E Diel, 1 Nëntor 2026

Në lagjen e Kishotit dhe Dylqinjës

 

Në Ditën Ndërkombëtare të Librit, shkrimtari Fatos Kongoli tregon udhëtimin e tij në tokën e Servantesit

Të paktë janë ata që e dinë që 23 Prilli, e shpallur Ditë Botërore e Librit, përkon me vdekjen e shkrimtarit spanjoll Miguel Servantes. Ai që krijoi Don Kishotin, Sanço Pançën, të adhuruarën Dylqinjë dhe luftërat me mullinjtë e erës. Prej disa vitesh, kjo ditë po festohet edhe në Shqipëri, fillimisht thjesht si një ditë libri e tani edhe si përkujtim për Servantesin, për të rritur pak ndjeshmërinë ndaj leximit, për të dhuruar libra, për të qenë më të mirë. Dita e Librit u ndje më shumë në Fakultetin e letrave. Në hollin e Fakultetit Filologjik dje të priste një panair i vogël libri, ku disa shtëpi botuse ofruan libra 30% më të lirë. Duke kaluar për nga Fakulteti i Gjuhëve të huaja, ndihej më tepër "zhurma" e mullinjve me erë. Ambasada Spanjolle kishte organizuar takim me studentë e njerëz të kulturës, dhe me emrin e "Don Kishotit të Mançës" u nda çmimi për tregimin e shkurtër më të mirë. Mes dhjetëra kandidaturash fitoi "Letër Dylqinjës", një esse nga Agim Baçi. Më tej shkrimtari Fatos Kongoli tregoi për udhëtimin që ka patur "në itinerarin e aventurave të Don Kishotit" në Spanjë. Për "Shekullin" ai tregon edhe për kontratat e fundit të përkthimeve dhe filmin që ka nisur të bëhet mbi romanin e tij "Te portat e Shën Pjetrit". Studentët lexuan disa pjesë të zgjedhura nga romani mitik deri sa erdhi momenti që të pranishmit u larguan nga ky aktivitet simbolik me nga një trëndafil të kuq në duar.

A jemi bërë pjesë e festës së librit si sot?

Kjo është një traditë e bukur, që lidhet me një emër të madh, por nuk besoj se tek ne njerëzit e dinë se 23 prilli përkon me vdekjen e Servantesit. Në gjithë botën bëhen lexime nga romani "Don Kishoti". Momentalisht, përveç disa aktiviteteve që kanë një karakter simbolik, kjo ditë nuk është futur në kulturën e çdo njeriu. Do kohë. Kur të krijojë ndjeshmëri tek njerëzit do të jetë diçka shumë e bukur.

Ju keni çfarë të thoni sidomos për këtë ditë. Sapo jeni kthyer nga toka e Servantesit.

Pata fatin që për 8 ditë të isha në Spanjë, ku i gjithë itinerari lidhej me Servantesin dhe Don Kishotin. Vizitova qytetin e tij të lindjes, Alkalanë, ku ishte një shtëpi e shek. XVI, e ruajtur në mënyrë të shkëlqyer, ku mendohej të kishte lindur shkrimtari. Edhe qendra e qytetit ruhej si dikur. Dukej sikur ecje në Mesjetë. Ecëm edhe nëpër itinerarin e Don Kishotit. Shkuam në Toledo, një qytet i mrekullueshëm, i papërshkrueshëm me fjalë. Përshkuam rrugën për në fshatin e Dylqinjës, në Tobozë. Ndeshëm vende të famshme, që përshkruhen në roman. Kaluam në hanin ku Don Kishoti u pagëzua si kalorës. Në një zonë kodrinore pamë mullinjtë e erës. U futa në njërin prej tyre. Dhe Toboza ishte ruajtur si në periudhën e Servantesit. Atje pamë edhe shtëpinë ku mendohet të ketë jetuar Dylqinja. (Në të vërtetë nuk ishte shtëpia e saj, por e një fisnikeje të kohës, të kthyer në muze). Sipër në pllajë, një fushë e zhveshur me disa mullinj me erë, ku mendohet se Don Kishoti ka zhvilluar luftën me gjigantët. Një udhëtim i paharrueshëm.

Frymëzim për të shkruar diçka të re?

Frymëzimet nuk lindin kështu, por ishin gjëra shumë të bukura, që njeriut i mbeten në mendje për një kohë të gjatë. Në muzeun e Tobozës, veç të tjerash kishte edhe libra, variante të ndryshme të "Don Kishotit", të botuar në kohë të ndryshme dhe të dhuruar nga personalitete të ndryshme të politikës, kulturës dhe artit. Madje aty pashë edhe një libër të dhuruar në vitin 1933, të firmosur nga Hitleri. Më erdhi keq që nuk pashë një botimin tonë. Por botimin më të fundit në shqip e gjeta në muzeun e Alkalës, madje drejtori i muzeut më kërkoi të vija një shënim aty. E pata kënaqësi, edhe pse nuk e kisha dhuruar unë atë, por të tjerë. Megjithatë e vura një shënim të thjeshtë në shenjë respekti, por edhe për të treguar që edhe aty ka shkuar një shqiptar.

Ju ndodh ndonjëherë të ndiheni si Don Kishot, që të luftoni me mullinjtë e erës?

Figura e Don Kishotit është shumë e madhe. Të jesh Don Kishot nuk është e thjeshtë. Ai është i vetëm, është unik. Shprehja që ka hyrë në mënyrë abuzive "Don Kishot", për mua është e gabuar. Don Kishoti është i papërsëritshëm i përbotshëm. Situata donkishoteske na ndjekin gjithë jetën. Por të quash veten, apo dikë tjetër "Don Kishot" është diçka shumë e madhe.

Patët në Spanjë ndonjë takim me shpresë për botimin tuaj atje?

Përveç kënaqësive që mora në rrugëtimin tim, në Madrid e Barcelonë takova tre botues. Takimi më i frytshëm dhe konkret ishte ai me shtëpinë botuese "Siruela" në Madrid, ku isha bashkë me përkthyesin Ramon Sançez. Më njihnin dhe për ta nuk ishte problem botimi i veprave të mija, por kërkonin një mendim se me kë libër duhet të fillonim. Ramë dakord për të botuar tre romane të mi dhe jam në pritje të nënshkrimit të kontratës konkrete. Bëhet fjalë për librat "I humburi", "Lëkura e qenit" dhe romani më i fundit "Jetë në një kuti shkrepsesh". Deri tani ky roman është botuar në greqisht dhe do të botohet nga shtatori në Francë nga "Rivage". Në proces përkthimi e botimi jam në Itali e Poloni.

Çfarë po shkruani tani?

Kam diçka në duar. Po shkruaj. Por është shpejt për të folur dhe nuk e kam zakon të flas për gjëra që nuk i kam të sigurta. I qëndroj asaj thënies: Mos e shit lëkurën e ariut, pa e vrarë ariun.

E reja më e fundit është se një nga romanet tuaj po punohet për film…

Regjisori Spartak Pecani, më këkoi të bashkëpunonim për të bërë film romanin "Te porta e Shën Pjetrit". Më propozoi të punonim për skenarin por nuk pranova, pasi po të ulesha të shkruaja skenarin, do të shkruaja sërish romanin, pra sërish letërsi. Nuk kam asgjë kundër që dikush tjetër të merret me skenarin. Kemi nënshkruar kontratën, ku kam dhënë të drejtën e shfrytëzimit të librit.

Në shumicën e herëve, një libër i mirë nuk del një film i mirë, i druheni kësaj?

Nuk pres që ky film të jetë libri im. Këtë ua shpjegova dhe autorëve. Kjo do të jetë vepër e Spartak Pecanit dhe stafit të tij. Nuk është më vepra ime. Sërish uroj të kenë sukses. Dëshiroj të dalë një film i mirë, por nuk do të jetë libri, nuk ka sesi të jetë. Libri nuk bëhet kurrë film.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›