Love Surgery, ose kirurgjia e dashurisë
Nga Dr.Adem Harxhi
Çdo vit miliona vajza janë kandidate për mutilimin gjenital: një vajzë e vogël në çdo pesë minuta. Nga ky numër shumë i madh 15% vdesin si pasojë e drejtpërdrejtë e praktikës. Ato që mbeten gjallë vuajnë për vite nga dhimbje kronike, infeksione, hemorragji, çrregullime të vezikës urinare, të veshkave dhe të urinimit. Vihen re komplikacione ekstreme gjatë shtatzënisë, gjatë kopulimit seksual dhe humbje e ndjeshmërisë seksuale. Ndërkohë që ju lexoni këto rreshta, mbi dhjetë milion vajza në Lindjen e Mesme dhe në Afrikë janë të kërcënuara për t’iu nënshtruar njërës nga format e mutilimit genital. Në SH.B.A ka rreth dhjetë mijë vajza që rrezikohen t’i nënshtrohen kësaj praktike. Këto praktika u futën në Amerikë me emigrantet qe e ruajnë këtë zakon dhe identitet kulturor.
Ndonëse mutilimi gjenital femëror (MGF) praktikohet kryesisht në vendet Islame, ajo nuk është ekskluzivisht një praktikë islame. Ajo është praktikë e shumë kulturave dhe e shumë feve. Në Afrikë dhe në Lindjen e Mesme ajo kryhet nga Myslimanët, Koptikët Kristianë, nga antarë të grupeve të ndryshme indigjene, nga Protestanët dhe Katolikët. Ka dhe shumë sekte të tjera që e praktikojnë.
MGF, shpesh quhet circumcisioni femëror, për ta krahasuar me cirkumcisionin mashkullor (syneti). Ky krahasim shpesh krijon konfuzion. Të dy praktikat përfshijnë heqjen e pjesëve të gjenitaleve që mirëfunksionojnë dhe janë procedura krejtësisht të panevojshme nga pikëpamja mjekësore. Por, MGF është shumë më traumatik dhe më dëmtues nga circumcisioni mashkullor. Krahasimi më i përshtatshëm do të ishte: clitoridectomia (heqja e klitorit) tek një vajzë është si penisectomia (kur hiqet komplet penisi) tek një djalë.
Termi Mutilimi Genital Femëror (MGF) përdoret për tri variante kryesore të mutilimit gjenital:
“Sunna” circumcision: Konsiston në heqjen e prepuciumit (lafshës) ose majës së klitorit. “Sunna” në arabisht do të thotë “traditë”.
Clitoridectomy (ndryshe quhet dhe excision): Konsiston në heqjen e të gjithë klitorit dhe buzëve vaginale.
Infibulation:(quhet edhe circumcisioni faranoik). Kjo formë, që është më e rënda, konsiston në heqjen e klitorit, buzëve të mëdha e të vogla dhe pjesërisht të mureve vaginale. Anët e prera të vulvës dhe vaginës qepen duke i siguruar me thumba ose qepen me katgut ose pe. Një hapje e vogël ruhet për të lejuar kalimin e urinës dhe të gjakut menstrual. Një grua e infibuluar duhet të hapet që të mund të kryejë interkursën natën e parë të martesës.
Këto procedura kryhen në kushte jo sanitare. Një grua, përdor instrumente të mprehta të papastërta si brisk, gërshëra, thika dhe copa xhami. Këto instrumente përdoren në disa vajza, njëra pas tjetrës dhe shumë rrallë lahen. E praktikuar në kushte të tilla, procedura bën që të transmetohen shumë mikrobe dhe viruse të ndryshme, siç është virusi HIV dhe infeksione të tjera. Nuk përdoren teknikat antiseptike dhe anestezia
Më shumë se dhimbja që ndjen nga operacioni, MGF ka efekte afatgjata fiziologjike, seksuale dhe psikologjike. Kryerja e këtyre operacioneve në kushte jo sanitare çon në infeksione të gjenitaleve dhe të indeve për rreth. Nuk janë të rralla gjendjet e shokut, hemorragjia ose septicemia. Për këto arsye disa vende si Egjipti, e konsiderojnë ilegale kryerjen e këtyre procedurave nga persona që nuk janë doktorë dhe infermierë të stërvitur në spitale.
Komplikacionet e largëta si frigiditeti seksual, malformimet gjenitale, menstruacionet e vonuara, komplikacionet pelvike kronike, retencioni urinar rekurent dhe infeksionet, janë të shpeshta.Vihen re shumë komplikacione obstetrikale, kur fetusi ekspozohet ndaj infeksioneve dhe traumave të kokës kur kalon nëpër këtë kanal të lindjes të dëmtuar. Në këto raste, nëna e infibuluar duhet t’i nënshtrohet një operacioni tjetër për t’u “hapur”, që të sigurojë lindjen e sigurtë të fëmijës së saj.
Në kultura të ndryshme ka shumë “justifikime” për këto praktika. Një vajzë e pacircumcizuar (e pabërë synet) konsiderohet “e papastër” nga vendasit dhe në të njëjtën kohë ajo nuk mund të martohet. Një vajzë që nuk ka hequr klitorin, konsiderohet një rrezik i madh dhe fatal për burrin, kur klitori i saj prek penisin e tij. Vetë gratë në këto kultura janë të interesuara ta kryejnë këtë ritual zakonor. Nderi i familjes, pastërtia, mbrojtja nga magjitë, sigurimi i virgjërisë dhe besnikëria për burrin e justifikojnë praktikën e MGF, ndonëse ato janë thjesht terror, që i lë gratë të përjashtuara nga seksi. Këto praktika janë shumë barbare. Deri pak dekada më parë, besohej se klitori është një pjesë shumë e rrezikshme e anatomisë femërore. Në këtë vlerësim është abuzuar me mësimet e Frojdit. Në librin e tij “Sexuality and Psychology of Love”, ai e quante klitorin si një rudiment të penisit dhe vlerësonte më shumë seksualitetin vaginal mbi atë klitoral.
“Love Surgery” (kirurgjia e dashurisë) u praktikua në gratë amerikane prej Dr. James E. Burt që u quajt “Kirurgu i Dashurisë”. Në vitin 1979 ai praktikoi “heqjen e klitorit” (Sunna circumcision) në kushte mjekësore. Ai besonte dhe veproi në bazë të idesë se heqja e klitorit nuk heq kënaqësinë seksuale, por e rrit atë. Dr. Burt punoi në Ohio për më shumë se dhjetë vjet. Pasi aktiviteti i tij u ekspozua, ai u detyrua të dorëzojë diplomën e tij të mjekut.
Numri i madh i rasteve me MFG dhe disa raste vdekjesh që shkaktohen prej tyre, bënë që këto procedura të jenë sot të jashtëligjshme ne disa vende Evropiane (Angli, France, Suedi dhe Zvicër ) si dhe në disa vende Afrikane (Egjipt, Kenya, Senegal).
Është me rëndësi të theksojmë se ndonëse procedura është e paligjshme në shumë vende, numri i vajzave që mutilohen çdo vit nuk ka rënë. Qeveritë e këtyre shteteve nuk janë në gjendje të monitorojnë përhapjen e praktikës së MGF. Kombet e Bashkuara, UNICEF dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë e konsiderojnë MGF një shkelje violente të të Drejtave të Njeriut dhe kanë rekomanduar çrrënjosjen e praktikës.
FUND