Itali, vritet shqiptari me një plumb në gjoks
FIRENCE - Një shqiptar është vrarë ditën e djeshme në qendër të Firences duke u qëlluar me një plumb në gjoks. Mediat italiane bëjnë të ditur se i riu shqiptar është 29 vjeç dhe ka gjetur vdekjen disa orë më në spitalin e Karexhia, pasi ishte transportuar me ambulancë. Sipas burimeve zyrtare dyshohet se autorët e krimit kanë qenë dy bashkatdhetarë të viktimës. Krimi ndodhi në zonën e Arco-s, në San Pierino, në qendrën historike të Firences. Agjencia italiane “ANSA”, e cila publikoi lajmin, nuk bën të ditur emrin e shqiptarit të vrarë, por thotë se policia ka nisur kërkimet për dy autorët e vrasjes. Po ashtu, nuk jepen zyrtarisht motivet e krimit ku mbeti i vrarë emigranti shqiptar.
Zhduket e mitura shqiptare në lagjen e të pasurve në Athinë.
ATHINË - Një 15-vjeçare shqiptare është zhdukur para dy javësh në rrethana të mistershme në shtetin helen. Mediat greke bëjnë të ditur se Kristian Pasho është denoncuar nga familja e saj. Vajza jetonte në Greqi bashkë me familjen e saj me leje qëndrimi të rregullt. Lajmi është bërë i ditur nga burimet zyrtare greke, sipas të cilave 15-vjeçarja Pasho, lindur në Tiranë dhe banuese në Athinë, është zhdukur prej datës 12 nëntor 2009. Nga të dhënat e para që janë mbledhur, policia tha se zhdukja e vajzës së mitur shqiptare ka ndodhur në zonën Glifadha, që njihet edhe si lagjja më e pasur e kryeqytetit grek. Denoncimi për zhdukjen e së miturës është bërë më 16 nëntor nga babai i saj, shtetasi Arben Pasha. Kjo vonesë për të bërë të ditur zhdukjen e vajzës erdhi pas përpjekjeve që familja bashkë me të afërmit kishin bërë për gjetjen e saj. Policia e Athinës kishte pranuar denoncimin e bërë nga familja Pasho dhe menjëherë kishte nisur hetimet për gjetjen e së miturës. Megjithatë ende nuk dihet gjë për fatin e së miturës por vazhdojnë kërkimet e Policisë greke në bashkëpunim me atë shqiptare.
Grabitet taksisti, përfundon në gjendje të rëndë në Spitalin Ushtarak
KORÇË – Një tjetër taksist bie pre e grabitjes. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se të premten pasdite është rrëmbyer dhe më pas është keqtrajtuar shtetasi Agron Perlati, 60 vjeç, i cili punonte prej vitesh në shërbimin taksi. Sipas tyre, 3 persona e kanë rrëmbyer. Fillimisht ata e kanë kërkuar 60-vjeçarin Perlati që t’i çonte kundrejt pagesës për në Lagjen e Re të Korçës dhe më pas ata e kanë goditur me mjete të forta. Burimet policore thonë se autorët e ngjarjes i kanë marrë paratë dhe mjetin taksistit. Pas dhunës së ushtruar ndaj tij ata janë larguar me mjetin taksi, të cilën e kanë braktisur në periferi të qytetit. Gjatë ditës së djeshme kjo ngjarje u denoncua nga Sindikata e Taksistëve në Korçë, të cilët i kërkojnë shtetit të marrë masa për mbrojtjen e jetës së tyre, në të kundërt ata paralajmërojnë protesta. Mësohet se taksisti i dhunuar është transportuar në gjendje të rëndë për jetën drejt spitalit të Tiranës, ndërsa policia ka shoqëruar deri tani në komisariat 10 të rinj, por ende nuk ka arritur të identifikojë autorët e ngjarjes.
30 Nentor 2009