Rupert Everett Në Shqipëri, për të ndjekur gjurmët e Bajroni
TIRANE- Rupert Everett, aktori i famshëm i Hollivudit, do të vihet në gjurmët e Bajronit. Këtë fundjavë do të jetë në një udhëtim të pazakontë nëpër Shqipëri. Një udhëtim edhe në kohë, në historitë që rrëfehen dhe ato që janë shkruar për Lord Bajronin dhe mikpritësin e tij shqiptar, Ali Pashë Tepelenën.
Pas gjurmëve të Bajronit
Dje u njoftua se aktori i mirënjohur anglez Rupert Everett, i njohur për rolet e tij në filmat e Hollivudit përkrah Julia Roberts, Madona, Antonio Banderas apo Edi Murphy, do të jetë i pranishëm në Shqipëri për një projekt mjaft të veçantë. Me mbështetjen e televizionit të njohur anglez "Channel Four Neës", Rupert Everett do të ndjekë gjurmët e poetit të madh anglez Lord Byron, në vendin tonë. Ky projekt i ideuar si një tentativë për të kuptuar arsyet e largimit të poetit të madh nga vendlindja dhe tërheqjes së tij nga Orienti, do të sjellë risi të reja dhe fakte të panjohura në prag të 200-vjetorit të ardhjes së Bajronit në Shqipëri. Për këtë arsye, Rupert Everett dhe ekipi i tij do të filmojnë jo vetëm vendet e njohura të shkelura nga poeti, por edhe viset e Shqipërisë së Jugut.
Një dokumentar
Në dokumentarin që pritet të realizohet për jetën e Lordit Bajron në Orient, Shqipëria do të zërë një vend të rëndësishëm, por në veçanti do të jetë marrëdhënia e Bajronit me shqiptarët dhe Ali Pashën, mikpritësin e tij. Në këtë aventurë shqiptare aktori anglez do të ketë si protagonist në rrugën e Bajronit studiuesin shqiptar Auron Tare, i cili vitin e kaluar realizoi një dokumentar mbi udhëtimin e Bajronit në Shqipëri, nga shkrimtari i njohur anglez Robin Hanbury Tennyson. Një veçanti e këtij projekti do të jetë edhe nxjerrja në dritë e kontributit të mikut të Bajronit, Hobhouse, i cili ka lënë një ditar të detajuar mbi rrugën e tij dhe të mikut të tij Bajronit në viset shqiptare.
Mbi aktorin
Rupert Everett, aktori anglez 49-vjeçar, i njohur për fizikun e tij joshës, ka ditur të bëhet pjesë e komedive të mëdha romantike, ashtu sikurse edhe e interpretimit të personazheve komplekse. Everett ka lindur në Britaninë e Madhe në një familje angleze. Prindërit e tij, të dy katolikë e dërguan në një manastir për të vazhduar studimet. Në moshën 15-vjeçare ai e lë qytetin e tij të lindjes për të studiuar Art Dramatik në Londër.
Duke mos e fshehur asnjëherë homoseksualitetin e tij, ai ka pranuar se për një farë kohe edhe ka punuar me lekë. Pasi studio dy vite në "Royal Shakespeare Company" (Kompania Mbre-tërore e Shekspirit), bëhet pjesë e "Citizen company of Glasgow", ku fillojnë edhe hapat e suksesit të karrierës së tij. Në fillim të viteve '80 shfaqet disa herë në programin televiziv italian "Drive in", nën lëkurën e një fotomodeli britanik i shfrytëzuar nga menaxheri i tij. Në vitin 1984 Rupert arrin suksesin e parë, pas interpretimit në rolin e një agjenti që bën lojë të dyfishtë në filmin "Another Country". Që nga kjo kohë ai zgjon interesin e regjisorëve. Në vitin 1985, interpreton në filmin e Mike Newell "kërcim me një të panjohur" dhe në 1986 e gjen në krah të aktores italiane Ornela Muti, në një përshtatje të romanit të Gabriel Garsia Markez, "Kronika e një vdekje të paralajmëruar" me regji të Francesco Rosi. Më 1987-ën, gjendet në filmin "Toleranca" të Pierre-Henri Salfati. Një bashkëpunim me Robert Altman në vitin 1994, i jep mundësi të interpretojë në krah të Sofia Loren, Marcello Mastroianni dhe Lauren Bacall. Në vazhdim do të kthehet në një ikonë mashkullore kur në vitin 1995, është imazhi i parfumit Opium di Yves Saint Laurent. Por suksesi më i madh i tij është filmi "Martesa e shokut tim më të mirë"(1996), në të cilin gjendet në krah të Julia Roberts dhe Cameron Diaz. Në vitin 1999 do të xhirojë tri filma të tjerë. "Një burrë ideal" i Oliver Parker (përshtatje e veprës së Oscar Wilde), "Ëndrra e një nate vere" nga Michael Hoffman, ku interpreton me Michelle Pfeiffer dhe "Inspektori Gaxhet" i David Ke-llogg. Në vitin 2000 gjendet në krah të mikeshës së tij, këngëtares së njohur Madona në filmin "E di çfarë të reje ka?". Edhe në vitet në vazhdim ai ka realizuar disa interpretime personazhesh të njohur.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)