Panairi i Klik Ekspo Group, shtytje e fortë për ekonominë
Panairi i Klik Ekspo Group shërben si një nxitës i fortë për ekonominë shqiptare. Prania e kompanive të huaja në eventin e përvitshëm ekonomik është promotor për shtimin e investimeve dhe binjakëzimin me kompanitë vendase. Sipas statistikave që jepen nga zyra e shtypit e Klik Ekspo Group, rreth 20 përqind e kompanive që marrin pjesë në edicionin e radhës së Panairit Ndërkombëtar të Tiranës, hedhin kapitalet e tyre në tregun e brendshëm. Po ashtu, rreth 80 përqind firmosin kontrata bashkëpunimi me sipërmarrës shqiptarë. Duke iu referuar të dhënave zyrtare 30 përqind e kompanive rikthehen edhe në panairin pasardhës që organizon Klik-u. Duke iu referuar morisë së madhe të firmave që marrin pjesë në kuvendin më të madh ekonomik që organizohet në Shqipëri, rreth 450 kompani të huaja dhe personeli që i shoqëron gjenerojnë të ardhura ekonomike të konsiderueshme për ekonominë kombëtare. Një fakt interesant që i bashkohet morisë së të dhënave të Klik Ekspo Group është edhe prania e madhe e firmave nga vendet e Ballkanit dhe Bashkimit Europian që tregojnë interes për të prezantuar produktet dhe shërbimet e tyre. “Më shumë se 85 përqind e firmave që ndodhen në edicionin e 16-të të Klikut janë të huaja.
Serioziteti
16 vjet nuk janë pak për një kompani që menaxhon panaire të tilla. Por, 16 vjet janë investime që krijojnë profil, strukturë, seriozitet dhe besim për organizatorët. “Jemi krijues, lider në këtë sektor, pavarësisht terrenit jo të mirë dhe mungesës së disahershme të përkrahjes nga sektori shtetëror”, - thotë Elona Agolli, drejtoreshë Ekzekutive e shoqërisë Klik Ekspo Group. Sipas saj “është një bashkim i sakrificës, vullnetit, dëshirës së mirë për të kontribuar në zhvillimin e vendit”. Ajo shpjegon edhe procedurat e anëtarësimit të kësaj shoqërie në Unionin Ndërkombëtar të Panaireve, gjë që u konfirmua pak ditë më parë edhe nga kryetari i kësaj organizate, Vinsent Gerard.
“I gjithë aktiviteti do të kalojë në procesin e auditimit të specialistëve të UFI-t. Do të testohen ekspozuesit, vizitorët, çdo segment i panairit, në fazën përgatitore, fazën e zhvillimit dhe deri në follow-up me mbarimin e tij”, - thotë zonja Agolli, e cila me optimizëm shton se “shpresat për t’u anëtarësuar janë të shumta”
Forumet krijojnë traditë
Përgjatë ditës së dytë të Edicionit të 16-të të Panairit Ndërkombëtar janë zhvilluar një sërë takimesh dhe forumesh mes biznesit, Dhomave të Tregtisë të rajoneve të ndryshme dhe përfaqësuesve të lartë të institucioneve shtetërore shqiptare. Dita e 2-të, në prani të sipërmarrësve hungarezë ka nisur me një forum biznesi. Po ashtu, u zhvilluan Forume edhe mes bizneseve greko-shqiptare apo belgo-shqiptare. Në to kanë qenë të pranishëm edhe përfaqësues të institucioneve të shteteve respektive. Në këto tryeza është diskutuar në lidhje me kushtet për investime, përmirësimin e klimës së biznesit, regjimet doganore, politikat fiskale në përgjithësi dhe vështrimin në detaje të tregjeve dhe potencialeve të tyre.
TË DHËNA PËR PANAIRIN
350-450 pjesëmarrës ndikojnë në ekonominë vendase
30% e ekspozitorëve rikthehen sërish në Panairin e KLIK
80% nënshkruajnë kontrata me sipërmarrës shqiptarë
20% e tyre vendosin të investojnë në tregun shqiptar
85% e ekspozitorëve janë nga Ballkani dhe Europa
Programi i aktiviteteve, datë 29 nëntor
Takime B2B dhe konferenca për shtyp e Sipërmarrësve të Kosovës, mbështetur nga GTZ Kosovë
Konferencë e Sipërmarrësve nga Çekia
Tryezë e Rrumbullaket mes sipërmarrësve të Rajonit të pranishëm në Panairin Ndërkombëtar të Tiranës
box 1
Forum për konkurrencën e tregjeve
Dy ditë më parë u zhvillua një seminar i ndërmarrë nga Shoqata e Tregtisë dhe Industrisë Gjermano – Shqiptare dhe SPRINT! Marketing and Management Consulting. “Shtrembërimi i Konkurrencës”, i cili mblodhi shumë biznese të interesuara për tregje të shëndosha. Drejtues të Autoritetit të Konkurrencës vlerësuan nismën e zhvilluar përgjatë Panairit Ndërkombëtar të Tiranës. Ata u shprehën se do të mbështesin çdo iniciativë për ruajtjen e konkurrencës dhe tregje të ndershme. I pranishëm, për të vlerësuar nismën ishte dhe ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë, Borchardt. Në bashkëbisedimin e tij me pjesëmarrësit në panel ambasadori Borchard tha se, ruajtja e konkurrencës së ndershme është ndihma më e madhe për bizneset. Gjithashtu, ambasadori gjerman vlerësoi organizimet e Klik Ekspo Group.
Klik Ekspo Group ka interes të gjerë dhe për mjedisin
Bizneset e Pavijonit të Belgjikës kanë shfaqur interes të gjerë në industrinë që ruan dhe mbron mjedisin. Në mjediset e hotel Tirana International u zhvillua seminari “Wallonia Environmental Solutions” - Seminar mbi Mbrojtjen e Mjedisit “Zgjidhjet Mjedisore nga Wallonia – Belgjikë”. Ky aktivitet u bë në bashkëpunim mes Klik Ekspo Group dhe Agjencisë së Tregtisë me Jashtë dhe Investimeve të Wallonisë – Belgjikë. Në këtë forum ishte i pranishëm edhe zëvendësministri i Punëve Publike, Transporteve dhe Telekomunikacionit, Ernest Noka. Së bashku me të pranishmit, Zëvendësministri Noka bisedoi mbi nevojat e vendit për teknologjitë e reja në ruajtjen e mjediseve ujore, tokësore dhe ajrin. Në Edicionin e 16-të të Panairit Ndërkombëtar të Tiranës, kompanitë belge kanë ardhur me sloganin “Welcome to Europe”. Në Pavijonin e Belgjikës, për të tretin vit me radhë, pas hulumtimeve të vazhdueshme të tregut shqiptar përmes Agjencisë Shtetërore të Eksporteve AWEX, propozimet vijnë serioze dhe hijerënda në mbrojtjen e ambientit dhe përpunimit të mbeturinave të renda dhe amiantit, teknologjive të ngrohjes, industrisë kimike dhe medicinale, etj.
GIMAEX prezanton zjarrfikëset më bashkëkohore
TIRANË -“E krijuar për të mbrojtur jetën”, është motoja e kompanisë mbarëbotërore Gimaex. E pranishme me një shumëllojshmëri, kompania e parë në Francë në tregun e prodhimit të pajisjeve të mbrojtjes kundra zjarrit ka tërhequr vëmendjen e qindra vizitorëve dhe kompanive në Edicionin e 16-të të Panairit Ndërkombëtar të Tiranës. Gimaex që prej fillimit të shekullit të 20-të ka luftuar me flakët duke njohur suksese e marrë falënderime nga miliona njerëz. Modifikojnë të gjitha llojet e mjeteve duke u marrë vetëm shasinë. Janë të parët në Francë dhe të dytët në botë.
Kjo kompani u prezantua edhe në demonstrimin e zhvilluar në Zall Herr “Siguri, Armatime, Teknologji dhe emergjenca” , në kuadër të prezantimit nga shoqëria Klik Ekspo Group të Panairit të parë të specializuar të Sigurisë dhe të Mbrojtjes, Albanian Military Exhibition (ALMEX). Ky aktivitet i madh do të zhvillohet në tetor 2010 me pjesëmarrjen e emrave më të mëdhenj të industrisë së armatimit në botë.
Aktiviteti i kompanisë Gimaex është zyrtarizuar në vitin 1934, kur kompania u angazhua plotësisht në luftën kundër zjarrit. Po në këtë vit, kjo kompani nisi të ndërtojë dhe mjetet të posaçme për këtë aktivitet të rëndësishëm. Nisja e prodhimit në këtë periudhë, i ka bërë tanimë prodhimet e bëra me dorë më të vjetrat në botë. Para rreth 50 vitesh, drejtues të kompanisë Gimaex u bënë të parët ndërtues të mjeteve HazMat, ose automjetet të pajisura me të gjitha mjetet e nevojshme për të shuar një zjarr. “Në Gjermani krijuan të parin mjet zjarrfikës. Ka qenë viti 1964”, thotë Harris Murtesiq, përfaqësues i Gimaex në Tiranë. Ai shton më tej se, “prej vitesh ka prodhime të ngjashme të këtij mjeti, por ne ngelemi të parët, duke qenë gjithnjë një hap përpara konkurrentëve”. Pas eksperiencave të suksesshme në shuarjen e zjarreve, kompania Gimaex nisi të operojë dhe në menaxhimin dhe përmirësimin e ambienteve të përfshira në katastrofa.
Të njëjtat koncepte si ato në ndërtimin e mjeteve zjarrfikëse u përdorën dhe për të krijuar departamentin e menaxhimit të katastrofave. Përfaqësuesi i Gimaex, i pranishëm në panairin Ndërkombëtar të Klik Ekspo Group sqaron se në këtë fazë të zhvillimit të Gimaex, veç mjeteve të posaçme për këtë qëllim u përfshinë dhe programet për të trajnuar personelin.
Ne jemi këtu për tu shërbyer ju, që ju të mund të shpëtoni të tjerët, tu shërbeni, duke i ndihmuar në raste fatkeqësish”, thotë Harris Murtesiq, përfaqësues i Gimaex në Panairin Ndërkombëtar të Tiranës të organizuar nga shoqëria Klik Ekspo Group.
30 Nentor 2009