Bashkim Shehu, kandidati shqiptar për "Ballkanika 2008
TIRANE-Bashkim Shehu do të jetë kandidati shqiptar i këtij viti për çmimin letrar "Ballkanika 2008", çmim i cili jepet për romanin më të mirë të Ballkanit, një herë në vit. Shkrimtari shqiptar prezantohet me romanin e tij "Angelus Novus". Organizatorët njoftuan dje se fituesi për romanin më të mirë të Ballkanit do të shpallet në Shkup, më datën 5 tetor 2008. Sipas organizatorëve "janë propozuar dhe dorëzuar prej kohësh veprat e autorëve nga seicili vend ballkanik dhe juria e përbërë nga një anëtar nga seicili vend po shqyrton prej kohësh veprat. Në ceremoni, veç anëtarëve të jurisë, autorëve kandidatë dhe botuesve organizatorë, do të jenë të pranishëm personalitetet më të njohur të jetës kulturore në Maqedoni dhe personalitetet më të larta të jetës politike të këtij vendi, përfshirë edhe presidentin e Maqedonisë, nën kujdesin e të cilit zhvillohet kjo veprimtari. Organizator për përfaqësimin e Shqipërisë në këtë konkurs ndërkombëtar është Istituti i Librit dhe Promocionit "Toena". "Angelus Novus", është botuar në vitin 2006 dhe është pritur më interes nga lexuesi shqiptar. Vepra është në proces botimi në Amerikë dhe në Francë. Juria shqiptare, që ka vlerësuar dhe propozuar autorin dhe romanin shqiptar si konkurente për çmimin "Ballkanika" ka qenë e përbërë nga: Jorgo Bulo, Piro Misha, Diana Çuli, Ylljet Alickaj. Ndërsa në jurinë ballkanike Shqipëria do të përfaqësohet nga Diana Çuli. Fituesit të shpallur si autori i romanit më të mirë të Ballkanit për vitin respektiv i jepet diploma përkatëse e nderit, një distinktiv me simbolin e Ballkanikës si dhe një çmim me vlerë financiare 5 000 - 10.000 euro. Botuesit organizatorë të të gjitha vendeve ballkanike kanë detyrimin që ta botojnë romanin fitues në vendet e tyre. Dmth, brenda një viti apo diçka më shumë vepra e autorit fitues përkthehen në shumë gjuhë të huaja njëherësh.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)