjistrimit prej 1500 lekë. Por ndryshe nga fazat e tjera, fituesit e kësaj faze do të evidentohen edhe në lista të veçanta nga sekretaritë mësimore të fakulteteve, të cilat do të dërgohen në Ministrinë e Arsimit. Pas verifikimit të bërë nga Ministria e Arsimit, do të bëhet regjistrimi përfundimtar nga sekretaritë mësimore të fakulteteve.
30 Nentor 2009