Ministria e Brendshme bën gati draftin për pagesën kalimtare të policëve
Laureta Rryçi
Ministria e Brendshme përgatit draftin që përcakton pagesën kalimtare për të gjithë policët sipas viteve të punës që kanë. Më në fund duket se ky problem i hershëm për dhjetëra policë do të marrë zgjidhje brenda pak javësh. Në të vërtetë, për të vënë në lëvizje institucionet përkatëse, ka shërbyer ankesa te zyra e Avokatit të Popullit. Sipas ankesave të depozituara thuhej se qeveria kishte lënë në mëshirë të fatit dhjetëra familje ish-ushtarakësh dhe ish-policësh. Një vendim qeverie i mban peng prej tre muajsh këto familje, duke i lënë ato pa përfituar pagesën kalimtare që përfitonin deri në fillim të këtij viti. Kjo kategori ish-ushtarakësh dhe ish-policësh kanë humbur detyrën për shkak të reformave dhe, sipas ligjit, shtetit i duhej të kujdesej për një kohë të gjatë me një trajtim financiar për këta persona. Mirëpo, me hyrjen në fuqi të ligjit të ri për këtë kategori, asnjëri prej tyre nuk ka mundur ta tërheqë këtë pagesë. Ish-ushtarakët kanë parë si zgjidhje të vetme t’i drejtohen Avokatit të Popullit për t’i ndihmuar që të vihen në lëvizje institucionet përkatëse shtetërore. Dobjani, pasi është njohur me këtë problem, nuk ka ngurruar të bëjë verifikimet e duhura. Më pas ai ka përpiluar një rekomandim zyrtar që i drejtohet jo vetëm kryeministrit, por edhe ministrave që drejtojnë ministritë ku punonin ankuesit. Sipas Dobjanit, në mënyrë të menjëhershme duhet të përgatitet projekti “Për pagat referuese të njësuara dhe rregullat e llogaritjes së pagës mesatare referuese për të gjithë karrierën” dhe dërgimin e tij për miratim në Këshillin e Ministrave. Shkresa e Dobjanit ka mbërritur në Kryeministri dhe në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë. Të dyja institucionet kanë reaguar duke informuar Avokatin e Popullit se drafti në fjalë ka përfunduar dhe brenda një kohe të shkurtër do të kalojë për miratim në një nga mbledhjet e ardhshme të Këshillit të Ministrave.
Ankesat
Sipas Avokatit të Popullit, në institucionin që ai drejton janë bërë dhjetëra ankesa nga ish-punonjës policie apo ish-ushtarakë, të cilët janë nxjerrë në lirim për shkak të reformës së bërë në Policinë e Shtetit apo edhe në radhët e Forcave të Armatosura. Sipas pretendimeve që ata kanë ngritur, pas nxjerrjes në lirim, ata janë trajtuar me pagesë kalimtare deri më 30 qershor 2009. Trajtimi i tyre financiar deri në këtë datë është bërë në bazë të Ligjit Nr. 8661, dt.18.09.2000 “Për sigurimin shoqëror suplementar të punonjësve të Policisë së Shtetit”. Pas muajit qershor atyre u është ndërprerë pagesa kalimtare për shkak të hyrjes në fuqi të Ligjit të ri Nr. 10142, dt.15.05.2009 “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin e punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë”. Sipas këtij ligji të ri, kësaj kategorie u është ulur koha e trajtimit me pagesë kalimtare nga tre në dy vjet.
Pas ndërprerjes së pagesës kalimtare, meqenëse ankuesit i plotësonin kriteret ligjore për të përfituar pensionin e parakohshëm për vjetërsi shërbimi, kanë plotësuar e dorëzuar dokumentacionin e nevojshëm për të përfituar këtë pension. Mirëpo, megjithëse dokumentacioni i tyre është dërguar në institucionet përkatëse, të prekurit nga reforma nuk janë trajtuar me pagesë për më shumë se tre muaj. Gjithashtu, ankuesit kanë shkruar se për shkak të mospagesës ata janë vënë në vështirësi financiare. Dikush prej tyre ka marrë kredi në bankë dhe nuk ka të ardhura për të shlyer këstet e saj, ndërsa disa të tjerë nuk kanë asnjë burim tjetër të ardhurash në familje për të jetuar.
Zgjidhja
Në rekomandimin zyrtar që Dobjani shkroi për kryeministrin Sali Berisha dhe ministrin e Brendshëm, Lulzim Basha, thuhej se në bazë të kërkesës, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, në përgjigjen për këtë shqetësim të ngritur nga ankuesit ka sqaruar se kjo kategori ish-punonjësish të Policisë nuk është trajtuar akoma me pension të parakohshëm, sepse në bazë të paragrafit 2 dhe 3 të Nenit 4, të Ligjit Nr. 10142, dt. 15.05.2009 “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit,të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin e punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë”, për të përfituar nga ky ligj duhet të përcaktohet paga referuese. Pagat referuese të njësuara dhe rregullat e llogaritjes së pagës mesatare referuese për të gjithë karrierën përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Avokati i Popullit ka nënvizuar në rekomandimin e tij se mospagimin e kësaj kategorie personash për një periudhe kohore për më shume se tre muaj dhe për më tepër kur nuk dihet akoma se kur do të rifillojë pagimi i tyre, e konsideron si një qëndrim të padrejtë të organeve të administratës publike dhe njëkohësisht si shkelje të të drejtave të tyre ekonomiko-financiare të parashikuara ne ligj dhe konkretisht në nenet 7, germa “d”, 13 dhe 14 të Ligjit Nr. 10142, dt. 15.05.2009. Madje Dobjani i ka kujtuar kreut të qeverisë se nxjerrja e këtij akti nënligjor nga Këshilli i Ministrave është edhe një detyrim i parashikuar në Nenin 30 të këtij ligji. Me qëllim që të mos krijoheshin pengesa në zbatimin e ligjit, VKM-ja duhet të ishte nxjerrë menjëherë pas hyrjes në fuqi të tij, më dt. 28.06.2009.
Nenet që penalizuan të prekurit nga reformat
Neni 3
Vjetërsia në shërbim
1. Vjetërsia në shërbim, sipas kategorive të përfituesve, është ajo e përcaktuar në Ligjin Nr. 9210, datë 23.3.2004 “Për statusin e ushtarakut të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”; në Ligjin Nr. 9749, datë 4.6.2007 “Për Policinë e Shtetit”: në Ligjin Nr.8869, datë 22.5.2003 “Për Gardën e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar; në Ligjin Nr. 9357, datë 17.3.2005 “Për Shërbimin Informativ të Shtetit”, Ligjin Nr. 10032, datë 11.12.2008 “Për Policinë e Burgjeve”, Ligjin Nr. 8766, datë 5.4.2001 “Për mbrojtjen nga zjarri dhe për shpëtimin” dhe Ligjin Nr. 10002, datë 6.10.2008 “Për Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Brendshme”.
2. Për efekt të zbatimit të këtij ligji, vjetërsia e shërbimit, e njohur sipas ligjeve të sipërpërmendura, bashkohet.
3. Për efekt të përllogaritjes së përfitimeve, viti i shërbimit njihet vetëm kur është vit i plotë.
4. Në vjetërsinë në shërbim përfshihen edhe:
a) koha e ndërprerjes së karrierës, për shkak të një urdhri apo vendimi të padrejtë, të deklaruar me vendim gjykate;
b) koha e plotë e vuajtjes së dënimit me burgim ose internim, për motive politike, pas titullimit në karrierë, nga personat, që kanë shërbyer në strukturat e përcaktuara në këtë ligj, kur kanë përfituar sipas Ligjit Nr. 7514, datë 30.9.1991 “Për pafajësinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish-të dënuarve dhe të përndjekurve politikë”.
5. Për efekt të llogaritjes së vjetërsisë në shërbim, koha e shërbimit në disa funksione organike, me specifikë të veçantë vështirësie, llogaritet me 1,5-fishin. Për përmbajtjen e kësaj dispozite shprehen strukturat respektive, me shkrim, se cilat do të jenë funksionet e veçanta organike, që do të rivlerësohen me 1,5-fishin. Këto funksione organike miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Neni 4
Paga referuese
1. Përfitimet që jepen nga ky ligj llogariten në bazë të pagës referuese.
2. Paga referuese përbëhet nga paga bazë mujore për gradë, sipas viteve të shërbimit dhe shtesat mbi pagë, ose nga paga bazë mujore për funksion dhe shtesat, të cilat përcaktohen e zbatohen për të njëjtën gradë apo funksion në datën e lindjes së të drejtës së një përfitimi.
Për efekt të përcaktimit të përfitimeve, paga referuese llogaritet si mesatare e pagave referuese, sipas viteve të qëndrimit në atë gradë apo funksion.
Pagat referuese të njësuara dhe rregullat e llogaritjes së pagës mesatare referuese për të gjithë karrierën përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
3. Për studentët e shkollave të larta, që përgatiten si ushtarakë, si punonjës të Policisë së Shtetit, si punonjës të Gardës së Republikës së Shqipërisë, si punonjës të Policisë së Burgjeve e të tjerë, apo kursantët, që përgatiten si punonjës të Shërbimit Informativ të Shtetit, paga referuese, për efekt përfitimi, është paga e gradës apo funksionit më të ulët të oficerit ose e inspektorit të SHISH-it, ndërsa për kursantët për nënoficerë, paga referuese është paga më e ulët e gradës apo funksionit të nënoficerit ose ndihmësinspektorit të SHISH-it të nivelit përkatës.
Letra e drejtorit të Përgjithshëm dërguar Avokatit të Popullit
Lënda: Përgjigje shkresës tuaj nr.K2/M38-4, datë 09.10.2008
Drejtuar: Avokatit të Popullit Ermir Dobjani
Në përgjigje të shkresës tuaj, nr.K2/M38-4, datë 09.10.2009, “Rekomandojmë përgatitjen e projektit të VKM-së, “Për pagat referuese të njësuara dhe rregullat e llogaritjes së pagës mesatare referuese për të gjithë karrierën” dhe dërgimin e tij për miratim në Këshillin e Ministrave, në bazë dhe për zbatim të neneve 4 dhe 30 të Ligjit Nr.10142, datë 15.05.2009”, pasi u shqyrtua nga ana jonë me seriozitetin dhe interesimin e nevojshëm, ju bëjmë me dije si vijon: Jemi plotësisht dakord me rekomandimet dhe sugjerimet Tuaja, lidhur me përgatitjen e Projekt-vendimit të Këshillit të Ministrave, “Për pagat referuese të njësuara dhe rregullat e llogaritjes së pagës mesatare referuese për të gjithë karrierën”. Ligji nr. 10142, datë 15.05.2009, “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit”, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin dhe të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë”, është një akt normativ ligjor ndërinstitucional. Sa më sipër, Kryeministri me urdhër nr. 119, datë 5.9.2008, “Për ngritjen e Grupit Ndërinstitucional të Punës, për rishikimin e skemës së trajtimit të punonjësve me status të veçantë dhe për përgatitjen e ndryshimeve përkatëse
ligjore”, për përgatitjen e projekt-draftit që ju rekomandoni i ka ngarkuar Grupit Ndërinstitucional të Punës. Ministria e Brendshme, në Grupin Ndërinstitucional të Punës, përfaqësohet nga Sekretari i Përgjithshëm. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, duke vlerësuar nevojën e miratimit sa më të shpejtë të projekt-vendimit, ka treguar angazhim maksimal si dhe ka bashkëpunuar me përfaqësuesin e Ministrisë së Brendshme, për përgatitjen e projektvendimit. Nga interesimi i vazhdueshëm jemi informuar se Grupi Ndërinstitucional i Punës ka përfunduar projekt-vendimin e sipërcituar.
Duke ju falënderuar për mirëkuptimin.
Drejtori i Përgjithshëm
Hysni BURGAJ
Letra nga Kryeministria për kreun e Policisë
Lënda: Për kërkesën e Avokatit të Popullit
Drejtuar: Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit
Hysen Burgaj
Për njoftim: Ermir Dobjani, Avokat i Popullit
I nderuar Burgaj,
Me porosi të Kryeministrit Sali Berisha, bashkëlidhur ju dërgojmë për ndjekje shkresën nr. K2/M38 Prot., datë 09.10.2009, që i ka drejtuar Ermir Dobjani, Avokat i Popullit. Dobjani rekomandon përgatitjen e projektit të VKM-së “Për pagat referuese të njehsuara dhe rregullat e llogaritjes së pagës mesatare referuese për të gjithë karrierën” dhe dërgimin e tij për miratim në Këshillin e Ministrave, në bazë dhe për zbatim të neneve 4 dhe 30 të Ligjit Nr. 10142, dt. 15.05.2009. Porosia e kryeministrit është që, të ndiqet ky rekomandim nga ana juaj. Për çfarë do të konkludoni ju lutemi të na njoftoni sa më shpejt të jetë e mundur, pasi do të vëmë në dijeni Kryeministrin. Gjithashtu të informohet Dobjani, brenda afateve ligjore. Ju falënderojmë për bashkëpunimin.
DREJTORI
Elham SHARRA
30 Nentor 2009