Asgjësohet banda e grabitësve, posedonin armë të sofistikuara
Eljona Lata
DURRËS - Operacioni i koduar “Kasaforta” ka asgjësuar një bandë grabitësish, të cilët përdornin mjete të sofistikuara për të kryer vjedhje në qytetin bregdetar. Grabitja më e fundit, e cila ka çuar në grackë anëtarët e saj, ka qenë bastisja e një dyqani pajisjesh elektronike, ku kanë marrë një sasi të madhe kartash rimbushëse celulari dhe mallra të tjera, në vlerën rreth 110 milionë lekë të vjetër. Po ashtu, ata kanë marrë edhe një sasi parash. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se gjatë realizimit të aksionit policor përfunduan në pranga shtetasit Arbër Bardhi, 21 vjeç dhe Sali Ndergjoni, 19 vjeç, të cilët grabitën një dyqan në bregdetin e Durrësit. Sipas tyre, janë identifikuar edhe dy persona të tjerë, konkretisht shtetasit Ismail Deshuka dhe Alfred Skonja, të cilët janë shpallur në kërkim policor dhe po punohet për kapjen e tyre. Zbulimi i grupit u bë përmes ekspertizës së shenjave të gishtërinjve që autorët kishin lënë në vendngjarje.
Grabitja
Në orët e para të së premtes, duke përfituar nga errësira dhe koha e keqe, katër të rinj kanë vënë në shënjestër një dyqan që shiste karta telefonike dhe pajisje të tjera elektronike, në zonën pranë bregdetit, duke e bastisur. Burimet zyrtare në Policinë e qarkut të Durrësit bëjnë të ditur se të rinjtë kanë marrë karta rimbushëse të kompanive “Vodafone”, “AMC” dhe “Eagle”, karta dixhitale dhe telefona celularë, me një vlerë 12 milionë lekë. Gjithashtu kanë vjedhur edhe kasafortën e lokalit, me administrator Agron V., në të cilën ndodheshin 500 mijë lekë të prerjeve të ndryshme. Gjithashtu, për t’u larguar nga vendngjarja kanë përdorur një automjet të vjedhur.
Zbulimi
Por autorët nuk kanë mundur të fshehin dot gjurmët. Dhe kanë qenë gjurmët e gishtërinjve të lëna në objektet e vendit të krimit, të cilat kanë çuar policinë në gjetjen e autorëve dhe në arrestimin e tyre. Nga kontrolli që bëri policia në banesën e Sali Ndregjonit, njëri prej grabitësve, është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, përveç mallrave të grabitura me vlerë 6 milionë lekë, edhe një pistoletë tip “Zastava”, me silenciator dhe një autoveturë tip “Alfa Romeo”, me targë BJ223JF, që rezulton e falsifikuara dhe pa dokumentacion. Sipas policisë, me këtë mjet autorët kanë kryer grabitjen. Ndërsa në garazhin e banesës së shtetasit Arbër Bardhi është gjetur një bombë me telekomandë e tipit celular, e cila është çaktivizuar nga specialistët e Ministrisë së Brendshme. Burimet policore bëjnë të ditur se gjatë kontrollit të mëtejshëm së banesës të 22-vjeçarit, Alfred Skonja, i cili është shpallur në kërkim, janë gjetur materiale të vjedhura me vlerë 5 milionë lekë, si dhe kartëmonedha me vlerë 300 mijë lekë. Burimet e uniformave blu thanë se grupi hetimor po punon për dokumentimin e disa veprave të tjera penale që dyshohet se ka kryer grupi i grabitësve.
Gjatë 5 muajve të fundit është vërejtur një rritje e jashtëzakonshme e grabitjeve, sidomos në qytetin bregdetar, ku ka një shtim të qarkullimit për shkak të sezonit turistik. Në shumicën e rasteve, autorë të vjedhjeve apo grabitjeve janë persona të rinj apo në moshë të mitur.
MALLI I SEKUESTRUAR
Bombë e komanduar me celular
Armë zjarri tip pistoletë “Zastava”, me silenciator
Karta telefoni; “Vodafon”, “AMC”, “Eagle”, karta dixhitale, me vlerë rreth 11 000 000 lekë
Telefona celularë të llojit “Nokia”, USB
Autoveturë tip “Alfa Romeo”, me targa BJ 223JF, të falsifikuara dhe pa dokumentacion të rregullt
AUTORËT
Arbër Bardhi ose “Kosovari”, 21 vjeç, banues në Lagjen Nr. 5, i papunë, i arrestuar
Sali Ndregjoni, 19 vjeç, lindur në Dibër dhe banues në Durrës, i papunë, i arrestuar
Alfred Skonja, 22 vjeç, me banim në Lagjen Nr. 12 në Durrës, i shpallur në kërkim
Ismail Deshuka, 30 vjeç, banues në Burrel, i shpallur në kërkim
30 Nentor 2009