E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis gara e privatizimeve, METE publikon listën e objekteve në shitje



Janë më shumë se 370 objekte në pronësi të shtetit që janë shpallur për privatizim dhe këto me afat deri në datën 30 qershor. Gazeta “Albania”, një muaj më parë në mënyrë ekskluzive botoi të plotë listën e të gjitha ndërtesave, e jo vetëm atyre që janë nxjerrë në shitje nga qeveria. Në listë janë emrat e objekteve, vendet ku ndodhen dhe vlera e tyre. Ato janë vepra të ndryshme që janë ende në pronësi të shtetit por që administrohen nga privatët. Në listë ndodhen objekte të ndryshme si, reparte ushtarake, librari në rrethe të ndryshme të vendit, ambientet që janë ende nën administrim shtetëror por që kanë dalë në shitje, si bar-kafe, farmaci, zyra të ndryshme, magazina, hangarë, ambiente të ndryshme të uzinave dhe shumë ndërtesa të tjera deri dhe stadiume futbolli dhe lojërash me dorë. Objektet e nxjerra në shitje janë në pronësi të institucioneve të ndryshme shtetërore, si ministrisë por dhe në ato të institucioneve vendore. Qeveria ka përcaktuar dhe çmimet e objekteve ndërkohë që procedurat e privatizimit do të jetë sipas ligjeve në fuqi. Pak ditë më parë ishte qeveria që miratoi listën ku nuk bënin përjashtime as objektet në pronësi të hidrocentraleve apo ushtrisë. Janë fabrika, ndërmarrje apo uzina që dikur kanë qenë pronë shtetërore aktive, tashmë në proces likuidimi, apo të dhëna me qira, që do të futen në proces privatizimi. Për hartimin e listave me ndërmarrjet, objektet shtetërore, apo edhe me kapital shtetëror që do të evidentohen për të kaluar në proces privatizimi janë angazhuar mbi 100 nëpunës të administratës. Pronarët kanë të drejtë parablerjeje të ndërtesave që janë ndërtuar mbi tokat e tyre. Më pas do të kenë të drejtë personat që i kanë nën administrim.

23 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›