Studimi: Shqipëria, çmime më të larta se BE
Shqipëria është renditur në grupin e vendeve me mesatare çmimesh të ushqimit më të larta se Bashkimi Europian. Sipas një studimi të bërë nga Eurostat, Shqipëria dhe Bosnja kanë qëndruar në vendin e 4- ët sa i përket çmimeve më të larta në rajon, në nivelin 70% të mesatares evropiane. Në vendin e parë qëndron Kroacia, e cila rezulton me çmimet e ushqimit më të lartat në rajon, ose 87% të mesatares së BE-së. Më pas vazhdon Turqia me 83 përqind, pasohet nga Serbia me 76 përqind, Shqipëria dhe Bosnja të dyja me 70% dhe Maqedonia me 55%.
Shumë shërbime dhe mallra në Kroaci kanë çmimin më të lartë krahasuar me vendet e Ballkanit dhe disa vende të Bashkimit Europian – thuhet në një raport të Komisionit Europian.
Studimi i bërë nga Eurostat krahason çmime të sektorëve të ndryshme për vitin 2007 në Shqipëri, Bosnje dhe Hercegovinë, Serbi, Mal të Zi, Kroaci, Maqedoni dhe Turqi si dhe në 7 vende të BE-së – Austri, Bullgari, Greqi, Hungari, Itali, Rumani dhe Slloveni.
Çmimet e hoteleve dhe restoranteve në Kroaci ishin rreth 83% më të larta se sa mesatarja e BE-së, ndërkohë që më të lira ishin në Maqedoni, në nivelin 43% dhe në Bullgari në nivelin 35%.
Bullgaria dhe Shqipëria kanë çmimet më të ulëta, në shëndetësi dhe edukim, ku kostot llogariten të jenë 20% krahasuar me mesataren evropiane, ndërkohë Kroacia ishte në nivelin 50%.
Pajisjet elektroshtëpiake rezultuan të ishin më të lirat në Bullgari, në nivelin 55%, dhe më të shtrenjtat në Kroaci dhe Slloveni, në nivelin 85% të mesatares evropiane.